Tri arsyet pse qeveria po mbyll rrugën e hapjes së negociatave

Shqipëria rrezikon seriozisht që në qershor të këtij viti të mos hapë negociatat si vend kandidat për në BE. Greqia mund të vendosë veton, ndërsa Brukseli po heton që qeveria shqiptare mund të ketë shkelur marrëveshjen e MSA-së dhe është përfshirë në korrupsion dhe tenderë abuzivë për Aeroportin e Vlorës dhe “Air Albania”. Rama nuk ka më kujt t’ia “veshë” fajin…

Qershori është afër dhe Rama atë muaj mund të marrë një lajm të mirë dhe një të keq, që në fund mund t’i rezultojnë të dyja “lajme të zeza”. Vendi rrezikon seriozisht të mos marrë hapjen e negociatave me BE-në dhe kjo do ishte një e keqe për vendin dhe drejtpërdrejt edhe për Ramën, ndërsa lajmi i “mirë” (vetëm për të), do të ishte “fitimi” i të 61 bashkive, pasi opozita mund të mos futet në zgjedhje. Kjo e fundit do jetë lumturi e përkohshme e kreut të qeverisë, por fatet e Shqipërisë janë ngushtësisht të lidhura edhe me vendimin që do të marrin 28 vendet e BE-së për hapjen ose jo të negociatave. Nëse refuzimi do jetë edhe këtë vit, Rama nuk do ketë asnjë shkak për të gjetur “delen e zezë” në radhët e opozitës, pasi situata kritike lidhet drejtpërdrejt me qeverisjen, çka ka shqetësuar edhe ndërkombëtarët. Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama dhe homologu grek Aleksis Tsipras kanë patur një bisedë të gjatë telefonike, ku mediat greke raportojnë se Tsipras ishte i prerë duke paralajmëruar Ramën se nëse nuk tërhiqet nga tjetërsimi i pronave në zonën bregdetare të Himarës, (ku sipas palës greke jeton komuniteti grek), atëherë Athina zyrtare do të vendosë veton kundër Shqipërisë për hapjen e negociatave si vend kandidat për në BE. Lajme aspak të mira mbërrijnë edhe nga Parlamenti Europian, teksa Johannes Hahn pranoi se po kryhet një hetim për Shqipërinë për shkeljen e MSA-së për sa u përket tenderave për “Air Albania” dhe aeroportin e Vlorës. Nga ana tjetër, Holanda duket edhe me skeptike për Shqipërinë sesa një vit më parë, duke u ndalur në kriminalitetin e lartë që vjen nga trafiku i narkotikëve.

Tre probleme që nuk kalohen lehtë

Kryeministri Edi Rama kur mori mandatin e parë si kryeministër u shpreh se në politikën e jashtme do udhëhiqet nga parimi: “zero konflikte me fqinjët”. U trumbetua edhe një takim i mundshëm mes Ramës dhe Tsiprasit në prill të këtij viti, por gjithçka u shemb me largimin e dy ish-ministrave Bushati dhe Kotzias, pasi palët nuk arritën t’i shkojnë deri në fund një marrëveshjeje të mundshme, mes të cilave çështja më e nxehtë ishte ajo çame që pala jonë u tërhoq në mënyrë të pakuptimtë dhe ndarja e detit. Marrëdhëniet shkuan në një lloj stanjacioni, por ditët e fundit Athina zyrtare i ka treguar dhëmbët palës shqiptare. Kjo lidhet me ankesat e disa qytetarëve nga zona e Himarës të cilët pretendojnë se u është tjetërsuar prona me vendim qeverie. Ndonëse debatet mbesin të hapura për himariotët që “vetëshpallen minoritarë grekë” duke sjellë shpesh konflikte të stisura, sërish çështja e pronave është një gangrenë e madhe. Me pronat në bregdet dhe zonat e tjera të lakmuara ka shumë ankesa nga çdo qytetar me rrënjë e degë shqiptar, por qeveria dhe një grup personash, edhe deputetë të Vlorës, kanë tjetërsuar në mënyrë abuzive trojet e qytetarëve. Greqia këtë herë kërcënon me veton e saj në BE. Nuk mund të kalojë përciptas as çështja e një “çmendurie alla Rama”, kur vendosi të futet në lojën e ajrit në krijimin e kompanisë ajrore “Air Albania”. Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn konfirmoi dy ditë më parë se ka dijeni mbi shqetësimet dhe shkeljet e mundshme të MSA nga qeveria në rastin e aeroportit të Vlorës dhe kompanisë “Air Albania” dhe po kryhet një hetim i thelluar. Shqetësime mbi aeroportin e Vlorës janë ngritur fillimisht nga opozita, më pas nga shtypi i specializuar, por edhe nga media europiane, si “Die Presse” e “Der Standard”. Edhe deputeti holandez Omtzigt në janar 2019 ju drejtua me pyetje me shkrim ministrit të Jashtëm Stefan Blok lidhur me parregullsitë, shkeljet e korrupsionin e dyshuar në këto dy projekte. Komisioneri Hahn theksoi se po i kushton shumë rëndësi këtij aspekti dhe se në muajt në vijim është planifikuar një kontroll e verifikim i plotë e i përgjithshëm i këtyre rasteve problematike me tenderat e konkurrencën. Mjafton qoftë edhe një vend i vetëm të jetë kundër që negociatat me Shqipërinë të mos hapen as këtë qershor, duke e futur procesin në një situatë kolapsi, përgjegjësia e së cilës ngado të vërtitet ka vetëm një emër: Ramën dhe qeverinë e tij. Holanda gjithashtu u përket atyre vendeve që është ndër më skeptikët për integrimin e Shqipërisë dhe këtë e lidh kryesisht me çështjen e emigracionit të paligjshëm (kujtojmë që në gjashtë vite janë larguar rreth 500 mijë shqiptarë për azil) dhe të krimit të organizuar, kryesisht në fushën e narkotikëve.

Rama s’ka kujt ia hedh fajin

“Opozita po e nxin Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, kjo rrezikon që vendi të mos marrë hapjen e negociatave në qershor”-kështu deklaroi pak javë më parë kryeministri Edi Rama në analizën e “thelluar” që i bëri situatës pas vendimit të opozitës për djegien e mandateve të deputetëve. Faktet po tregojnë se nëse vendet anëtare të BE-së nuk do votojnë për hapjen e negociatave, atëherë përgjegjësia kalon drejtpërdrejt mbi Ramën. Po a do mundohet edhe këtë herë si shumë herë për t’i devijuar përgjegjësisë? Kryeministri e ka treguar që në mandatin e parë çështjen e korrupsionit, apo gjithçka tjetër që shkonte keq e lidhi me faktin se “ishte i detyruar të bashkëqeveriste me LSI-në” dhe sipas tij ajo ishte e keqja e madhe. Tashmë që prej dy vitesh e ka të vetme pushtetin, fajin po ia vesh medias dhe opozitës. Sipas tij ajo është shkaktarja që i nxin imazhin vendit dhe qeverisë. Drejtuesit e 28 vendeve të BE-së kur të marrin vendimin mbi Shqipërinë nuk do “lexojnë” mediat tona, as do mundohen për të dëgjuar çka thënë opozita, por do bazohen mbi fakte dhe progresin sipas gjashtë pikave të veçanta të lëna një vit më parë. Korrupsioni është në nivelet më shqetësuese të 29 viteve demokraci, problemi i krimit të organizuar është po aq i zi, ndërsa pandëshkueshmëria në nivelet e larta të politikës, biznesit dhe gjyqësorit janë fakte dhe jo “fake news”. Këtë e di edhe Europa!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Erasmus+: 36 studentë të UET nisin rrugëtimin europian në 2018

Në UET sapo është mbyllur procesi i aplikimeve dhe intervistave për studentët që...
Read More