Terrorizoi Gjirokastrën: Si e vrau RENEA ushtarin ekstremist grek

Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në Bularat të Gjirokastrës, ku Kostandinos Kaçifas pasi qëlloi me armë ndaj policisë lokale u asgjësua në rrethim nga efektivët e Repartit RENEA. Kush ishte 35-vjeçari pjesëtar i forcave ushtarake greke që bënte thirrje për “Vorio Epirin”. Grekët protestojnë dhe “rrethojnë” Ambasadën Shqiptare në Athinë. Ministritë e Jashtme respektive luftë me deklarata. Rama: I fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë.

Vritet nga Forcat Speciale RENEA ekstremisti grek 35-vjeçar që terrorizoi banorët dhe qëlloi ndaj forcave të Policisë së Gjirokastrës. Ngjarja e pazakontë ndodhi dje në fshatin Bularat të Gjirokastrës, ku Kostandinos Kaçifas planifikoi një akt terrorist, që u mbyll vetëm me humbjen e jetës së tij. Sipas dëshmitarëve dhe burimeve të policisë, rreth orës 10:00 ndërsa mbaheshin homazhe në nder të ushtarëve grek të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kaçifas nisi të qëllonte në ajër, më pas armën kallashnikov e drejtoi mbi forcat e policisë së Gjirokastrës. Fatmirësisht asnjë nga efektivët nuk u lëndua, por u rrezikuan seriozisht, pasi disa nga plumbat depërtuan në automjetin e tyre. “Shtetasi Kaçifa ka vijuar të qëllojë kundër forcave speciale për gati 30 minuta, duke rrezikuar seriozisht jetën e policisë. Në kundërpërgjigje, të forcave speciale gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi Kostandinos Kaçifa. Në vendngjarje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë automatike, model kallashnikov, dy karikatorë municioni, një çantë me fishekë luftarakë, si dhe 31 gëzhoja. Në banesën e shtetasit Kaçifa u sekuestrua edhe një uniformë kamuflazh”, pohon zyrtarisht Policia e Shtetit. Po sipas policisë, 35-vjeçarit i është bërë thirrje e vazhdueshme me megafon që të dorëzohej. Duket se qëllimi i Kaçifas, me shtetësi greke por i lindur në fshatin Bularat të Gjirokastrës, ishte që të realizonte aktin terrorist mbi forcat e policisë shqiptare. Këtë e kishte paralajmëruar edhe në një postim në rrjetet sociale, ku shprehte mllefin ndaj Shqipërisë dhe ishte pjesëtar i organizatës ekstremiste të “Vorio Epirit”. Përgatitja e tij ushtarake (mendohet të ketë qenë pjesë e Forcave Speciale greke), duket se e ka ndihmuar të krijojë terror, por fundi ishte vrasja e tij nga policia shqiptare. Menjëherë pas ngjarjes reagoi Ministria e Jashtme e Greqisë që ka kërkuar hollësi dhe hetime të thelluara mbi atë që ndodhi, duke këmbëngulur se: “është e papranueshme që të arrihet në një pikë humbjeje të jetëve njerëzore”. Në orët e mbrëmjes “lufta” ka kaluar mes politikës shqiptare dhe asaj greke dhe mbajti qëndrim edhe kryeministri Edi Rama. “Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falenderimin e Zotit, që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste”, deklaroi kryeministri Rama në reagimin e tij. Pavarësisht qëndrimit zyrtar, ngjarja është konsideruar si akt terrorist, me qëllime ekstremiste nga ana e organizatës që përfaqësonte 35-vjeçari grek. Me qindra protestues kryesisht nga ekstremi i “Agimit të Artë” protestuan para Ambasadës Shqiptare në Athinë mbrëmjen e djeshme. Një pjesë e medias në Greqi kanë hedhur dyshime se gjithçka ndodhi pasi policia shqiptare uli flamujt grek. Por një pretendim i tillë rrëzohet plotësisht nga pamjet filmike të sjella nga fshati, ku flamujt qëndronin në çdo cep të zonës. Edhe pse në dukje një ngjarje e veçuar, qëllimet e 35-vjeçarit grek në sulmin me armë ndaj policisë sonë mund të ketë qëllime të tjera, për të krijuar tension mes dy vendeve.

Plani për sulmin

Asgjë nuk ka qenë e rastësishme për 35-vjeçarin Kaçifa, që një javë më parë ka mbërritur në fshatin Bularat të Gjirokastrës. Në faqen e tij në “Facebook” Kaçifas bën thirrje për t’u bashkuar në “kauzën” e tij. “Rama dhe Tsipras bëjnë plane pa të zotët e shtëpisë. Për një gjë të jeni të sigurt. Rinia e Vorio Epirit nuk do të qëndrojë spektatore. Thirren të gjithë grekët e Vorio Epirit që në 28 Tetor të dërgojnë një mesazh në çdo anë. Grek ose vdekje!”, shkruan Kaçifa në një nga postimet në faqen e tij në Facebook. Data 28 erdhi dhe 35-vjeçari vendosi të realizojë planin i veshur me uniformën ushtarake greke dhe i pajisur me automatik kallashnikov, dy karikatorë dhe një çantë me fishekë. Mendohet se përgjatë gjithë natës të së shtunës ka vendosur flamuj grek në çdo zonë të fshatit. Teksa përfundoi ceremonia që mbahej në fshat dhe merrnin pjesë zyrtarë grek dhe shqiptarë, Kaçifa nisi të qëllojë fillimisht në ajër dhe banorëve të zonës u bëri thirrje të futeshin nëpër shtëpitë e tyre. Duke parë veprimtarinë e 35-vjeçarit ai ka një numër të madh postimesh dhe qëndrimesh antishqiptare. Gjithashtu, vë në pah organizatën ekstremiste të “Vorio Epirit” dhe të partisë së ekstremit të djathtë “Agimi i Artë”. Gjatë kontrollit të ushtruar pas ekzekutimit, policia i sekuestroi armën automatik kallashnikov, dy karikatorë dhe qindra fishekë, çka nënkupton planifikimin e detajuar të sulmit me armë. Banorët e fshatit Bularat kanë konfirmuar sulmin me armë nga ana e 35-vjeçarit, por janë shprehur se e njihnin për njeri të qetë. Faktet treguan se përgatitja e tij ushtarake dhe ithtar i organizatave ekstremiste greke kishin për qëllim sulmin ndaj punonjësve të policisë sonë dhe më pas arratisjen drejt Greqisë. Pasi qëlloi dhjetëra plumba drejt efektivëve të policisë lokale dhe Forcave Speciale RENEA, Kaçifa u vra në shkëmbim zjarri, duke mos e realizuar qëllimin e tij ekstremist.

Ministritë e jashtme, “luftë” me deklarata

Ndërsa policia shqiptare dha detaje nga ngjarja, duke treguar të gjithë kronologjinë e ngjarjes Ministria e Jashtme e Greqisë reagoi duke nënkuptuar dënimin e vrasjes së 35-vjeçarit dhe kërkuar që ngjarja të zbardhej sa më parë. “U njoftuam se gjatë përplasjes së armatosur me policinë, humbi jetën shtetasi grek. Shprehim keqardhjen tonë dhe ngushëllimin për familjarët e shtetasit grek në çdo rrethanë. Është e papranueshme që të arrihet në një pikë humbjeje të jetëve njerëzore. Ne presim që autoritetet shqiptare të sqarojë plotësisht rrethanat në të cilat ky qytetar grek ka humbur jetën dhe do të ndërmerren menjëherë veprimet e nevojshme”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Ministrisë së Jashtme greke. Në deklaratën dukshëm të nxituar, ministria e Jashtme greke nuk përmend sulmin me armë ndaj strukturave të rendit në Shqipëri, por përqendrohet vetëm në ekzekutimin e 35-vjeçarit me shtetësi greke. Pak orë pas këtij qëndrimi zyrtar, reagoi në një deklaratë për mediat edhe Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë. “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, bashkë me keqardhjen për ngjarjen e ndodhur sot në Bularat, Gjirokastër, ku humbi jetën shtetasi Konstandinos Kacifa, shpreh po ashtu keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj. Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare. Policia e Shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e djeshme në zonë dhe një rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar”, -thuhet në reagimin e Ministrisë sonë, madje ka shprehur zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila “jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për humbje jete të papranueshme”, -mbajti qëndrimin zyrtar Ministria jonë e Jashtme. Gjithashtu, ka bërë thirrje për maturi, teksa shton se: bëjmë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti, sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurt e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke”, thuhet në reagimin e Tiranës zyrtare. Tashmë kjo ngjarje nuk pritet të mbetet vetëm në kuadrin e deklaratave, pasi mund të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Agresionin me armë nga një ekstremist, pala greke nuk e përmend, por ndalet vetëm në humbjen e jetës së tij, duke e konsideruar si të papranueshme. Ndërkohë zyrtarisht policia dhe qeveria shqiptare dënojnë aktin e sulmit me armë ndaj policisë sonë nga ekstremisti 35-vjeçar me shtetësi greke.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Relaks dhe verë: Rama darkon në shtëpinë e Thaçit në krah të Haradinajt

Atmosferë e relaksuar duket të ketë qenë ajo e të dielës mbrëma...
Read More