Tahiri merr Tim Judah si dëshmitar të lazaratëzimit të Shqipërisë

Alfred Lela

Tim Judah është gazetari i revistës së përjavshme The Economist, korrespondent i Ballkanit për prestigjiozen britanike. Pak shqiptarë e njohin Judah, kjo jo vetëm për faktin se The Economist ruan rregullin që gazetarët nuk i vënë emrat përkye a përfund shkrimeve, duke i dhënë kështu çdo artikulli fuqinë e një editoriali. Revista ruan, që prej krijimit, një tendencë të djathtë që sheh te liria e tregjeve dhe sipërmarrja, mënyrën se si duhet të funksionojë bota. Kjo nuk e ka penguar The Economist për të mbështetur edhe presidentë të majtë si Obama, përkundër konservatorit Mitt Romney (por jemi në kontekste të tjera kulturore ku, së pari ‘e djathta’ mund të përkufizohet dhe, së dyti, përcaktimi i çfarë është e djathtë është ideologjik dhe jo partiak e militantesk).

But this beyond the point, do të thoshte Tim Judah.

Ai nuk do të ishte bërë lajm nëse Sajmir Tahiri, ministri i Brendshëm nuk do të ish munduar që me anë të tij të propagandonte ‘luftën kundër drogës’. E cila në rastin më të mirë është imagjinare, dhe në rastin më të keq është një përpjekje për të mbuluar ‘mëkatin’ e përfshirjes së strukturave të policisë me aksione pr-i.

Duhet sqaruar megjithatë fakti se z. Judah është në Shqipëri në kapacitetin e një të dërguari të The Economist dhe jo si i ftuar i ministrit të Brendshëm. Megjithëse z. Tahiri është munduar të gjejë te z. Judah Alaistar Campbellin e vet, shkrimi i tij që do të dalë në një prej numrave vijues me gjasë do ta përgënjeshtrojë këtë përpjekje.

Gazetari britanik nuk ka takuar vetëm ministrin e Brendshëm në hulumtimet për shkrimin me temë kanabisin, por edhe përfaqësues të medias, shoqërisë civile si edhe të opozitës.

Dy shenja janë ndoshta më domethënëset në sindromën e kanabisizimit të Shqipërisë. E para, aksionet e ndërmarra së fundmi nga policia dhe ministri i Brendshëm janë paradoksale në atë se deri para pak dhe vazhdimisht, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe vetë z. Tahiri e mohonin forcërisht ‘lazaratëzimin’ e Shqipërisë. Madje ministri fliste me patos dhe e theksonte si sukses të rrallë e të jashtëzakonshëm futjen në fshatin rebel të drogës dhe ‘marrjen’ e tij. Sajmir Tahiri, shkonte te legjenda e propagandës qeveritare, kishte ‘thyer’ Lazaratin dhe ‘delazaratizuar’ Shqipërinë. Mijëra rrënjët e shkulura dhe qindra parcelat e mbira papritur në trupin e Shqipërisë e përmbysën këtë fabul.

Propaganda, dihet, kërkon një fabul të re, të fuqishme, bindëse dhe me ngjyra për të krijuar maskën e vet të re, sapo një e vjetër fundoset. Dhe, lufta kundër kanabisit (bash atij që nuk ishte) është beteja e re e z. Tahiri. Të fotografuarit përkrah gazetarit të The Economist është njëfarë autografi mbi lavdinë e re.

Ndoshta z. Judah është informuar dhe e ka bërë pyetjen vijuese, por ka vlerë që ajo t’i përsëritet z. ministër të Brendshëm. Ndër të arrestuarit për parcelat e bastisura të drogës, a numërohen vetëm hyzmeqarë apo edhe ndonjë kapo? Te përgjigja e kësaj qëndron edhe shenja e dytë e sindromës së kanabisizimit të Shqipërisë, që dëshmon ‘cilësinë’ në vend të sasisë së frontit të ri të luftës (imagjinare) që ka hapur Tahiri.

Nuk e di a e ka takuar Judah z. Koço Kokëdhima, ish-deputet i PS, ndoshta i vetmi socialist i sinqertë në raport me çështjen e kanabisit. Ai u vu dikur në krye të një fushate për legalizimin e kanabisit, d.m.th futjes së zinxhirit të kultivimit, vjeljes dhe shpërndarjes në ekonomi. Çka kërkonte Kokëdhima ka ndodhur ndërkohë, por në një formë tjetër: është legalizuar e drejta e disa grupeve për të patur ‘aksione të shumicës’ në industrinë ilegale e mbarëkombëtare të kultivimit të drogës.

Tim Judah do të dijë të ndaje mes faktit dhe propagandës, por paradoksi do t’i ikë. Një tjetër paradoks ndodhi dje kur ministri i Brendshëm mori më vete në aksionin e radhës anti-kabis gazetarët shqiptarë të kronikës së zezë. Raportimet dhe trysnia gazetareske duhet ta çojnë ministrin në ‘front’ dhe jo ai gazetarët.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Zoti President, studioja juaj televizive është presidenca

Nga Ervis Iljazaj* Të Mërkurën ishte i ftuar në emisionin Tonight të...
Read More