“Trafik si në filma”: Si u alarmua Franca pas lirimit të Domart Konjarit

 
 

Dy vjet më parë, Domart Konjari, i dënuar me dhjetë vite burg në Francë për trafik ndërkombëtar droge, u lirua nga gjykata në Shqipëri për shkaqe procedurale. Ai u dënua në mungesë në Francë, kurse autoritetet thanë se ai drejtonte një bandë mafioze të frikshme. 

Para disa kohësh, në Holandë grupit të tij i ishte kapur një ton kokainë. Një hetues tha se historia e bandës së tij është si në filma. Ata bënin një jetë luksoze në Majemi, kurse pas kontrolleve iu zbulua aq armatim, sa mund të bënin një luftë. Ambasada franceze në Tiranë i dërgoi në vitin 2016 një letër autoriteteve më të larta shtetërore ku ngre alarmin për lirimin nga gjykata të Domart Konjarit. Në letër thuhej se Franca ka shpenzuar miliona euro për hetimin e Konjarit ndërkohë që Shqipëria nuk ka respektuar Konventën Europiane për ndihmë të ndërsjelltë gjyqësore në fushën penale.

Në letër ngrihet shqetësimi kryesor për vendimin e Gjykatës së Apelit më 14 mars për heqjen e masës së arrestit me burg për Konjarin. Ambasadori Bernard Fitosussi e kundërshton lirimin e tij, pasi Konjari është i dënuar në Francë për vepra të rënda penale.

“Domart Konjari është dënuar në mungesë më 13 nëntor 2015, nga Gjykata e shkallës së parë e Rennes të Francës me 10 vjet burg, nga të cilat nuk mund të bëjë më pak se gjashtë vite burg, me ndalim të përhershëm në territorin francez, dhe me një gjobë prej 2,6 milionë eurosh,” thuhet në letrën e ambasadorit Fitoussi.

Për të provuar këtë, ambasada franceze thekson se, pas arrestimit të Konjarit në nëntor të vitit të kaluar, në Shqipëri ka mbërritur një dokument prej 34 faqesh që janë produkt i një hetimi të imtësishëm të autoriteteve franceze që prej vitit 2011.

Ndër akuzat që rëndojnë mbi Konjarin dhe që përmenden në letrën e ambasadorit janë: import, mbajtje, transport, tregtim i drogës, krijim i një grupi kriminal, dhe pastrim parash nga trafiku i drogës.

“Ai është i njohur si drejtues i një rrjeti ndërkombëtar trafiku kokaine, aktiv në më shumë se gjashtë vende, rrjet ku janë të përfshirë dyzetë e pesë persona nga pesë vende të ndryshme, mes të cilëve edhe francezë,” thuhet më tej në letër.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Sotir Qirjaqi: “Si u ndërtua parku “Rinia”, kush ishin VIP-at që e frekuentonin”

  Sotir Qirjaqi, i njohur si maratonomak, ka banuar te Shallvaret dhe...
Read More