Strategjia elektorale: Të “preferuarit” e tri partive të mëdha

Tri forcat kryesore politike kanë “ndarë” grupet shoqërore që besojnë se kanë mbështetjen më të madhe. PS ka targetuar gratë, PD mbetet tradicionale dhe LSI të rinjtë. PS ka paraqitur 58 kandidate femra nga të cilat 18 mund të jenë fituese, PD 39 kandidate femra, duke shkelur ligjin e barazisë gjinore. LSI ua ka besuar zgjedhjet të rinjve 

Jo më kot kreu i socialistëve Edi Rama në qendër të fushatës së tij elektorale ka vendosur gratë dhe vajzat. Madje thuajse në çdo takim të tijin elektoral ai nuk nguron që të bëjë shaka me burrat duke evidentuar rolin që luan gruaja në familje dhe shoqëri. Kjo jo vetëm se ai ka treguar se i pëlqen të punojë më shumë me femrat se sa me meshkujt, por edhe se ai beson fort se duke iu drejtuar këtij targetgrupi do mund të sigurojë më shumë vota prej tyre, por edhe se ato do mund të kontrollojnë edhe bindjet politike të burrave të tyre. Kjo duket si te qeveria që drejton ku më shumë se gjysma e ministrave janë gra dhe te numri i madh i deputetëve që ka përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme, por edhe te mesazhet politike që po përcjellë në vazhdimësi gjatë kësaj fushate. Ndryshe ndodh me Lulëzim Bashën, i cili megjithëse në qeverinë “Rama” përfshiu 4 ministre femra, ka vendosur që në këto zgjedhje të jetë sërish “tradicional”. Kjo vërehet edhe në listat e kandidatëve për deputetë, ku në një listë totale prej 193 kandidatësh ka paraqitur vetëm 39 kandidate gra dhe vajza ose 20 për qind e të gjithë listës, duke shkelur kështu në të gjitha qarqet edhe kriterin e barazisë gjinore, për të cilin pritet të marrë një gjobë të majme. Nga ana tjetër edhe LSI ka zgjedhur targetgrupin e vet në këto zgjedhje. Ajo ka zgjedhur të mos bëjë dallime mes burrave dhe grave, por ka preferuar që të evidentojë fortë të rinjtë, si shtylla e saj kryesore.

Socialistët

Ndërsa kanë pak për të thënë për atë që është bërë apo që mund të bëjnë për të ardhmen, socialistët kanë vendosur që fushatën e tyre elektorale ta orientojnë te përcjellja e mesazheve se Shqipëria mund të humbasë shumë nëse bëhen hapa pas duke votuar demokratët dhe te nevoja për vazhdimësinë për të realizuar “Shqipërinë që duam”. Ndërkohë që paralelisht besojnë se një “lëm” i mirë ku mund të sigurojnë vota janë votueset femra. Vetë kryeministri Edi Rama në një pjesë të mirë të takimeve të tija elektorale duke iu drejtuar grave dhe vajzave ka theksuar se ato janë mbështetëset më të mëdha të Partisë Socialiste. Ai ka folur edhe për sondazhe të kryera nga vet strukturat e PS ku sipas tij ka rezultuar se shumica e tyre mbështesin dhe votojnë Partinë Socialiste. “Ne kemi bërë sondazhet tona, dhe 60% e grave mbështesin PS – në” – u shpreh Rama pak ditë më parë nga Durrësi. Ndërkohë që në një tjetër takim elektoral duke patur si targetgrup kryesor të fushatës së tij pikërisht votueset femra ka theksuar se nëse në Shqipëri do të votonin vetëm gratë dhe vajzat atëherë PS do të kishte të sigurt 85 mandate. “E kemi bërë një ditë një llogari me Gramozin bazuar në të gjitha anketimet që në nëse në Shqipëri do të votonin vetëm gratë dhe vajzat dhe burrat dhe djemtë atë ditë do rrinin në shtëpi apo do iknin në plazh atëherë PS do merrte vetëm 85 deputetë. Deri në 25 qershor mos i lini burrat pa i sqaruar, jo vetëm burrat tuaj por edhe ata të lagjes dhe të fshatit”, tha Rama pak ditë më parë gjatë një takimi me gratë në Fier. Nuk është as i rastësishëm fakti që në listat shumemërore të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme PS ka paraqitur plot 59 kandidate gra dhe vajza, nga të cilat afro 18 kanë shanse të mëdha për t’u zgjedhur deputete. Kjo për të përcjellë një mesazh të qartë se PS është një forcë që mbështetë gratë dhe vajzat. Ndërkohë që sa i përket programit elektoral PS ka vënë theksin te vazhdimësia, ndërsa ka ripërsëritur premtimin për punësimin edhe të 200 mijë shqiptarëve të tjerë, duke pretenduar se ka plotësuar premtimin e 4 viteve më parë për 300 mijë vende të reja pune.

Demokratët

Ndërkohë që Partia Demokratike duket se ka vendosur që edhe në këto zgjedhje të jetë tradicionale, duke besuar se zgjedhjet janë një ballafaqim i fortë dhe të cilin mund ta përballojnë vetëm burrat. Kjo duket qartë në mënyrën se si ajo ka kompozuar listat e saja të kandidatëve për deputetë.

Partia Demokratike në listën e saj prej 190 kandidatësh ka vetëm 39 kandidate femra. Thënë me përqindje femrat në listat e PD-së zënë pak më shumë se 20 për qind. Kodi Zgjedhor përcakton se për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Ndaj në 5 qarqe PD pritet të marrë gjobë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi nuk ka plotësuar një nga kriteret kryesore që përcakton ligji për barazinë gjinore dhe Kodi Zgjedhor, për të pasur 1 në 3 kandidatët e parë të listës një kandidate nga secila gjini. Në qarqet Berat, Kukës, Fier, Elbasan dhe Gjirokastër PD ka paraqitur lista që jo vetëm në 1 në 3 emrat e parë nuk ka femra, por në të gjithë zonën fituese nuk ka asnjë kandidate grua ose vajzë. Por jo vetëm në këto qarqe PD do të gjobitet, pasi ajo nuk e ka zbatuar kriterin e barazisë gjinore dhe në disa qarqe të tjera, pasi nuk ka mundur që 30 për qind të listës ti ketë me përfaqësim nga secila gjini. Pra gjobë PD do të marrë edhe në qarkun e Korçës, kjo pasi nga 17 emra në listën shumemërore PD ka vetëm 4 kandidate femra. I njëjti fenomen ekziston edhe në listën e Qarkut Vlorë pasi PD ka dorëzuar një listë me 13 kandidatë por ku pjesë e saj janë vetëm 2 femra. Po ashtu me probleme me kriterin e barazisë gjinore është edhe lista shumemërore e Qarkut Dibër. PD ka paraqitur një listë me 9 kandidatë ku vetëm 2 janë femra. Probleme të barazisë gjinore që mund të sjellin gjobitje të PD-së ka edhe lista e Shkodër. Nga 18 emra në listë ajo ka përfshirë vetëm 4 kandidate femra. I njëjti problem ekziston edhe qarkun e Durrësit dhe të Lezhës. Gjithsesi juristët janë të ndarë për këtë çështje nëse 30 për qindëshi duhet të llogaritet mbi bazën e mandateve që ka një zonë e caktuar zgjedhore apo mbi bazën e kandidatëve që ka paraqitur PD në një listë shumemërore. Pikërisht ky debat do të përcaktojë sot nëse PD do të gjobitet vetëm për 5 qarqe me 5 milionë lekë të reja gjobë do të gjobitet për 12 qarqe me 12 milionë lekë të reja gjobë. Ndaj PD ka vendosur që armë të fortë në këto zgjedhje të ketë pikërisht programin e saj elektoral. Ajo e ka vendosur fokusin pikërisht te ekonomia dhe siguria. Jo më kotë dhe slogani që shoqëron fushatën elektorale të PD-së në këto zgjedhje është “Ekonomi e fortë, e nesërme e sigurt”. Madje duke i mëshuar fortë këtij elementi, kreu i opozitës, Lulëzim Basha në të gjitha takimet elektorale që ka zhvilluar ditët e fundit ka vënë theksin pikërisht te ekonomia e shqiptarëve. Madje dje ai nga Berati ka lançuar edhe një gjetje të re që me siguri do të shoqërojë fushatën e tij duke theksuar se ai do të jetë jo një kryeministër i fasadave dhe ekraneve por një kryeministër i ekonomisë. “Unë do të jem kryeministri i ekonomisë, do të punoj ditë për ditë për ekonominë e Beratit dhe të mbarë Shqipërisë. Unë do të jem kryeministër i qytetarëve”, – tha Basha dje nga Berati. Ndërkohë që sa i përket planit ekonomik premtimet më të bujshme të PD-së kanë qenë rritja e pensioneve me afro 40 për qind në 4 vite dhe duke synuar që pensioni minimal të jetë 250 mijë lekë. Gjithashtu PD ka kërkuar që të josh edhe bizneset duke premtuar ulje të TVSH-së në 15 për qind si dhe të gjithë punonjësve duke premtuar rivendosjen e taksës së sheshtë me 9 për qind. “Ulja e TVSH-së dhe e taksave do të çlirojë miliona euro në ekonominë shqiptare, që do të përkthehen në vende pune, në biznese të reja, në rritje të fuqisë blerëse, me më shumë qarkullim të parasë. Leku nuk do të jetë më në xhepin e 4-5 njerëzve, por do të kthehet përmes zinxhirit ekonomik në xhepat e sipërmarrësve, të punësuarve, konsumatorëve, pra qytetareve”, ka thënë Basha.  Ai ka deklaruar se programi ekonomik i PD-së ka vulën e ekspertëve ekonomikë të Angela Merkel.

LSI

Lëvizja Socialiste për Integrim duket qenë e vetëdijshme se si një forcë e tretë nuk mund të imponojë një program të mirëfilltë elektoral ka parë si zgjidhje të sajën pikërisht afrimin e të rinjve. Këtë e ka treguar jo vetëm me vendosjen në disa nga forumet e saja drejtuese të të rinjve të moshës deri në 25 vjeç, por edhe vendosjen e të rinjve edhe në listat e kandidatëve për deputetë. Kështu vlen të shikohet lista e Tiranës ku katër emrat e parë që kanë edhe shanse të shumta për tu shpallur deputetë janë katër të rinj. Më e vjetra prej tyre është Klajda Gjosha që vjen nga forumi i gruas së LSI-së, ndërsa 3 emrat e tjerë vijnë ose kanë qenë në radhët e LRI-së, forumit të rinisë së LSI-së. Bëhet fjalë për Kejdi Mehmetajn, Florida Kërpaçi apo edhe Endrit Brahimllari. Kjo vlen për të kuptuar rëndësisë që i ka dhënë LSI të rinjve në këto zgjedhje duke krijuar besimin tek gjithë brezi i ri që voton ose jo se në këtë forcë politike ata do të gjejnë gjithmonë një mundësi për të gjetur një punë apo edhe për të bërë karrierë. Jo vetëm kaq, pasi LSI edhe programin e saj kryesor ekonomik ua ka dedikuar pikërisht të rinjve. Përveç programeve të punësimit dhe zhvillimit të punësimit me fokus te të rinjtë, LSI në programin e saj ekonomik të shpalosur vetëm dy ditë më parë do të deklaronte se synonte të hapte 170 mijë vende pune të reja nga të cilat 100 mijë do të jenë vetëm për të rinjtë. “Ky plan i bën të rinjtë që të gjejnë arsye të mëdha për ta ndërtuar të ardhmen e tyre këtu pasi po e them të parë dhe mbi të gjitha, një premtim thellësisht të bazuar dhe të menduar, që ka të bëjë me punësimin e tyre, e ku nga 170 mijë vende të reja të pune të planifikuar dhe të programuar me shumë saktësi në planin tonë, 100 mijë vende të reja pune të mirëpaguara janë menduar dhe orientuar vetëm për të rinjtë”, u shpreh kryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Dekriminalizimi: Arrestohet Elvis Rroshi, fshehu dënimin në Itali dhe dy dëbime

Gjykata e Tiranës urdhëroi arrestimin e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, pas...
Read More