Studio virtuale UET: Fjala e fundit e Hollivudit në Shqipëri

Prova e studios 002Pedagogu Shpend Bengu dhe studentët e Dizajnit në UET ndërtojnë të parën studio televizive virtuale në Shqipëri

Nga Eva Drita

Kush e ka parë filmin “Hugo” të Martin Scorsese është befasues fakti që të gjitha skenat janë luajtur vetëm në një hapësirë disa metra katrorë e veshur e gjitha në një ngjyrë të gjelbër vezulluese. Përdorimi i teknologjisë 3D e ktheu këtë film në një pionier të kinemasë për mënyrën e realizimit. Studion e Martin Scorsese e gjeni sot në Tiranë, në laboratorin e multimedias të ngritur nga dega e Dizajnit në Universitetin Europian të Tiranës.

Nën kujdesin e pedagogut të Grafic-design dr. Shpend Bengu, studentët e tij kanë punuar gjatë gjithë muajve të verës për të realizuar një projekt pionier në Shqipëri, një studio të madhe virtuale.

Profesor Bengu, i njohur për idetë e tij avangardiste ka arritur të habisë sërish. Prej më se një viti ai kishte shprehur dëshirën për të krijuar diçka madhështore, diçka që askush nuk do ta kishte, përveç UET-it. Me shumë punë dhe mbështetje nga studentët e tij, profesor Bengu arriti ta kthejë në realitet, dëshirën e tij. Tashmë UET-i ka një studio televizive virtuale. I quajtur ndryshe “Laboratori i Multimedias”, kjo studio ka si qëllim të rrisë cilësinë në mësimdhënie, të ketë më shumë praktikë, kryesisht për studentët e multimedias, pasi në fund të fundit është praktika ajo që vlen. Duke dashur të dimë nëse ka ndonjë laborator të tillë në Shqipëri ai shprehet: “Jo vetëm në Shqipëri, por as në Kosovë nuk ka një të tillë, madje as dhe në universitetet botërore”. Gjithçka funksionon si një studio virtuale, ku fantazia nuk ka limit. Mund të bëhen realizime nga më të ndryshmet. Të gjitha efektet që përdor Hollivudi apo kompanitë e mëdha filmike, studentët e UET do t’i përdorin praktikisht në laboratorin e tyre. Studentët që kanë një aparat celular të kohëve të fundit, mund të zhvillojnë të gjithë idetë e tyre. Mund të realizojnë filma me metrazh të shkurtër, animacione, çfarë të duan ata. Me rëndësi në të gjithë këtë proces, rëndësi ka të kenë të qartë story-boardin, pra idenë. Çdo gjë më pas kryhet në mënyrë perfekte. Profesor Bengu shton se: “Studio është e hapur për të gjithë ata që duan të bëjnë krijimet e tyre, mjafton që të kenë të qartë idenë e tyre”.

E gjelbra e teknologjisë

I vizituar nga disa regjisorë, ky laborator është lavdëruar tepër, si një punë e shkëlqyer nga e cila priten shumë vepra të mëdha. Për të gjithë ata që pyesin: “Pse është zgjedhur ngjyra e gjelbër si sfond, ka një shpjegim logjik dhe për këtë. Profesori thotë :“Duke mos dashur t’ju futem shumë çështjeve teknike, po shpjegoj pak gjëra. Pikë së pari, kjo quhet “Chroma key”, e cila mund të ishte dhe blu. Por duke qenë se ngjyra blu është ngjyra e UET-it, atëherë ajo do të digjej automatikisht, nuk do të mund ta përdornim atë. Prandaj dhe u zgjodh “Chroma key” e ngjyrës së gjelbër. Gjëja me rëndësi është fakti që asnjë personazh nuk duhet të vijë me jeshile, sepse digjet, pasi ky quhet proces me djegie.”

Ky proces i studios virtuale, përdoret shpesh në televizionet dhe emisionet e sotme. Nëse vendosim të hulumtojmë pak, e shohim se ka shumë emisione të cilat përdorin “Chroma Key”. Gjithsesi përmasat e këtyre studiove nuk mund të krahasohen kurrsesi me ato të studios që ka UET. “Është një studio gjigante me përmasa 13 x 3.40 metra. Nuk ka mbaruar ende asgjë, “Çdo gjë është bërë fillimisht për qëllime praktike, por kemi akoma punë për të bërë”, kështu shprehet profesor Bengu. Nuk kishin si të mungonin falënderimet e tij për ndihmën dhe mbështetjen e marrë nga studentët e tij, në këtë realizim. Agustin Luli, një student i njohur tashmë në UET, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në fazën e parë të krijimit të laboratorit. Dy studentët e tjerë, Endri Muaj dhe Romarjo Brari, janë djemtë të cilët kanë patur një përkushtim tepër të madh, në këtë realizim. “Ata kanë punuar deri vonë, kanë punuar me orë të tëra për t’i çuar deri në fund provat, për të arritur rezultatin që kemi sot”, kështu shprehet profesor Bengu. Duke dashur të dimë diçka më tepër nga vetë studentët që kanë ndihmuar në këtë realizim, biseduam me dy prej tyre. Ata të cilët, sipas profesor Bengut, kanë patur dhe lodhjen më të madhe, duke punuar me orë të zgjatura deri në këtë fazë.

 

studentetStudentët: Të mësosh me metodat bashkëkohore multimediale

Endri Muaj dhe Romarjo Brari, studentë të programit ‘Komunikim-dizajn”, në Universitetin Europian të Tiranës, të cilët kanë punuar në ndërtimin e “Studios Multimediale” 

Ata janë akoma studentë, por po e nisën karrierën profesionale me një projekt të madh duke punuar me metodat më bashkëkohore. Flasin Endri Muaj dhe Romarjo Brari, studentë të programit ‘Komunikim-dizajn” në UET, të cilët kanë punuar në ndërtimin e “Studios Multimediale”

Cili është kontributi juaj në ndërtimin e këtij laboratori?

Endri– Kontributi ynë ka qenë zbatimi i projektit të profesor Shpend Bengut, nga fillimi i tij deri në përfundimin e fazës së tanishme.

Romarjo- Unë nuk kam dhënë ndonjë kontribut të madh në ndërtimin e laboratorit, kontributin më të madh e ka dhënë profesor Shpendi, unë thjesht kam ndjekur punën që ai bënte dhe kam mësuar taktikat në ndërtimin e një laboratori të tillë.

Sa kohë i keni kushtuar këtij laboratori nga koha juaj e përditshme dhe a ishte kjo gjë e lodhshme për ju?

Endri- Koha që i kemi kushtuar këtij projekti ka qenë e konsiderueshme. Për të mos u treguar modest çdo punë ka brenda lodhje, por një punë e kryer me pasion dhe kënaqësi, patjetër që e justifikon lodhjen.

Romarjo- Me këtë laborator kemi punuar shumë, shumicën e ditëve kemi punuar deri në 12 orë për të nxjerrë rezultatin që ne kërkonim dhe prapë, nuk mund të themi që ishim të kënaqur, por siç thonë “Një dizajner nuk është kurrë i kënaqur me punën e tij”. Lodhje… ?! Jo nuk mbaj mend të ketë patur. Siç është dhe shprehja e famshme: “Mjafton të bësh punën që do, dhe nuk ke për të punuar kurrë në jetën tënde”.

Mendoni se ky realizim ka arritur pritshmëritë tuaja? Ka nevojë për ndonjë ndryshim?

Endri- Deri në këtë fazë të parë të përfundimit, është në përmasa perfekte, por sigurisht që ka nevojë për ndërhyrje duke u nisur nga ndriçimi dhe audio, të cilat janë mjaft të rëndësishme për këtë laborator.

Romarjo- Në këtë laborator kemi arritur të bëjmë punë të mrekullueshme, dhe besoj se e ka marrë formën optimale, por për të bërë punë të niveleve profesionale duhen përmirësime në ndriçimin e studios dhe në audion e saj.

Si studentë të dizajnit, a besoni se do t’ju ndihmojë ky laborator për ta bërë sa më praktike punën tuaj?

Endri- Sigurisht që është i nevojshëm për një student të dizajnit të vërë në zbatim krijimtarinë e tij dhe vënia në punë e këtij laboratori mundëson një sërë lehtësirash për zbatimin e projekteve të ndryshme.

Romarjo– Kjo studio ishte shumë e nevojshme për punën praktike sepse mësojmë gjëra të cilat nuk mësohen në shumicën e universiteteve europiane.

Çdo të thotë për një dizajner të ardhshëm, që të punojë e të krijojë në një laborator të tillë?

Endri- Është një privilegj i madh për studentët e Universitetit Europian të Tiranës të punojnë në një laborator, që krijon mundësi të pafundme për promovimin dhe vënien në jetë të ideve dhe krijimtarive që çdokush prej nesh ka.

Romarjo- Për ne është privilegj i madh të punojmë në një studio të tillë, sepse na përgatit në mënyrën më profesionale të mundshme, për tregun e punës. Përveç të tjerave është një eksperiencë e bukur dhe nxit shumë kreativitetin.

 

“Chroma key” në kinematografi dhe studio televizive

Filmi “HUGO”, me regjisor Martin Skorceze, një prodhim i vitit 2011, rrëfen historinë e një djali jetim i cili jeton në stacionin e trenit në Paris. Filmi sjell shumë risi në aspektin e mënyrës së xhirimit, pra me 3D ose quajtur ndryshe me “Chroma Key”. Duke parë disa nga ato skena, vështirë se mund ta besosh që ato janë xhiruar në një ambient të gjelbër, e më pas çdo gjë bëhet në mënyrë teknologjike. Jo vetëm ky film, por edhe shumë të tjerë, janë realizuar me “ekranin e gjelbër”, ose quajtur ndryshe “chroma key”. Mund të përmendin disa filma si: The Avengers, Deadpool, “Dr. No” , Alice in Wonderland, Game of Thrones , Guardians of the Galaxy, Harry Poter and the Half Blood prince, Iron Man, King Arthur etj.
Jo vetëm filmat, por edhe televizionet botërore e përdorin këtë teknologji, duke qenë se ofron më tepër lehtësira për krijimin e studiove, në mënyrën që drejtuesit duan. Televizione prestigjioze si BBC, CNN, Sky News, e përdorin për krijimin e studiove të parashikimit të motit dhe jo vetëm. 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Qeveria merr me koncesion protestat

Nga Armand Shkullaku Qytetarët e Tiranës kanë parë dje një tjetër shfaqje...
Read More