Tahiri kërkon drejtësinë mes “lutjes dhe shantazhit”

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u përball dje me gjykatën për katër akuza të rënda në një seancë maratonë prej tetë orësh. Tahiri: “Nuk bëj politikë deri në momentin kur kjo çështje që më hapi politika të mbyllet. Nuk është dhe aq e kollajtë që të jem ose jo unë kurbani”. Deklaratat e forta të ish-ministrit dhe sinjalet se nga kush e pret pafajësinë. I dyzuar mes “kërcënimit” dhe “lutjes” për të siguruar pafajësinë.

Tetë orë gjyq dhe me pamje të trishtë në dalje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u përball me seancën e parë gjyqësore në shqyrtim të dosjes së tij hetimore. Zyrtarisht, që nga dita e djeshme ai është i pandehur për katër akuza të rënda, mes së cilave trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike në kuadër të grupit të struktura kriminal, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv. “Kërkoj drejtësi, Nuk bëj politikë deri në momentin kur kjo çështje që më hapi politika të mbyllet”-tha Tahiri. Tashmë mbetet një dosje që nuk është krejtësisht ligjore, çka shton dyshimin se sistemi i drejtësisë thjesht do jetë “notere” e një vendimmarrjeje që më parë kalon nga ekzekutivi. Mirëpo Tahiri edhe dje u duk se po kërkonte më shumë garanci. Fakti që doli më se i rënduar, jo nga lodhja prej tetë orësh, por nga dilema mbi fatin fundor të tij, tregon se ende nuk e ka marrë fjalën e fundit, e cila vetëm proceduralisht do të përcillet me një të rënë çekani në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Përveç një lloj forme “lutet” për drejtësi, ka edhe pjesën tjetër të gjysmë shantazhit, teksa riktheu titullin e një libri të kahershëm të kryeministrit Edi Rama. “Çdo kusur që po përjetoj deri tani do ia dal deri në fund, nuk është dhe aq e kollajtë që të jem ose jo unë kurbani”-tha Tahiri, që vijoi se nuk është ai politikani që ka vrarë dhe vjedhur.

Edhe një “nder” të fundit…

I mësuar me idenë se tashmë është një figurë politikisht e djegur, minimalisht, nga partia që e lindi dhe e rriti, kërkon të marrë pafajësinë, në këtë rast jo vetëm morale, por mbi të gjitha i nevojitet ai “ferman ligjor”, atributet e së cilës i ka vetëm një njeri… Faktet kanë treguar se prangosjes i shpëtoi vetëm nga vendimi politik që mori kryeministri Edi Rama, kur udhëzoi gati në urdhërim anëtarët e komisionit të mandateve të bënin mbrojtjen e Tahirit dhe në fund me votat e mazhorancës në Parlament u refuzua urdhër-arresti i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-ministrin. Në atë botë jo shumë të largët, (tetor 2017), ish-ministri kishte një kauzë qoftë edhe të stisur për ta mbajtur, duke argumentuar se dosja e hapur ndaj tij qe sulm personal i prokurorisë që drejtohej nga Adriatik Llalla dhe i ndikuar nga pjesa politike e opozitës. Ndërsa ditën e djeshme Tahiri doli nga gjykata i rënduar dhe në nervozizëm të shfaqur ndaj institucionit të akuzës. “Unë i kërkova prokurorisë të bëjë një akuzë të saktë dhe të qartë. Prokuroria duhet të tregonte cilin veprim kam bërë unë që kam shkelur ligjin. Prokuroria nuk u përgjigj. Sot dhe tutje do të flas edhe unë. Në Gjykatë dhe për publikun. Nuk mund të jetë më një proces ku provat e ashtuquajtura trafikohen…Unë di t’ju them që ky proces i ka kapërcyer kufijtë e një maskarade. Unë nuk mërzitem dhe nuk më shqetëson asgjë nga këto. Them që do t’ia dal! E dyshoj shumë fort që ky është sistemi i drejtësisë për të cilën unë luftova”-tha Tahiri menjëherë pas përfundimit të seancës së parë maratonë. I pyetur se si ndihej kur më parë ishte cilësuar si “ministër kampion” dhe tani përballet me gjyqësorin, Tahiri u shpreh: “Unë jam prapë ministri kampion të jeni të bindur, atë që kam bërë për policinë nuk mund t’i ktheni kurrë mbrapa”. Më shumë se një “akuzë” për punën e ministrave pasardhës duket se është një formë për të mbajtur disi të ndezur një kredo publike dhe protagonizëm, çka Tahiri në katër vite si ministër i Brendshëm realisht e ka patur. Situata ka ndryshuar dhe më shumë se për të bërë analizë politike e ofruar statistika suksesi, Tahiri po përqendrohet vetëm në dosjen konkrete të akuzave të rënda ndaj tij. Për të mos rrezikuar asgjë, jo pa qëllim Tahiri dhe avokatët e tij kërkuan gjykim të shkurtuar, çka nënkupton se në rast fajësie, Tahiri përfiton 1/3 ulje dënimi. Por në lidhje me këtë kërkesë, Tahiri e ka argumentuar se kërkoi gjykim të shkurtuar në mënyrë që çështja të mos zvarritej në kohë. “Prokuroria pretendon atë që pretendon, unë kam shumë më shumë për të pretenduar. Nuk do doja të zgjatej. Do ju kërkoja kujdes të saktësoni. Do vazhdoj të argumentoj atë që kam thënë që në fillim. Nuk kam pikën e lidhjes me këtë çështje”, u shpreh ai.

Dosja, jo vetëm gjyqësore

Beteja ligjore do i takojë vetëm një grupi të vogël, gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve mbrojtës dhe të pandehurit Tahiri. Megjithatë çështja është specifikisht shumë më e thellë se një dosje rutinë dhe e bazuar mbi “prova”. Nëse çështja iu hap politikisht sipas Tahirit, ai po kërkon indirekt që ajo të mbyllet po politikisht. Forcën e vërtetë, në kontrollin e institucionit të akuzës dhe të gjyqësorit, tashmë e ka politika. Opozita dhe jo vetëm ajo prej kohësh akuzon kryeprokuroren Arta Marku si të vënë në shërbim të pushtetit të Edi Ramës, duke i mbyllur dosjet e korrupsionit dhe të aferave të shitblerjes së votave, në përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste me elementë të krimit. Nga ana tjetër, edhe gjyqësori po futet në një “vetëcensurë” sa herë shqyrton dosjet e pushtetit, pasi çështja e vettingut mbetet një gijotinë e ngritur, komanda e së cilës në disa raste duket se mbetet në duart e elitës drejtuese politike. Mesazhet e lëshuara nga Tahiri duket se janë mes një dyzimi të tij për t’u lutur në pafajësi, apo për të shantazhuar për të marrë pafajësi. Është vetëm një person që për këtë çështje dhe shumë të tjera nuk mund të thotë: “Nuk kisha gjë në dorë…”!

 

Tahiri dhe tre ish-drejtuesit e policisë në gjyq për katër akuza

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pritet të gjykohet së bashku me ish-kreun e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela dhe dy ish-vartësit e tij, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, tre të fundit ende të arrati. Gjatë seancës paraprake, prokurorët e Krimeve të Rënda, Dritan Prençi, Vladimir Mara dhe Arenc Çela argumentuan akuzat e ngritura, duke kërkuar hapjen e shqyrtimit gjyqësor. Avokati i Tahirit, Maks Haxhia kërkoi pushimin e çështjes, ndërkohë që i drejtoi gjykatës edhe një kërkesë për gjykim të shkurtuar. Pas diskutimeve mes palëve, gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Miljana Muça vendosi të pranojë kërkesën për gjykim të prokurorëve të çështjes, duke i hapur rrugën shqyrtimit gjyqësor kundër Tahirit dhe ish-zyrtarëve të policisë. Dosja penale ndaj ish-ministrit Tahiri u hap në tetor 2017, pas publikimit të disa përgjimeve të anëtarëve të grupit “Habilaj”, të cilët përmendnin emrin e Tahirit dhe aludonin se i kishin blerë dhurata. Gjatë kësaj periudhe Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka shtyrë pesë herë afatin e hetimeve, duke pretenduar se ishte në pritje të marrjes së letër-porosive nga Italia dhe Mali i Zi. Prokuroria pretendon se ka prova të mjaftueshme për implikimin e Tahirit në trafikun ndërkombëtar të drogës, duke shfrytëzuar lidhjet e tij me kushërinjtë Habilaj, të cilët dyshoheshin se prej vitesh ishin pjesë e rëndësishme e një grupi të strukturuar kriminal në trafikun e drogës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Raporti i plotë: 1100 punësime gjatë fushatës zgjedhore

Ministrat e dorëhequr kanë publikuar dje raportin e plotë prej 129 faqesh...
Read More