Trump shokon Europën

 

BILD

Përpara fillimit të takimit vjetor mes Kinës dhe BE në Bruksel, evropianët marrin një shuplakë të fortë nga SHBA.

Në mesin e debatit mbi subvencionet e paligjshme për prodhuesin europian të avionëve, Airbus, qeveria e Trump kërkon të imponojë tarifa hakmarrëse për eksporte të ndryshme të BE.

Përfaqësuesi amerikan për Tregtinë, Robert Lighthizer, publikoi një listë paraprake me mallrat që do i nënshtrohen tarifave, me një vlerë prej 11 miliardë dollarësh. Mes mallrave në listë ka shumë produkte të industrisë ajrore, por edhe ushqime si djathë, vaj ulliri, portokaj apo fruta deti.

SHBA kanë aplikuar për tarifat ndëshkuese ndaj BE në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe presin një vendim të shpejtë nga bordi i arbitrazhit.

Shuma prej 11 miliardë dollarësh në fakt korrespondon me dëmet që pretendohet se shkaktohen nga ndihma që i japin europianët kompanisë Airbus. Kjo përplasje vazhdon prej 15 vitesh. “Tani është koha që të reagojmë”, tha Lighthizer. Tarifat do hiqen vetëm nëse BE i ndal subvencionet.

Por edhe BE nga ana e saj e ka paditur SHBA, duke e akuzuar se edhe ata subvencionojnë në mënyrë të paligjshme rivalin e Airbus, kompaninë amerikane të avionëve Boeing.

Në fund të marsit, një organ i apelimit pranë OBT arriti në përfundimin se Boeing merr ndihmë shtetërore në mënyrë të parregullt. Kjo i hapi rrugën europianëve që të ngrenë padi gjithashtu.

Mosmarrëveshjet tregtare mes Brukselit dhe Uashingtonit mund të përshkallëzohen më tej. Presidenti i SHBA, Donald Trump ka vendosur tashmë tarifa ndëshkuese për importet e çelikut dhe aluminit nga BE, që ka sjellë edhe kundërmasa.

Ai gjithashtu ka kërcënuar prej kohësh se do të vendosë barrierë për hyrjen e makinave nga Europa. Kjo do dëmtonte sidomos industrinë gjermanë.

Trump e sheh vendin e tij si një viktimë të marrëveshjeve të tregtisë së padrejtë dhe u ka premtuar mbështetësve të tij një politikë më të rreptë, që e vendos Amerikën të parën.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Të kripura apo të ëmbla në mëngjes – Çfarë këshillohet

Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Falë tij, organizmi merr...
Read More