Stinë, jo e mërzitshme, zgjedhjesh

 

1.
Serbia ka gjasa të mëdha të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor të këtij viti. Presidenti i këtij vendi u thotë rregullisht diplomatëve evropianë e amerikanë , ka nja dy muaj së paku, se nëse Kosova nuk e heq taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, atëbotë nuk do të ketë negociata me Kosovën, pra as mundësi që disi shpejt e shpejt të rregullohet puna e këmbimit të territoreve. Rrjedhimisht , Serbia do të shkojë në zgjedhje.

Ky është një interpretim i pjesshëm. Taksa është më shumë shkas sesa shkak për të shkuar në zgjedhje. Por, ç’është e vërteta, Kosova dhe marrëveshja eventuale me të është pa dyshim një motiv i madh për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, për dallim prej vendeve të tjera që kanë nevojë të shkojnë në zgjedhje për të fituar fuqi plotësuese, një shumicë relativisht më të madhe, problemi i Serbisë së Vuçiqit është se me përkrahje prej së paku gjysmës së elektoratit në sondazhet parazgjedhore, nuk është se i mungojnë numrat, por çka të bëjë me to.

Partia e presidentit Vuçiq mund t’i fitojë pa problem zgjedhjet-tashmë kontrollon jo vetëm diskursin politik të vendit, por në masë të madhe tërë hapësirën publike të tij-e megjithatë fitorja mund të dalë e Pirros nëse opozita vendos që këto zgjedhje t’i bojkotojë. Një parlament ku edhe pushtetin e edhe opozitën i bën qoftë edhe deri diku figurativisht shëmbëlltyra e vojvodës çetnik Vojislav Sheshel, nuk përbën ndonjë lajm të mirë për Serbinë, e as për ata që mundohen që këtë vend ta evropianizojnë.

Dhe, për më tepër cilësia e fitores zgjedhore për presidentin Vuçiq ka të bëjë edhe me atë që vrojtuesit e jashtëm e kanë vështirë ta kuptojnë nëse nuk hyjnë nën lëkurën e politikës serbe. Në këto zgjedhje duhet të përcaktohet jo vetëm sa numra deputetësh fiton SNS, por çfarë është orientimi i tyre në gjeografi:në mënyrë të thjeshtësuar, a anojnë më shumë nga Gjermania apo nga Rusia? Në çfarëdo procesi negociator me Kosovën, presidenti Vuçiq , ndonëse me fuqi të jashtëzakonshme politike sot për sot, nuk e ka të parëndësishme se çfarë e ka disponimin gjeopolitik brenda grupit të vet parlamentar.

2.
Zgjedhjet serbe përputhen me një palë tjetër zgjedhjesh , ato për Parlamentin Evropian. Edhe për këto zgjedhje ka mbi një vit e ca që ka hyrë narracioni i Kosovës. Gjatë tërë vitit 2018 u tha se Kosova dhe Serbia duhej të arrinin marrëveshje, herë në vjeshtë e herë në fund të vitit. Pastaj , u fol, se duhej mbërritur marrëveshje – gjithsesi, doemos, duhej mbërritur se s’bën- deri në mars të vitit 2019. Ata që flisnin – njerëz të afërt me Hashim Thaçin , përfshirë edhe vetë atë – citonin zgjedhjet e Parlamentit Evropian që do të mbahen në maj të vitit 2019.

Ky narracion u përpoq të krijonte një atmosferë alarmi konspiracionist. Në këtë konspiracion të madh – hollësitë e të cilit i ditkan vetën rrëfimtarët – ekipi i tanishëm evropian, përfaqësuar nga zonja Mogherini, ka mundësi historike për t’i pajtuar Kosovën dhe Serbinë, ndërsa komisioni i ardhshëm evropian , që do të përbëhet nga djajtë, demonët , mefistofelët dhe belzebubët, do të ketë disponim të madh që të mos mbërrijnë kurrfarë marrëveshjeje pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fakt, këto zgjedhje për Parlament Evropian kanë të bëjnë aq me Kosovën sa edhe të kaluarat. Komisioni Evropian, të cilit i skadon mandati sivjet, nuk ka me çka të lëvdohet – as si investim mendor e as si rezultat – në pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë. Synimi për “normalizim” ilustrohet më së miri me pesë vjet të kota negociatash për targa automobilistike (me cilat targa mund të hyhet në Serbi e me cilat në Kosovë) dhe në fund me taksën 100 për qind, shenjë e abnormalitetit të plotë.

Kur të dalin për të votuar, ata të paktë që dalin për të votuar (në Sllovaki në zgjedhjet e kaluara dolën vetëm 13 për qind të votuesve, në nivel të BE-së mezi 40) nuk do të kenë në mendje as K-në e Kosovës e as S-në e Serbisë. Problemi i parë me të cilin ballafaqohet votuesi evropian sot është dobësimi i lidhshmërisë mes tij (interesave, identitetit etj.) dhe Bashkimit Evropian , funksionimit institucional të tij.

Konflikti i papërfunduar mes Serbisë dhe Kosovës duket aq i largët sot, sa ka qenë i largët edhe para pesë vjetësh; do të trajtohet nga pasardhësja apo pasardhësi i zonjës Mogherini. Nëse do të ketë fat, pasuesja apo pasuesi do të ketë më shumë besueshmëri, invencion, dinamikë dhe përkushtim, dhe nëse do të ketë fat, do të kërkojë më shumë ndihmë prej shteteve anëtare dhe diplomacive të tyre. Nëse jo, mund të vazhdojë të merret me targat automobilistike, ngase kjo çështje edhe pas pesë vjetësh nuk është zgjidhur.

3.
Ndoshta është kohë e mirë për të menduar për zgjedhje të parakohshme në Kosovë. Legjitimiteti politik i Qeverisë kaherë ka rënë nën tehun e funksionalitetit parlamentar, por arsyeja kryesore pse kryeministri dhe Qeveria e tij kanë vazhduar me përkrahje tej fuqisë parlamentare ka qenë pozicionimi i drejtë ndaj dëmeve që i ka sjellë Kosovës Hashim Thaçi me negociatat sekrete dhe josekrete me përfaqësuesit e Serbisë. Kryeministri dhe kundërshtuesit e “këmbimit” në e jashtë Qeverisë kanë arritur që në masë të madhe ta amortizojnë hovin që kishte marrë iniciativa për këmbim territoresh e popullatash, e filluar para mbi çerek shekulli nga Dobrica Qosiqi dhe e vazhduar këto ditë nga Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit e Serbisë.

Rreziku që, në fjalët e Daniel Serwerit, ky “zombi i ndarjeve etnike” të paraqitet edhe një herë është ende këtu, ndonëse me gjasa të vogla. Këto ditë përtypet, edhe pse me zë gjithnjë e më të ulët, ideja që Kosova e Serbia , edhe para zgjedhjeve të Serbisë , të arrijnë një “marrëveshje kornizë”. Kjo “marrëveshje kornizë” do të ishte arsyetim , në njëfarë mënyre, se Komisioni Evropian ka bërë diçka në “dialog” dhe po ia servon Komisionit të ardhshëm tryezën e përgatitur për të vazhduar “dialogun”.

Një ide e këtillë nuk do të ishte as e mirë e as e efektshme. Nuk do të ishte e mirë, sepse procesi i “dialogut” ka nevojë për një kornizim më ambicioz, inventiv dhe efikas, e këtë nuk mund ta bëjë ekipi i cili ka prodhuar procesin epokal të targave automobilistike. Për arsye të njëjtë nuk do të ishte e efektshme: një proces i ri nuk duhet t’i ngarkojë zgjedhjet në Serbi e as ato në BE. Rrjedhimisht, nuk duhet të jetë barrë për Kosovën; partitë kosovare duhet të dalin në zgjedhje pa u ngarkuar me druajtje se dikush në Bruksel në fund të mandatit do të prodhojë diçka që i bie hise Komisionit të ardhshëm Evropian.

4.
Di që në të lexuar këtë shkrim jo pak anëtarë të udhëheqjeve partiake kosovare do të pyesin: a thua çka thonë ambasadat, apo Ambasada? Me muaj të tërë, madje gjatë tërë vitit 2018, kam dëgjuar këtë dhe atë anëtar të udhëheqjes së kësaj apo asaj partie duke thënë se ambasadat, apo ambasada, nuk po lejojnë të shkohet në zgjedhje.

Nëse e ngremë këtë relacion përtej trishtimit të mekanizmit operacional (idesë që partitë marrin udhëzime nga ambasadat apo shkojnë për të kërkuar mendim vetjak në ambasadë, siç thuhej në kohën e komunizmit kur shkohej në Komitet) dhe mbërrijmë tek ideja e krijimit të kushteve të një energjie të rifreskuar politike, atëherë ndoshta përgjigjja e natyrshme do të ishte që Kosova duhet të mbajë zgjedhjet e veta të hershme së bashku me ato të Parlamentit Evropian, dhe koincidentalisht , Serbisë . Këtë duhet ta bëjë, nëse nuk ka arsye tjetër, për shkak të negociatave me Serbinë dhe nevojës që në një proces më ambicioz e serioz të arrihet një marrëveshje paqeje mes dy vendeve, madje nëse është e mundur, edhe brenda vitit 2019.

Shkruar Nga
More from Redaksia

8 Mars, Një ditë dhe një histori e gruas

  Dita Ndërkombëtare e Grave (8 mars) është një ditë globale që...
Read More