Studimi: Alumni UET, 81 % të punësuar direkt pas diplomimit

uet studentsStudentët me diplomë master kanë tendencën të punësohen më shpejt, të kenë paga më të larta dhe të shënojnë rritje në karrierë. Të dhënat vijnë nga një studim i kryer me të diplomuarit në Shkollën Master në UET. Rreth 76 për qind e të diplomuarve në 6 vitet e fundit në UET janë të punësuar me kohë të plotë, ndërsa 5 për qind me kohë të pjesshme. Të diplomuarit e viteve 2010-2012 kanë pagë mbi 80 mijë lekë të rinj në muaj, ndërsa të sapodiplomuarit afërsisht 30 mijë lekë të rinj.

Pas përfundimit të një studimi me ish-studentët ALUMNI të nivelit Master Profesional dhe Master Shkencor të Universitetit Europian të Tiranës u konstatua se afro 81 % e të diplomuarve në harkun kohor 2010-2016 janë punësuar. Prej tyre 76% janë të punësuar me orar të plotë, ku 46% janë të punësuar në një profesion të lidhur direkt me arsimimin e tyre pasuniversitar, 5% me kohë të pjesshme dhe vetëm 19% ishin të papunë. Ky studim kishte si qëllim të shikonte se ku ka nevojë për përmirësime në marrëdhëniet me ALUMNI-t, t’i kushtohet rëndësi marketingut për studentët e ardhshëm, si dhe për përmirësimin e programeve dhe shërbimeve për studentët.

Prof. dr. Drita Kruja, pedagoge në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Europian të Tiranës, ka kryer një studim me ish-studentët e nivelit Master Profesional dhe Master Shkencor, të Universitetit Europian të Tiranës, ku qëllimi i studimit ishte vlerësimi i perceptimit të eksperiencës së tyre akademike, angazhimi civil dhe eksperienca e tyre e përgjithshme. Instrumenti i përdorur ishte një pyetësor online i përbërë nga 21 pyetje, i cili ekzaminoi eksperiencën e përgjithshme me UET ndërsa ata ishin studentë, si dhe eksperiencën e tyre pas diplomimit. Në këtë pyetësor studentët ALUMNI u ftuan që të merrnin pjesë përmes email-it me një link të website-it të anketimit në periudhën Qershor – Gusht 2016. Të dhënat e mbledhura nga ky studim i shërbejnë marrjes së vendimeve në lidhje me disa fusha, si: përmirësimi i marrëdhënieve me Alumni, marketingut për studentët e ardhshëm dhe përmirësimin e programeve dhe shërbimeve për studentët.

Në një intervistë me gazetën MAPO, prof. dr. Drita Kruja, ka ndarë rezultatet e këtij studimi, i cili zgjati disa muaj dhe synon të jetë sa më afër nevojave të ish-studentëve dhe studentëve aktualë. 

Drita Kruja - fq brendaCilat janë të dhënat demografike mbi këtë studim?

Në këtë studim, janë ftuar të marrin pjesë 2381 UET Alumni të diplomuar në vitet 2010 – 2016. Numri i studentëve Alumni që plotësuan pyetësorin ishin 381. Përqindjen më të lartë të plotësimit e zë Fakulteti Ekonomik dhe Teknologjisë së Informacionit, 54 % – Master Shkencor, 20% -Master Profesional. Fakulteti Juridik 11.5%-Master Shkencor, 0.8%-Master Profesional, Fakulteti Shkencave Sociale dhe Edukimit 9%-Master Shkencor, 5%-Master Profesional. 67.5% ishin femra dhe 32.5% meshkuj dhe përfaqësonin të diplomuarit e të gjitha viteve 2010-2016. 76% ishin të punësuar me orar të plotë, ku 46% të punësuar në një profesion të lidhur direkt me arsimimin e tyre pasuniversitar, 5% me kohë të pjesshme dhe 19% ishin të papunë ndërkohë që 47 % ishin duke kërkuar për një pozicion pune të lidhur me arsimimin e tyre.

Çështja e pagës është një problem për çdo njeri që del në tregun e punës. Cilët ALUMNI, kishin pagën më të lartë?

Nga lidhja e pagës aktuale me vitin e diplomimit shihet se studentët që kanë përfunduar studimet në vitin 2016 kanë pagën më të ulët, përkatësisht 21000-30000 lekë ( 66.7%), ndërsa pagën më të lartë e kanë ALUMNI që kanë përfunduar studimet në vitet 2010-2012, 43% e të diplomuarve në 2010 e kanë pagën mbi 80.000 lekë. Pra rritja e eksperiencës pas studimeve master çon në rritjen e pagës.

Për sa i përket përvojës së përgjithshme në UET nga ALUMNI, çfarë rezultatesh dolën nga ky studim?

Alumni ishin pyetur që të vlerësonin përvojën e tyre të përgjithshme tek UET të lidhur me përvojën akademike dhe joakademike. 82 % e Alumni vlerësuan nga mirë-shkëlqyer përvojën jo-akademike dhe 90% përvojën akademike.

Ata u përgjigjën se “UET ka qenë një prej zgjedhjeve më të zgjuara deri më tani në jetën time. Ka vlejtur çdo ditë në këtë institucion, çdo përpjekje dhe çdo rezultat i arritur. Në UET kam njohur njerëz që ndoshta në rrethana të tjera s’do të kisha mundësi t’i njihja, kam krijuar kontakte që ndoshta në rrethana të tjera s’do të kisha mundësi t’i krijoja, si dhe kam gjetur gjithë hapësirën akademike, profesionale dhe shoqërore për të shpalosur idetë dhe aftësitë e mia”.

Për sa iu përket studimeve përgjigjet e përzgjedhura ishin: “Unë kam mbetur shumë e kënaqur nga studimet e mia në UET si në Bachelor ashtu edhe në Master. UET është një universitet serioz, profesional dhe cilësor. Rekomandoj UET për çdo student që dëshiron të marrë dijet e duhura për hapat drejt së ardhmes”.

Duke iu referuar vlerësimit akademik, të përmbajtjes së programit të studimit në UET, çfarë përshtypjesh kishin ALUMNI-t?

Pjesëmarrësit ishin pyetur të vlerësonin disa fusha të përmbajtjes së programit të tyre të studimit.

Ato vlerësuan me pranim dhe pranim të plotë qartësinë e pritshmërive të programit (81%), aplikueshmëria e aktiviteteve të kursit (77%), sfidat intelektuale të kursit ( 63%), si dhe mundësinë e analizës kritike të detyrave të kursit (63%).

Vlerësimi i fakultetit tregon shumë për përvojën që kanë patur në UET. Si e vlerësuan ata UET-in?

Ato vlerësuan me pranim dhe pranim të plotë disponueshmërinë e profesorëve të fakultetit (85%), natyrën e reagimit të fakultetit (70%), cilësinë e mësimdhënies (73%) dhe mbështetjen që ato marrin nga fakulteti (68%).

 Sa i ka ndihmuar programi akademik që kanë ndjekur gjatë studimeve të tyre, në përgatitjen e karrierës së tyre? 

Pjesëmarrësit ishin pyetur të vlerësonin efektin e programit të tyre akademik në përgatitjen e karrierës. Këto pyetje në mënyrë specifike fokusoheshin në vlerësimin e përgatitjes profesionale dhe dobishmërinë e programit të studimit si specializimi kryesor për karrierën e tyre. Në përgjithësi pjesëmarrësit pranojnë se janë të kënaqur me pohimet që programi i tyre i studimit i ka ndihmuar të përgatiten për karrierën e tyre, por vlerësimi i tyre nuk është aq pozitiv sa vlerësimi i programeve dhe fakultetit. Vlerësimin më të ulët prej 62% e ka marrë pohimi: “Kurset bazë në degën time më kanë përgatitur mirë për jetën time profesionale”. Ajo që vihet re këtu është që një përqindje e konsiderueshme zgjedhin qëndrimin neutral (19-28%).

Cilat kanë qenë deri më tani rezultatet në karrierën e tyre?

Një numër pyetjesh në pyetësor vlerësuan eksperiencën e Alumni për të gjetur punë.

Të pyetur “Sa kohë pas diplomimit në UET gjetët punën tuaj të parë?”, 62% iu përgjigjën para diplomimit, 10% më pak se 4 muaj pas diplomimit, 15%- 4 – mbi 12 Muaj dhe 11% ende nuk kam gjetur punë, dhe 2.4% pohojnë se nuk kanë kërkuar punë.

83 % e Alumni pranojnë që përfundimisht pati vlerë përpjekja për të përfunduar një program master pranë UET dhe nëse do të kishin për të bërë një zgjedhje të tillë përsëri, do të zgjidhnin përsëri UET dhe të njëjtin program studimi. 

Nëse do t’iu jepej mundësia, a do t’jua rekomandonin ata UET-in edhe studentëve të tjerë?

Alumnit ishin pyetur nëse “do të Rekomandoni UET si dhe fushën tuaj të studimit për një student të ardhshëm”. 100 % (285) e Alumni që u përgjigjen kësaj pyetje pohojnë që Po. Pjesa tjetër nuk iu përgjigjën.

Statusi i punësimit:

Të punësuar me orar të plotë (35 ose më shumë orë në javë) – 75.7 %

Punësuar me kohë të pjesshme (më pak se 35 orë në javë) – 4.6 %

Të papunë –19.8 %

Të punësuar në një profesion që lidhet direkt me arsimimin Master – 46%

Niveli i Pagave: 

Studentët që kanë përfunduar studimet në vitin 2016 – 21000-30000 lekë ( 66.7%),

Studentët që kanë përfunduar studimet në vitet 2010-2012 – mbi 80.000 lekë (43%).

Shkruar Nga
More from revista mapo

Fotot e rralla: Ja si ishte Shqipëria në vitin 1984

Për të gjithë nostalgjikët, ky është një koleksion brilant me foto nga...
Read More