fbpx

Mapo Format

Thirrjet me dhimbje të Medeas





               Publikuar në : 09:46 - 19/02/18 |
mapo.al

Që në fillim të hapjes së perdes, kur dëgjojmë thirrjet me dhimbje të Medeas e mbyllur në shtëpi e më pas thirrjen e gruas që shërben tek ajo, të interpretuar nga aktorja e njohur Roza Anagnosti, shfaqja të fut në një emocion të veçantë që e shoqëron spektatorin gjatë gjithë kohës.


Nga Ermira Gjata



Këto ditë të turbullta për komunitetin teatror të kryeqytetit, edhe pse zemrat e mendjet e aktorëve janë trazuar nga ngjarjet e fundit mbi ndërtimin e godinës së teatrit, përsëri shfaqjet vazhdojnë të jepen dhe madje me përkushtim më të madh. Aktorët dhe regjisorët duan t’i tregojnë publikut dhe shtetit se krijimtaria nuk rresht asnjëherë, pasi është pjesë e pandarë e shpirtit dhe e mendimit përparimtar të një kombi dhe shkon përtej veprimeve burokratike të një ministrie. Në Teatrin Kombëtar Eksperimental po shfaqet me sukses tragjedia e Euripidit “Medea”, me regji nga Dimitris Mylonas, kompozitor: Pavlo Katsivelis, dirigjent: Dritan Lumshi, koreograf: Gjergj Prevazi, kostumografia nga Sofi Kara, skenografia nga Beqo Nanaj. Në të luajnë aktorët: Luiza Xhuvani, Alfred Trebicka, Roza Anagnosti, Ahmet Pasha, Viktor Zhusti ( që ka bërë dhe përkthimin e tragjedisë), Gjergji Mena, Kristian Koroveshi, Adriana Tolka, Sara Smaja, Julinda Emiri, Alesia Xhemalaj, Franceska Hysi, Algiona Aga, Xhulia Musagalliu. Dy fëmijët: Amadeus Klevent Xhizdari dhe Rei Lika.


Që në fillim të hapjes së perdes, kur dëgjojmë thirrjet me dhimbje të Medeas e mbyllur në shtëpi e më pas thirrjen e gruas që shërben tek ajo, të interpretuar nga aktorja e njohur Roza Anagnosti, shfaqja të fut në një emocion të veçantë që e shoqëron spektatorin gjatë gjithë kohës.

Trajtimi klasik i veprës nga ana e regjisorit i ka dhënë peshë shfaqjes dhe historia e zhvillimit të ngjarjes rrëfehet me mjaft emocion, që vjen duke u rritur. Këndvështrimi regjisorial ka bërë që të shohim një Medea në tërë kompleksitetin e saj si bashkëshorte, si nënë dhe si femër që kërkon personalitetin e saj dinjitoz në një shoqëri ku meskiniteti mashkullor e përdor si vegël dhe si seks të dobët. Për hir të këtij mentaliteti, Medea, një grua pasionante e plot energji, ka mbetur vetëm. Për të qartësuar më tepër po përshkruaj pak historinë e pjesës tragjike. Jasoni, në marrjen e lëkurës së artë u ndihmua nga Medea, e cila e dashuruar marrëzisht me të, braktis familjen e saj dhe martohet me të. Bëjnë dy djem e jetojnë në Korint. Pas pak kohësh, mbreti i vendit, Kreonti, i premton Jasonit postin e tij pas vdekjes, me kusht që Jasoni të martohet me vajzën e tij dhe ky i fundit bie dakord. Kjo gjë e tërbon Medea, e cila jo vetëm e dashuron burrin e saj, por i kujton dhe gjithë sakrificat ekstreme që ka bërë për të. Por Jasoni tashmë e sheh si një vegël gruan e parë që e përdori për qëllimet e tij, i bëri dhe dy djem e tashmë për të është e mjaftueshme, ndaj e braktis dhe vendos të martohet me vajzën e Kreontit. Medea mbetet vetëm me dhimbjen e saj, por duke qenë grua me shumë energji dhe pasion, gradualisht dashuria i kthehet në urrejtje, që ia errëson arsyen, duke e hedhur në prehrin e hakmarrjes.

Nga mallkimet dhe veprimet e saj magjistare mbreti i Kornthit ka frikë se mos i bën ndonjë gjë vajzës së tij, ndaj vendos ta largojë nga vendi përgjithmonë, por ajo duke ju përgjëruar me lot në sy, i lutet të qëndrojë dhe një ditë dhe ai bie dakord. Në këtë kohë, Medea takon rastësisht Egjeun, mbretin e Athinës dhe i lutet që ta marrë në vendin e tij si e braktisur nga burri dhe e dëbuar nga mbreti i saj, duke e mashtruar se gjoja do t’i bëjë fëmijë, trashëgimtarë. Egjeu bie dakord dhe i jep fjalën. Kur ajo merr dhe këtë premtim vendos të realizojë hakmarrjen e saj.

I dërgon vajzës së Kreontit, gjoja si dhuratë, një vello që është e lyer me helm magjik. Nëpërmjet lajmëtarit, që vjen i tmerruar nga pallati i mbretit mësohet se vajza sapo e vuri vellon mori flakë. Në përpjekje për ta shpëtuar digjet dhe i ati, Kreonti. Ndërkohë Medea mbyllet në pallatin e saj dhe vret të dy djemtë nën thirrjet e dëshpëruara të grave të korit, që e shoqërojnë gjatë gjithë kohës tragjedinë. Jasoni i dërrmuar dhe i shkatërruar vjen të marrë djemtë e tij, por sheh Medean të hipur në një qerre të artë me dy kufomat e djemve. Ajo e kapluar nga urrejtja dhe hakmarrja i përplas në fytyrë me gjithë forcën e shpirtit të gruas së plagosur aktin e vrasjes së të bijve dhe largohet e shkon pranë Egjeut. Medea interpretohet nga aktorja e shquar Luiza Xhuvani, e cila nëpërmjet klithjeve të dëshpëruara të gruas së tradhtuar nga bashkëshorti na fut që në hapjen e perdes në një gjendje të fortë emocionale, duke na paralajmëruar se diçka e kobshme do të ndodhë. Thirrjet e saj nga brenda shtëpisë, të gërshetuara me korin e grave që qëndrojnë jashtë dhe komentojnë dhimbjen e saj janë një gjetje emocionale e shfaqjes. Medea- Luizë manifeston një grua me personalitet të trefishtë: a) e shohim si një bashkëshorte që e do burrin e saj dhe tradhtia e tij e ka fyer deri në dhimbje ; b) si femër, që e sheh veten të përdorur si vegël nga meskiniteti i mashkullit dhe egoizmi i tij; c) por dhe nga ana tjetër është një nënë që i do fëmijët e saj. Herë e shohim plot mllef e urrejtje kur flet e mallkon të Jasonin, herë të dhembshur e të dashur në marrëdhënie me fëmijët. Në përpëlitjet e saj nga njëri ekstrem te tjetri, sepse i tillë është personaliteti i saj, nga skena në skenë ajo na shpalos një Medea që herë urren, herë dashuron, herë mallkon, derisa i errësohet arsyeja dhe vendos të hakmerret. Por urrejtja e saj i kalon kufijtë e normalitetit. Duke qenë një grua plot pasione të forta ajo kërkon të hakmerret rëndë ndaj të shoqit duke e dërmuar shpirtërisht me vrasjen e gruas së re dhe të fëmijëve, pra e godet atje ku Jasonit i dhemb më shumë; në shpirt dhe në krenarinë egoiste të burrit meskin e mosmirënjohës. Në këtë rrugëtim të interpretimit aktoresk Luiza – Medea përfshin kaq shumë spektatorin, sa ai bëhet vetvetiu pjesëmarrës e dëshmitar i një veprimi dramatik plot emocione të forta. Me shpirtin, me zërin, me plastikën dhe me përjetimin e ngjarjeve që sa vijnë e rëndohen Luiza – Medea tregon pjekurinë e saj profesionale dhe paraqitjen dinjitoze të saj, duke shpalosur dhe njëherë talentin aktoresk. Dhe Alfredi- Jason nuk mbetet më mbrapa për sa i takon angazhimit të tij aktoresk e krijimit të figurës plot pasion dhe energji. Vetë autori, Euripidi e ka lënë pak në hije këtë figurë, megjithatë, kur është fjala për t’u përballur me ngjarjet e forta ku ai është i pranishëm, aktori përgjigjet bukur profesionalisht dhe të emocionon. Aktorja e shquar Roza Anagnosti më ka pëlqyer jashtëzakonisht në këtë shfaqje, ku ajo përballon një rol që kërkon një impenjim të fortë emocional. Me zërin e saj që vjen nga thellësia e shpirtit të tronditur nga ngjarjet në skenë aktorja tregon dhe njëherë forcën e talentit të saj që të rrëmben e të bën për vete. Do të veçoja në shënimet e mia dhe interpretimin plot pasion e energji të një aktori të ri, Kristian Koroveshi, që në rolin e lajmëtarit dhe rrëfimin e ndodhisë në pallatin e mbretit mbi djegien nga velloja të nuses së re të Jasonit, e bëri spektatorin që jo vetëm “ta shohë” ngjarjen, por dhe të tronditet e emocionohet. Vajzat, me në krye Adriana Tolkën, që përbëjnë korin meritojnë një lëvdatë të veçantë, sepse s’është e lehtë të harmonizohesh në një tonalitet, në një fjalë, në një lëvizje fizike në skenë, në funksion të një qëllimi të caktuar. Kori i vajzave i përballon denjësisht në mënyrë emocionale momentet dramatike, drejtuar me mjeshtri nga koreografi Gjergj Prevazi, i cili tregoi edhe njëherë profesionalizmin e tij të lartë artistik. Po ashtu dhe aktori i shquar Viktor Zhusti ka krijuar një figurë dinjitoze të mbretit të Korintit. Ahmet Pasha shpalosi dhe njëherë vlerën dhe eksperiencën aktoriale në rolin e Plakut. Dhe Gjergj Mena me zërin e posturën e tij të lartë i shkonte përshtat rolit të Egjeut, që e përballoi me profesionalizëm aktoresk. Por edhe dy fëmijët e vegjël qëndronin denjësisht në skenë, duke u përpjekur dhe mbështetur veprimin skenik dhe emocionuar spektatorin me pafajësinë e tyre. Si skenografia edhe kostumet e muzika ishin të kuruara me profesionalizëm të veçantë dhe ishin në funksion të idesë së shfaqjes, duke plotësuar harmonizimin e elementeve skenike që përbëjnë një shfaqje të përmasave të tilla. Regjisori kishte krijuar një shfaqje ansambël, ku çdo element ishte në funksion të idesë, i qartë, i besueshëm dhe plot emocion.



Pas