Troket kriza, KESH dhe OSHEE me sytë nga qielli

Kriza energjetike është pas derës. KESH ka ulur në minimum sasitë e prodhimit të energjisë. Liqeni i Fierzës në nivelin më të ulët që nga viti 2012. OSHEE përballet me një situatë të vështirë financiare. A është vetëm moti i thatë shkaktar për këtë situatë? Ministria e Energjetikës edhe pse pranon situatën delikate të kompanisë OSHEE, deri më tani nuk ka ndërhyrë.

Pamundësi financiare dhe pamundësi burimesh për të prodhuar energji. Kjo është situata e dy kompanive të mëdha publike të sektorit të energjisë elektrike. E thënë në mënyrë më të drejtpërdrejtë, nëse reshje nuk do të ketë më kriza energjetike do të jetë komplekse. Nuk mund të thuhet se viti 2018 ka qenë një vit i thatë, ndërkohë që shfrytëzimi i Kaskadës së Drinit sipas KESH ka qenë në nivele të ulëta. Por këto janë dy gjëra që nuk shkojnë, duke marrë në konsideratë faktin se niveli aktual i liqenit të HEC të Fierzës është në nivelin më të ulët që nga viti 2012, kur vendi kaloi një krizë energjetike ndonëse jo me përmasat e asaj të vitit 2007. Pra nuk përjashtohet as mundësia e keqmenaxhimit të burimeve në kaskadë. Tashmë jemi përballë situatës, kur për furnizimin e qytetarëve KESH, i cili ka mbi 65 për qind të kapaciteteve prodhuese jep vetëm 25 për qind të sasisë së energjisë. Po aq edhe prodhuesit privatë, dhe pjesa tjetër i ka mbetur importit. Ekspertët dhe njohësit e sektorit të energjisë, nuk e fshehin rrezikun se kriza në këto kushte mund të jetë e ashpër.

KESH

Ja se si e shpjegon zyrtarisht KESH gjendjen në një përgjigje për informacion të dhënë dje: “Situata hidroenergjetike e krijuar si pasojë e kushteve të disfavorshme klimaterike, pritet të ketë impakt të madh (të konsiderueshëm) në gjenerimin e KESH, i cili në 6-mujorin e parë të këtij viti do të jetë rreth 52% më pak se prodhimi mesatar shumëvjeçar për të njëjtën periudhë”. Pra, KESH planifikon të hedhë në treg vetëm gjysmën e prodhimit. Kjo sepse rezerva në Fierzë ka shteruar. Niveli i ujit atje me atë që shikohet me sy është shumë i ulët. Zyrtarisht KESH thotë se niveli i liqenit është në 272 metra, ndërkohë që në media është publikuar shifra 269 metra dhe kompania nuk e ka kundërshtuar. Ekspertët dyshojnë në shifrat e dhëna, dhe mendojnë se niveli me atë që shikohet është më i ulët. Akoma më pesimiste e bën situatën ajo që vetë KESH e konfirmon: “Prurjet janë 80 m3/s, ose 74% më të ulëta se prurjet mesatare shumëvjeçare për të njëjtën periudhë të vitit”. Kjo është kriza e prodhimit të energjisë.

OSHEE

Furnizuesi publik me energji elektrike OSHEE, përveç të tjerave po përjeton vështirësi financiare. Për periudhën janar-prill do të duhet të hedhë në blerje të energjisë nga importi, që është edhe energjia më e shtrenjtë plot 100 milionë euro me TVSH. Ndërkohë që po shkojmë drejt verës, kur burimet ujore shkojnë drejt tharjes së vazhdueshme dhe zgjidhja e vetme për furnizimin janë importet e energjisë. Situatën e rëndë financiare OSHEE e ka pranuar edhe vetë, kur me një shkresë drejtuar ERE (nr. 547/1 Prot., datë 08.03.2019) ku kërkon shtyrjen e afateve të pagesave nga 90 në 180 ditë, shprehet se “për periudhën janar- shkurt 2019, shpenzimet për blerje të energjisë elektrike kanë qenë 29.6 milion euro me të larta se ato të planifikuara” dhe se “Shoqëria OSHEE sh.a. analizoi me shumë kujdes situatën e jashtëzakonshme dhe parashikohet që gjatë muajve shkurt, mars, prill 2019 të përballet me pamundësi financiare të pagesës së faturave”. Kjo është kriza financiare e kompanisë.

Impaktet

Shkresën e OSHEE për ERE e ka përcjellë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e cila në letrën shoqëruese (nr. 64/3 datë 04.03.2019) pranon se OSHEE sh.a. po përballet me një situatë mjaft delikate nga pikëpamja financiare. Kompania vetë thotë se i ka ulur investimet e tjera, në një kohë që në faqen online të saj njoftimet për investimet që kryhen janë gati të përditshme. Nuk është çudi që shumë shpejt qeverisë së Ramës t’i duhet të hapë thesin e buxhetit për të blerë energji elektrike. Duke qenë në prag zgjedhjesh, gjysma e fushatës ka filluar, do të duhet ta bëjë patjetër këtë. Gjithmonë kështu ka ndodhur, kompanitë kanë oreks të blejnë energji me paratë e buxhetit, ndërkohë paratë e veta i çojnë në investime. Në fund janë qytetarët që e paguajnë dy herë energjinë, një herë me tarifën e saj dhe një herë tjetër me taksat. Kjo është kriza e përhershme e menaxhimit.

TABELA

NIVELI I FIERZËS

në fund të marsit

2012                262.0

2013                294.8

2014                274.6

2015                292.2

2016                291.8

2017                280.9

2019                272.8

 

Frenon ekonomia, BB: Shkaqet e ngadalësimit, kriza energjetike dhe situata politike

Banka Botërore paralajmëroi se ekonomia shqiptare po humbet momentin pozitiv dhe pritet të hyjë në një periudhë me rritje më të ngadaltë. “Në 3 vitet e ardhshme, ekonomia e Shqipërisë mendojmë se do të rritet më ngadalë sesa në vitin 2018”, tha Hilda Shijaku, kryeekonomiste e Bankës Botërore. Vitin e kaluar, prodhimi kombëtar u zgjerua me 4.06 për qind, çka përbën rritjen më të lartë të dekadës. Banka parashikon se këtë vit, rritja ekonomike do të ngadalësohet në 3.8 për qind, ndërsa për vitin 2020 ajo do të zbresë në 3.6 për qind. Por, edhe ky parashikim përmban rreziqe. “Kushtet klimatike më të vështira, të cilat po vihen re edhe në këtë fillim viti, mund të çojnë në një rishikim me ulje të rritjes ekonomike. Gjithashtu, edhe pasiguritë e lidhura me zhvillimet ndërkombëtare”, tha më tej ekspertja Hilda. Në raportin rajonal ekonomik, Banka paralajmëroi se një tjetër risk për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, është kriza politike, e cila sipas saj pasqyron edhe dështimin e qeverive për të kryer reformat e nevojshme ekonomike. “Këto protesta që vihen re në shumë nga vendet e Ballkanit lidhen edhe me vonesat në implementimin e reformave strukturore. Autoritetet e këtyre vendeve duhet të marrin masa që të përshpejtojnë reformat strukturore, duke veçuar mundësimin në integrimin e tregut të punës nëpërmjet investimeve të kapitalit human, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe duke krijuar kushte të barabarta zhvillimi për të gjithë”, tha Hilda Shijaku. Veç reformave strukturore, Banka i ka sugjeruar qeverisë të shlyejë detyrimet e papaguara ndaj biznesit dhe të mbajë nën kontroll rreziqet që vijnë nga koncesionet, për të mos kompromentuar uljen e borxhit publik.

 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Disa ide interesante nga fushata ‘american style’ e Eduard Selamit

Nga Ervis Iljazaj Vërtet nuk është favorit në këtë garë, për shkak...
Read More