Teknologjia – minimizon problemet e zgjedhjeve

Roland LamiNga Roland Lami*

Në shkencat sociale prej shumë kohësh vazhdon debati mbi mënyrën se si mund t’i përqasemi studimit të një fenomeni social. Disa autorë mbrojnë pikëpamjen se çështjeve sociale duhet t’i përqasemi në mënyrë të përgjithshme dhe shteruese duke njohur të gjitha dimensionet e saj me qëllim, zbulimin e mundësive për ta zgjidhur problemin. Kjo formë mendimi synon ta rimodelojë “tërë shoqërinë” sipas një plani apo projekti të përcaktuar, ta zgjidhë atë në mënyrë përfundimtare. Kjo qasje është etiketuar nga epistemologu Karl Poper si “inxhinieri holiste ose utopike”. Ndërsa një pjesë tjetër autorësh, i përqasen problemit në mënyrë të pjesshme. Kërkojnë të njohin elementet që e shkaktojnë problemin me synim ndërhyrjen e pjesshme dhe minimizimin e pjesshëm të dimensioneve të problemit. Përfaqësuesit e këtij mendimi mbrojnë idenë për rregullime të pjesshme dhe përmirësime graduale të situatës. Kjo qasje sipas Poper-it etiketohet si “inxhinieri shoqërore”.

Mbi këto dy logjika, strukturohet debati për çështjen e zgjedhjeve ndërmjet pozitës dhe opozitës. Le t’i ilustrojmë këto dy qasje duke iu referuar në fillim problemit për të kuptuar dimensionin e tij dhe me pas të shikojmë se si palët i qasen zgjidhjes së saj.

Raporti i OSBE/ ODIHR -it të 2013 ka prekur aspekte të caktuara të keqfunksionimit të organeve që administrojnë zgjedhjet duke filluar nga komisioni i nivelit të lartë ( KQZ-ja) deri te komisionet e niveleve më të ulëta siç janë KZAZ-të, KQV-të dhe grupet e numërimit të votave. Ne po ndalemi vetëm te komisionerët e nivelit të ulët dhe grupet e numërimit për të evidentuar dimensionet e problemit. Misioni i Vëzhgimit Ndërkombëtar të Zgjedhjeve raportoi pranin e personave të paautorizuar që ndërhynin dhe drejtonin procesin në shumë prej tyre. Pra, sipas këtij raporti rezulton se në shumë vende të numërimit të votave komisionerët kanë qenë nën presionin e këtyre personave. Sa mund të këtë influencuar kjo gjë në procesin e numërimit mbetet e vështirë për t’u përllogaritur, por problemi mbetet ama. Transparenca e procesit të numërimit u vlerësua negativisht në disa VNV. Vëzhguesit vendës, partiakë dhe jopartiakë u penguan të vëzhgonin procesin. Kjo gjë krijoi vështirësi në monitorimin e procesit të numërimit dhe ndoshta të parregullsive që mund të jenë bërë gjatë këtij procesi. Raporti prek edhe një aspekt tjetër që ka të bëjë me shkallën e kualifikimit të komisionarëve. Më konkretisht, gjatë zhvillimit të zgjedhjeve disa komisionarë në disa KZAZ shfaqën një mungesë të theksuar profesionalizmi në administrimin e procesit, si pasojë e mospërfshirjes në proceset përgatitore trajnuese para zgjedhjeve apo zëvendësimin e tyre ditën e zgjedhjeve. Kjo gjë solli shfaqjen e parregullsive në disa KZAZ dhe KQV. Së fundmi në raport thuhet se një pjesë e komisionerëve krijuan probleme teknike dhe procedurale të panevojshme në mes të të cilave mund të veçojmë përdorimin e bojës, mosnumërimin e disa kutive ose mospërfshirja e rezultateve në tabelat agregate, lejimi i votimit familjarë, largimin nga qendra e numërimit duke marrë vulën me vete. Këto probleme të konstatuara në çdo palë zgjedhje nxisin palët politike që të mendojnë për të gjetur zgjidhjet. Pikërisht, aspekti që ka të bëjë me mënyrën e zgjidhjes i ka diferencuar palët nga njëri-tjetri.

Qeveria i qëndron logjikës së krijimit të kulturës së ndëshkimit ku komisionarët që guxojnë të shkelin ligjin të përballen me organet e drejtësisë. A është e mjaftueshme kjo gjë? E shtrojmë këtë pyetje pasi po t’iu referohemi zgjedhjeve të 2009 dhe 2013 do të vërejmë një numër të konsiderueshëm që iu nënshtruan hetimit të prokurorisë, madje disa prej tyre u penalizuan nga organet e drejtësisë. Pra, precedenti i hetimin apo i penalitetit pavarësisht masave të dënimit ka ekzistuar ndërkohë që shkelja e ligjit nga ana e komisionarëve vazhdon të përsëritet. Kjo sjellje shpjegohet me influencën e mbështetjes politike që gëzojnë këta komisionerë për të ndërmarrë të tilla sjellje, fiktivitetin e prokurorisë, raportin e zhdrejtë ndërmjet shpërblimit që sigurohen nga shkelje të tilla në raport me gjobën ose ndëshkimin, shkalla e ulët e njohjes dhe zbatimit të ligjit, mungesa e eksperiencës në disa raste etj. Pra, kërkohet një ndërhyrje holite, shumë faktoriale që të minimizohet fenomeni në fjalë.

Ndërsa opozita duke kuptuar kohën e gjatë dhe ndërhyrjet e shumëfishta që nevojiten ofron një zgjidhje specifike. Ofrimin e teknologjisë si një mënyrë për të zgjidhur problemin në kohë afatshkurtër. Votimi elektronik sipas specialistëve të IT është tërësisht i mundur. Futja e kësaj teknologjie do të zëvendësonte komisionerët duke eliminuar disa nga problemet, të lidhura kryesisht me kartat e identitetit, lista zgjedhore, numërimin e komisionerëve, eliminimin e rezultatit të procesverbaleve që nuk korrespondojnë me numrin real të fletëve të numërimit etj. Me këtë variant, teknologjia shmang komisionerët në disa momente të rëndësishme të procesit zgjedhor duke minimizuar ndjeshëm influencën e tyre në proces. Megjithatë dhe kjo masë nuk eliminon plotësisht rolin e tyre në disa faza të tjera të zgjedhjeve apo forma të sofistikuara manipulimi siç janë ndërhyrjet nëpërmjet hakerave, por përmasat e problemit mund të jenë shumë më minimale në raport me formulën aktuale të procesit të votimit dhe administrimit të zgjedhjeve. Aq më shumë, nëse kjo masë shoqërohet edhe me një marrëveshje ku palët politike shprehin vullnetin për të hequr dorë nga tentativa për të ndërhyrë në të gjithë procesin zgjedhor atëherë garancitë për një standard zgjedhor shumë më cilësor rriten ndjeshëm.

*Pedagog UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Korrik 1990: Skenari i Ramiz Alisë për ikjen e ish të burgosurve politikë drejt Francës?!

Historia e peticionit që shkoi në burgun e Burrelit për t’u firmosur,...
Read More