Të mbrojmë liberalizmin nga puritani sapo Edi Rama

Nga Ervis Iljazaj

Po të dëgjosh gjuhën politike të përdorur në ditët e fundit nga Kryeministri Rama, por jo vetëm, të krijohet ideja se je duke dëgjuar një meshë në ndonjë kishë çfarëdo në Shqipëri.

Me fjalime të tipit, do t’iu çojmë grave burrat në shtëpi, kurseni paratë mos i lini bixhoz, apo fjalime që kanë si objekt predikime të tilla shoqërore e morale, të duket sikur kemi të bëjmë jo me politikanë, por, me priftërinj publikë.

Në fakt një gjuhë e tillë, që kërkon të edukojë ndërgjegjen e gjithsecilit dhe mënyrën se si përdoret liria individuale, është një derivë pothuajse e rrezikshme e gjuhës publike politike, e cila nuk ka si detyrë të edukojë qytetarët, por të zhvillojë politika me qëllimi zhvillimin shoqëror dhe ekonomik duke ruajtur lirinë individuale të gjithsecilit.

Shoqëria shqiptare nuk ka nevojë për politikanë edukatorë, por, për politikanë që garantojnë dhe sigurojnë lirinë dhe vendimmarrjet e gjithsecilit. Sigurisht, duke siguruar që liria individuale të mos dëmtojë lirinë e të tjerëve.

Historia politike e njerëzimit, ka njohur shumë edukatorë të mëdhenj të popullit. Edukatorë që për hir të së vërtetës moralitetin, e kanë përdorur vetëm për pushtetin e tyre dhe në dëm të shoqërisë dhe lirisë.

Të gjitha iniciativat politike të qeverisë në kohët e fundit, kanë të bëjnë me nisma që kanë si synim moralizimin e jetës individuale. Në pamje të parë, duken si politika të duhura dhe që gjejnë konsensus të gjerë, por shkojnë drejt një rruge, krijojnë problem në marrëdhëniet midis lirisë dhe pushtetit.

Në këtë kuptim, Edi Rama në kohët e fundit, është kthyer në një edukator publik të qytetarëve të tij. Një lloj paternalizmi, i cili kërkon të edukojë ndërgjegjen e çdokujt. Mirëpo, një mënyrë e tillë e politikëbërjes, me vendime radikale kundër lirisë, qoftë edhe kur ajo sjell efekte kolaterale dhe dëme shoqërore, është një politikë jo e drejtë dhe me tendenca për të rritur oreksin autoritar.

Me sa duket, vetë Edi Rama është konvertuar nga një antikonformist, ashtu sikurse të gjithë e kemi njohur deri më tani, në një puritan. Mund ta quajmë pa frikë, puritani sapo Edi Rama.

Kështu që, mbrojta e lirisë, kundër puritanizmit, është kusht thelbësor për të patur një shoqëri të lirë dhe demokratike.

Prandaj, të gjitha vendimet e marra nga qeveria kohët e fundit, janë vendime të tipit moralist dhe populist. Vendime që bëhen vetëm për të fituar konsensus popullor, por, që janë indicie të vendosjes së një ndalimi lirie e cila duhet me patjetër të evitohet.

Kudo në vendet e lira, me siguri, ajo sjell dhe efekte negative. Kudo që ka liri, ka kriminalitet, ka vese të ndryshme si prostitucioni apo bixhozi. Vetëm në vendet totalitare apo vende që qeverisën sipas parimeve fetare, nuk ekzistojnë vese të tilla shoqërore. Për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse nuk ekziston liria individuale.

Prandaj, efektet kolaterale që sjell liria, nuk shmangen duke bllokuar me vendime radikale atë, por, duke menaxhuar dhe kontrolluar sa më shumë të jetë e mundur pasoja negative që ajo sjell. Duke bërë të mundur në këtë mënyrë, reduktimin e kostove shoqërore të lirisë.

Kjo është e vetmja mënyrë me të cilën operojnë vendet e lira. Mënyra tjetër, e vendimeve radikale dhe ndalimi i lirisë individuale, për hir të ndalimit të efekteve negative që sjell ajo, është e rrezikshme.

Nëse doni një vend pa bixhoz, pa prostitucion, pa kriminalitet apo vese të tjera, e gjeni vetëm në diktatura dhe vende ku qeveriset nëpërmjet parimeve fetare. Në çdo vend tjetër të lirë dhe demokratik, fenomene të tilla ekzistojnë, Janë kosto që shoqëritë i pranojnë për hir të garantimit të lirisë, që është parimi kryesor për t’u mbrojtur. Nëse do të ishte ndryshe, atëherë, do të duhej të ndalohet alkooli dhe duhani, të cilat janë dy vese të tjera, që shpesh shkatërrojnë familjet dhe persona më shumë se sa bixhozi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Botimi i kolanës nga ISKPK: Rezistenca komuniste, e shkruar nga ata që nuk jetojnë më

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në ditën simbolike...
Read More