fbpx

Bota

Turqia në prag të zgjedhjeve





               Publikuar në : 22:55 - 22/06/18 |
mapo.al

Turqia shkon në votime këtë të dielë dhe Presidenti Recep Tayyip Erdogan mund të përballet me sfidën më të fortë në 16 vitet që ka në pushtet.


Platforma e rivalit të tij, Muharrem Ince për të kapërcyer ndasitë e thella politike të Turqisë, veçanërisht mes besimtarëve dhe laikëve ka bërë që ai të kërkojë mbështetje përtej bazës së partisë së tij laike, CHP. Zoti Ince që po ndjen pozitat e tij gjithmonë e më të forcuara, po bën madje fushatë edhe tek baza e zotit Erdogan.



Muharrem Ince, po bën fushatë në territorin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan.


Zoti Erdogan zgjodhi të ndërtojë rezidencën e tij private në distriktin historikisht konservator nga ana fetare të Uskudarit në Stamboll.

Meqenëse Preisdenti Erdogan është prezantuar gjithmonë si mbrojtës i të drejtave fetare, Uskudar ka qenë tradicionalisht një bazë besnike e tij.

Vizita e zotit Ince në Uskudar ka një simbolizëm të madh për përkrahësit e tij.

“Ai e sfidoi Erdoganin para shtëpisë së tij. Është e qartë që Turqisë i duhet Muharrem Ince. Askush nuk mund ta frenojë. Muharrem Ince do të jetë patjetër, president i Turqisë dhe do të jetë president i gjithë Turqisë”.

Partia CHP e zotit Ince, është parë gjithmonë me dyshim nga votuesit fetarë, sepse është krijuar nga themeluesi i shtetit laik, Mustafa Kemal Ataturk.

CHP-ja më parë ishte me forcë në favor të mbajtjes në kontroll të fesë, përfshirë ndalimin e shamive të kokës në universitete dhe gjykata, kufizime që Erdogani i hoqi.

Por mesazhi i kandidatit Ince është për liri dhe drejtësi për të gjithë.

“Kur ne i hapim krahët për 81 milionë turq, nuk ka më ndarje mes krahut të djathtë, ose të majtë, mes grave që mbulojnë kokën dhe atyre që nuk e mbulojnë, mes turqve dhe kurdëve, mes sunive dhe alevitëve. Do të jetë vetëm një masë 81 milionëshe”.

Mesazhi i Inces, është më me peshë pasi ai vjen nga një familje fetare. Mësuesi në pension i fizikës, lutet rregullisht.

Dy motra që kishiin shkuar për ta dëgjuar kandidatin, kishin ndjesinë se ai ishte shkëputur nga e kaluara e CHP-së.

“Më parë CHP-ja nuk e kupronte elektoratin. Por me Muharrem Incen, është ndryshe”, thotë njëra motër.

“Ai ka një retorikë bashkuese, një qëndrim bashkues, jo përçarës”, thotë tjetra.

“Pikërisht”, thotë e para.

Fushata e zotit Ince, karakterizohet nga shmangia e polemikës së acaruar që ka përcaktuar sfidat e mëparshme të partisë së tij. Ai po përdor mprehtësinë për të sulmuar Erdoganin.

Por Presidenti Erdogan vazhdon të ketë mbështetje të fortë në Uskudar në bazën e tij të fortë fetare, me paralajmërimet se të drejtat fetare që ka fituar nën regjimin e tij, do të viheshin në rrezik, nëse ai humbet.

Një nga arritjet më të rëndësishme të Erdoganit është forcimi i një klase të mesme të begatë konservatore.

Zoti Ince i ka varur shpresat tek mesazhi i shpresës për të fituar besimin e votuesve konservatorë, kundër politikës së frikës, një mesah që i ka sjellë sukses për 16 vjet Erdoganit.


Etiketa: , , ,

Pas