Tregu “mbytet” me lodra – Importet rriten me 38%, eksportet bien me 14.6%

Lodrat për fëmijë janë ndoshta produkti më i tregtuar i muajit Dhjetor në prag të festave dhe pse jo simboli i këtyre festave. Në buletinin e fundit të tregtisë së jashtme nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, rezulton se, importi i lodrave gjatë periudhës Janar-Tetor është rritur ndjeshëm në vendin tonë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga këto të dhëna, rezulton se, në vendin tonë janë importuar lodra për fëmijë dhe lojëra sportive në vlerën e 1.779.000.000 lekë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një vit më parë, rritja është mjaft e theksuar, në masën 38%. Kjo të paktën në terma monetarë.

Në terma vëllimi ndërkohë, rritja është gjithashtu e theksuar, por më e ulët në vetëm 22%. Kjo do të thotë se, nuk është rritur vetëm sasia e lodrave të importuara, por edhe cilësia e tyre, po t`i referohemi parimit universal që çmimi i lartë është tregues i cilësisë.

Sa i përket eksporteve ndërkohë, nuk vlen aspak e njëjta gjë. Në total, gjatë dhjetë muajve të parë të viti, Shqipëria ka eksportuar lodra në vlerën e 759 milionë lekëve, ose 14.6% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. E njëjta gjë vlen edhe për eksportin e lodrave në terma vëllimi.

Për shkak të kërkesës mjaft të lartë në fundvit, dy muajt e fundit janë edhe ata që shënojnë edhe bumin e tregtisë së lodrave, si tregtisë së jashtme ashtu edhe asaj të brendshme. Por ajo që duket se nuk do të ndryshojë dot në harkun e dy muajve është fakti se, këtë vit, tregu do të jetë i mbytur me lodra për fëmijë, si asnjëherë më parë.

Shkruar Nga
More from Revista User

Zbulohet plani i dy terroristët kosovarë për ndeshjen në Shkodër

Prokuroria për Krimet e Rënda, pritet ti dërgojë letër porosi autoriteteve kosovare,...
Read More