fbpx

Editorial

Takimi Meta-Basha, si korrektim i atij Rama-Basha





               Publikuar në : 09:56 - 13/06/16 |
mapo.al

Fitim ZekthiNga Fitim Zekthi


Takimi mes kryetarit të opozitës, Lulzim Basha dhe kryetarit të kuvendit, Ilir Meta, është duke mbajtur ende gjallë negociatën për të gjetur një marrëveshje për Reformën në Drejtësi. Ky takim, gjithashtu, mund t’i kursejë vendit një sjellje jo thjesht të shëmtuar të kërkimit të votave te deputetë të opozitës kundër vullnetit politik të saj, por edhe një sjelljeje krejtësisht jo demokratike të miratimit të ndryshimeve kaq të rëndësishme kushtetuese, duke blerë deputetë apo duke iu ushtruar atyre presion politik nga cilido drejtim qoftë.



Takimi mes Bashës dhe Metës nuk solli rezultat konkret në lidhje me pikën kyçe të  mosmarrëveshjes për Reformën në Drejtësi – atë të vendeve të rezervuara për opozitën në Këshillin e Lartë Gjyqësor – por provoi se forca apo entitete që duan të negociojnë ka ende. Deri më tani është krijuar ideja se kryeministri dhe partia socialiste e dëshirojnë me forcë një reformë të sistemit të drejtësisë, në mënyrë që korrupsioni në gjyqësor dhe prokurori të marrë fund.


Është krijuar gjithashtu, ideja se opozita është pengesa themelore ndaj kësaj reforme dhe ajo po përpiqet ta  prishë atë me çdo mjet. Pa hyrë në historinë e hartimit të projektit të reformës dhe as në analiza mbi mënyrën se si shumica dhe opozita sillen me gjyqësorin, se si e respektojnë ligjin, se si e shohin të drejtën në veprimtarinë  e tyre të përditshme, po themi se e vërteta  nuk është kurrë në ekstreme dhe sigurisht nuk mund të jetë në këtë rast. Pas takimit Rama-Basha, kryeministri tha se ai vetë asnjëherë nuk kishte menduar se PD e do Reformën në Drejtësi.

Edhe opozita ka thënë vazhdimisht se njeriu që po e pengon reformën, është në të vërtetë, kryeministri Rama. Për dështimin e takimit Rama–Basha u fajësua opozita dhe kreu i saj, Basha. Pati edhe zëra të tjerë që thanë se kryeministri dhe shumica u treguan fleksibël dhe opozita e Basha u treguan intransigjentë. Profesoresha kanadeze e Reva Seth, një nga studiueset më të njohura të teorive të negocimit, thotë se një parti është e lirë të negociojë për të arritur një marrëveshje dhe nuk është përgjegjëse për dështimin.

Përgjegjëse është një parti që negocion me besim të keq ose përkeqëson apo ndërpret negociatën si pasojë e këtij besimi. Kjo është përgjegjëse sepse  pengon marrëveshjen dhe i shkakton dëm partisë tjetër, grupit tjetër dhe atyre që ajo përfaqëson. Besimi i keq, thotë Reva Seth, ka të bëjë me të futurit në një negociatë ose me vazhdimin e saj, me qëllim për të mos arritur një marrëveshje. Është e qartë se në këtë kuptim, nuk mund të thuhet se kryeministri Rama dhe partia socialiste nuk janë përgjegjës për dështimin dhe se përgjegjësia për këtë i takon opozitës dhe Bashës.

Askush nuk mund të gjykojë me saktësi  mbi qëllimet, por fakt është se kryeministri doli nga takimi me Bashën dhe tha se i vjen keq që nuk e bindi opozitën. Pra, ai kishte hyrë në atë takim jo për negociatë, por për të bindur kundërshtarin sepse e vërteta e tij ishte fundore. Pra, qëllimi ishte të negociohej për të mos arritur një marrëveshje. Basha, nga ana e tij, vijon të thotë se nuk mund të ketë reformë pa opozitën, se vendet e rezervuara janë një mekanizëm i pranuar nga  ekspertët ndërkombëtarë, se sistemi i drejtësisë mund të bjerë në dorën e shumicës, qeverisë dhe kjo do të ishte kriminale.

Edhe sikur të jetë gabim, pandehma e Bashës se reforma në mënyrën se si është menduar e çon atë në duart e kryeministrit, ai nuk mund të jetë kurrë përgjegjës për dështimin e takimit, pasi nuk mund të thuhet se frika për uzurpimin e një pushteti jetik si drejtësia nga qeveria është besim i keq dhe shtysë për të shkuar në negociata për të mos arritur marrëveshjen.

Tërë thelbi i demokracisë është i lidhur me dëgjimin e opozitës, pasi aty gjendet parimi kryesor i mbrojtjes ndaj asaj që Tocqueville dhe John Stuart Mill e denoncuan si tirania e shumicës. Opinioni i shumicës mund të jetë i gabuar; dëshirat e shumicës mund të jenë djallëzore, fuqia e shumicës mund të jetë e rrezikshme, thotë Roger Scruton, një nga filozofët më të mëdhenj të gjallë. Ka diçka më të rëndësishme se sa shumica, ky është saktësisht personi që nuk bie dakord me të. Ne duhet ta mbrojmë këtë person. Ai është i vetmi që mund të ngrejë pyetjen, të cilën askush nga turma nuk dëshiron ta dëgjojë dhe që është pyetja, nëse ajo (turma) është në anën e drejtë, thotë Scruton.

Pra, në këtë rast, Basha dhe opozita nuk mund të anashkalohen dhe nuk mund të fajësohen se dështuan reformën. Takimi Basha-Meta mund të rregullojë pikërisht këtë gjë. Ai i jep mundësinë kryeministrit të dëshmojë plotësisht se nuk hyn në negociatë me besim të keq dhe iu jep mundësinë të gjithë atyre që i gjetën menjëherë fajtorët për dështimin, të shohin se dështimi ka edhe shkaqe të tjera.

Takimi Meta-Basha, tregoi se Meta mund të luajë një rol, të cilin e ka për detyrë të luajë: të korrigjojë nga brenda sjelljen e qeverisë. Meta ka fuqinë dhe përgjegjësinë për këtë gjë. Në qoftë se nuk e luan këtë rol, atëherë ai është asgjë, është një zgjatim pa vlerë i shumicës. Edhe Rama ka nevojë dëshpëruese për këtë rol të Metës.



Pas