Si trajtohet gripi te të sëmurët me zemër, veshka, të moshuarit e fëmijët

gripiPër personat me probleme shëndetësore sikurse është diabeti, sëmundjet kardiake apo ato respiratore, gripi mund ta përkeqësojë gjendjen shëndetësore, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e  tyre, madje mund të jetë fatale për jetën. Shenjat që tregojnë se ju jeni prekur nga gripi janë: ethe dhe të dridhura, kollë, dhimbje muskulore, dhimbje koke dhe këputje. Këto shenja nisin menjëherë dhe mund të zgjasin nga 3-5 ditë apo edhe deri në 2 javë. Shumica e njerëzve shërohen shpejt, por ndonjëherë gripi mund të shkaktojë komplikacione serioze, duke përfshirë pneumoninë dhe bronshitin, apo edhe vdekjen. Veçanërisht problematik gripi mund të jetë te personat me sëmundje të zemrës dhe të mushkërive. Te të sëmurët kardiakë marrja e frymës është shenja e parë që duhet të jetë shenjë alarmi, insuficienca kardiake, virusi që godet muskulin e zemrës-që është miokarditi, janë këto shenjat që duhet t’ju shqetësojnë për probleme serioze me zemrën.   

Në një intervistë për gazetën “Mapo”, Doktoreshë Daniela Teferiçi, D.Sh.M., Kardiologe pranë Shërbimit të Kardiologjisë, Klinika II, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë apelon për kujdes të shtuar veçanërisht për të sëmurët kardiakë. Sipas doktoreshës, shumica e njerëzve shërohen shpejt, por ndonjëherë gripi mund të shkaktojë komplikacione serioze te sëmundjet e zemrës. Te të sëmurët kardiakë marrja e frymës është shenja e parë që duhet të jetë shenjë alarmi, insuficienca kardiake, virusi që godet muskulin e zemrës-që është miokarditi, janë këto shenjat që duhet t’ju shqetësojnë për probleme serioze me zemrën dhe që duhet patjetër t’i drejtoheni mjekut. Veçanërisht gjatë këtyre ditëve të ftohta tregoni kujdes dhe mbani nën kontroll problemet shëndetësore.

Te të sëmurët kardiakë, cilat janë shenjat e para që tregojnë praninë e prekjes nga gripi?

Shenjat e gripit te të sëmurët kardiakë janë pothuajse të njëjta me ato që hasen te të gjithë personat e tjerë që nuk janë të sëmurë me zemër. Komplikacionet dhe ecuria mund të jetë më e rëndë te pacientët me sëmundje kardiake apo sëmundje pulmonare. Shenjat janë: dhembje fyti, dhembje koke, mialgji që është dhembje e muskujve, zënie të hundëve.

Si mund të dallohen këto shenja në mënyrë që të mos ngatërrohen me problemet kardiake, sikurse janë hipertensioni, infarkti etj.? 

Por te pacientët kardiakë ajo që duhet të vërë alarmin që diçka nuk shkon mirë apo që ky pacient po rëndohet është marrja e frymës, është rëndimi i marrjes së frymës. Nëse një pacient që e ka zënë gripi i shtohet i shtohet aritmia, i shtohet marrja e frymës atëherë jemi përballë një shenje alarmi dhe gripi ka dhënë komplikacionet e veta siç është bronkopneumonia te ky pacient, ose miokarditi, i cili ka të bëjë me dëmtimin e muskulit të zemrës nga virusi i gripit. Duhet të jeni shumë vigjilentë ndaj marrjes së frymës në rast se rëndohet.

Sa ditë është normale kohëzgjatja e gripit te të sëmurët me zemër dhe kur duhet ngritur niveli i alarmit?

Ecuria normale e gripit është tre ditë deri në pesë ditë apo edhe deri në një javë, por që në varësi të ecurisë dhe pasojave që lë, problemet vazhdojnë dhjetë ditë deri në dy javë; apo mund të komplikohet me pneumoni apo me miokardi, që është një situatë e rëndë dhe fatale në disa raste. Me këtë virus që ka rënë ka pasur shumë raste vdekje, edhe persona të rinj, jo vetëm persona që kanë sëmundje bashkëshoqëruese. Një patologji që është me të vërtetë shumë serioze dhe që ka ecuri kulminante dhe përfundon në vdekje është miokarditi, një patologji virale që mbart një gjendje gripale, ky virus sulmon muskulin e zemrës dhe çon në insuficiencë kardiake, pra në dëmtim të muskulit të zemrës. Kur është forma agresive, shpeshherë ka përfunduar edhe në vdekje.  Është shumë e rëndësishme të tregohet kujdes, të mbahet nën kontroll gjendja shëndetësore, mjekimi, shtrimi në spital.

Pse gjendja gripale është më problematike për të sëmurët kardiakë, dhe cilësohet si një ndër faktorët deri rrezikues për jetën e tyre?  

Pacientët me sëmundje kardiake, përfshijnë pacientët me sëmundje të arterieve koronare, pacientët me insuficiencë kardiake por që kanë edhe sëmundje bashkëshoqëruese. Kështu pacientët me insuficiencë kardiake janë edhe pacientë me sëmundjen e diabetit, me sëmundje renale të veshkave; prandaj këta janë persona me imunitet të ulët dhe rezultojnë më të rrezikuar nga virusi i gripit dhe komplikacionet janë më të shpeshta dhe me ecuri më të keqe te këta persona se sa te personat e tjerë.

Nga ana tjetër duhet theksuar se gripi mund të jetë faktor shpërthyes i sëmundjeve që mbart vetë organizmi. Dy grupet më të mëdha janë: sëmundje të arterieve koronare që manifestohen me infarktin dhe insuficienca kardiake, që ka dëmtim të muskulit të zemrës. Mund të jetë si faktor shpërthyes një virozë për të shfaqur sëmundjen arteriosklerotike, pra infarkti i miokardit. Mund të jetë thjesht faktor shpërthyes, sepse vetë organizmi vendoset në kushte stresi kur kalon një virozë, pra një stres fizik që rrit konsumin e oksigjenit, që nxit inflamacionin dhe vetë sëmundja arteriosklerotike dhe në hispatologjinë e saj ka inflamacionin. Pacientët që preken më shumë janë ata me insuficiencë kardiake apo me sëmundje pulmonare, ndikon direkt tek marrja e frymës, kjo është shenja e parë që duhet të ngrenë alarmin. Ndaj dhe ju me të drejtë shtroni pyetjen pse nuk duhen ngatërruar shenjat, pra duhet dalluar nëse i sëmuri po futet në edemë pulmonare, është ajo marrja e frymës me origjinë kardiake apo është një mbivendosje e infeksionit viral që ka çuar në këtë marrje fryme. Patjetër këtë diagnozë diferenciale e bën vetëm mjeku. Po kështu rritet hipertensioni, duke qenë një stres fizik, duke qenë se prishen ekuilibrat, atëherë kemi edhe rritje të tensionit. Përgjithësisht personat që preken nga gripi shfaqin edhe rritje të hipertensionit, por që duhet të mbahet nën kontroll përmes kurave dhe matjes së vazhdueshme të tensionit.

Ka një afat të caktuar, për sa kohë konsiderohet normale marrja e frymës dhe kur duhet kërkuar ndihma mjekësore?

Marrja e frymës bëhet në mënyrë graduale. Përgjithësisht pacientët që vuajnë nga insuficienca kardiake dinë të hetojnë edhe vetë parregullsitë. Dhe marrja e frymës, e cila ka si shkak problemet kardiake fillon rëndimi brenda dy –tre orësh, pacienti mbushet me shkumë nga goja. Ndërsa kur është edhe gripi në mes, rëndimi i frymëmarrjes fillon në mënyrë graduale, fillimisht shfaqet  me shenjat e gripit, kemi rritje të temperaturës, brenda dy –tre ditësh ulet temperatura, ndërkohë që sërish pas një jave ringrihet temperatura atëherë gjithmonë duhet të dyshosh për komplikacion që është pneumonia, e cila për fat të keq mund të jetë fatale te këta pacientë.

Krahas ilaçeve që marrin për të mbajtur nën kontroll sëmundjet kardiake, cilat janë trajtimet e duhura qofshin këto edhe në kushtet e shtëpisë?

Duhet patjetër të rrinë me maska, pasi virusi merret dhe transmetohet përmes mukozës së gojës, hundës dhe fytit. Duhen larë duart në mënyrë sistematike, disa herë në ditë. Duhet të mënjanohen ambientet me shumë njerëz, të gjithë personat që janë me sëmundje kardiake dhe ato kronike duhet të kryejnë vaksinën, bëhet gjithmonë para shfaqjes së gripit. Trajtimi i gripit mund të bëhet me medikamente antivirale, që jepen vetëm me përshkrimin e doktorit, nuk mund të merren vetë në farmaci, antipiretikët, ilaçet që marrin në kurat e tyre, dieta ushqimore, regjimi në shtrat.

dr-benereta-hoxha“Të sëmurët me veshka kujdes! Ilaçet vetë me rekomandimin e mjekut 

Në një intervistë për gazetën “Mapo” doktoreshë Benereta Hoxha, nefrologe pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë shpjegon kujdesin që duhet të tregojnë të sëmurët me veshka për të parandaluar gripin, ndërsa për të sëmurët me veshka që janë prekur nga gripi, doktoresha tregon trajtimet e rekomandueshme dhe pse nuk duhet abuzuar me ilaçet.

Cilat janë shenjat e gripit te të sëmurët me veshka dhe cili është trajtimi më i mirë për ta?

Dihet se të sëmurët renalë (me veshka) kanë problematika të ndryshme, kjo edhe në bazë të shkakut nga i cili vjen dëmtimi i veshkave. Gjithmonë duhet patur parasysh shkalla e dëmtimit të veshkës për të bërë një trajtim sa më të kujdesshëm ndaj virozave të stinës. Vetë viroza ul rezistencën e organizmit tonë dhe veçanërisht te të sëmurët renalë, të cilët kanë dëmtim të funksionit të veshkave dhe rezistencë më të ulët se sa njerëzit e tjerë, pra duhet të jenë më të kujdesshëm ndaj virozave.

Shkalla e dëmtimit të veshkave është shumë e rëndësishme. Në radhë të parë kujdes më i shtuar duhet treguar ndaj të sëmurëve që kanë dëmtim të funksionit të veshkave dhe që janë në hemodializë apo në dializë peritonale, pasi dihet që ata janë më të predispozuar. Të dytët në radhë janë ata që kanë bërë transplante renale, te të cilët edhe në gjendje normale rezistenca e vetë organizmit  është e ulur si pasojë e medikamenteve që marrin për të mos flakur organin, dhe në rast të prekjes nga virozat, ndërlikimet shëndetësore janë shumë më serioze për jetën e tyre.

Po kështu, të gjithë pacientët që kanë një dëmtim të funksionit të veshkave që shkon nën 30%, duhet të kenë kujdes nga virozat, sepse ato jo vetëm ulin rezistencën e trupit  e rëndojnë gjendjen e tyre aktuale por duhet theksuar se këto kategori të sëmurësh nuk duhet të përdorin medikamente njëlloj siç përdorin të sëmurët e tjerë. Kjo sepse  të sëmurët me veshka kanë një funksion të ulur të veshkave, ilaçet që merren për trajtimin e virozave nuk eliminohen nga veshkat në shkallën e duhur dhe me atë shpejtësi që eliminohen te njerëzit me funksion normal të veshkave siç janë ilaçet që përdoren për uljen e temperaturës, anti-inflamatorët; duke nisur nga ibuprofeni, paracetamoli, antigripet sikurse është tylolhot e tjerë. Këto nuk mund të përdoren në dozat që përdorin njerëzit normal ose ata që nuk kanë dëmtim të funksionit renal. Medikamentet te këta pacientë do të përdoren më me kujdes duke zgjatur kohën nga një pirje në tjetrën dhe me doza më të vogla. Pra, ata nuk mund ta marrin çdo katër orë  një anti-inflamator sikurse mund ta marrë një pacient normal, por duhet treguar kujdes në bazë të shkallës së dëmtimit të veshkës, sepse sa më i madh dëmtimi aq më kujdes duhet patur në dozimin e medikamentit. Për sa iu takon antibiotikëve duhet të merren vetëm me këshillën e mjekut specialist. Për të bërë një trajtim më të mirë të pacientëve që janë të sëmurë me veshka dhe që preken nga virozat, sidomos nga gripi është mirë që konsultohen me mjekun e tyre specialist, në mënyrë që të parandalohen komplikacione akoma më serioze. Të sëmurët e tjerë me infeksione kronike urinare duhet të kenë kujdes se këto infeksione mund të rëndohen e duhen kontrolluar me analizë urine e duke vepruar sipas rastit pasi është konsultuar me mjekun. Infeksionet urinare mund të jenë edhe një nga komplikacionet e gripit e nuk duhen nënvlerësuar. Një kujdes të veçantë të sëmurët renale duhet të kenë me tensionin arterial, i cili mund të pësojë luhatje e duhet kontrolluar e trajtuar sipas rastit.

Sa ditë është normale kohëzgjatja e gripit te të sëmurët me veshka dhe kur duhet ngritur niveli i alarmit?

Në kushte shtëpiake një grip është normal nga tre deri në pesë ditë, por mund të zgjasë edhe një javë. Në rast komplikacionesh zgjat edhe më shumë por në këto raste duhet paraqitur menjëherë te mjeku dhe të marrë mjekimin përkatës. Në mënyrë kategorike nuk duhet të marrë antibiotikë pa u konsultuar. Vëmë re se të sëmurët marrin direkt antibiotikë pa u konsultuar me mjekun për shkak se tek ata shfaqet një kollë e thatë, e cila e lodh të sëmurin dhe kjo i shqetëson duke i çuar drejt zgjidhjes të menjëhershme përmes marrjes së antibiotikut. Por duhet treguar kujdes pasi antibiotikët nuk mund të përdoren në të njëjtën dozë si te të sëmurët me veshka edhe te personat e tjerë me grip. Duhet theksuar se antibiotiku nuk vepron në viroza, përkundrazi krijon rezistencë dhe duhet marrë vetëm në komplikacionet  e virozave që zhvillohen më lehtë në të sëmurët renale.

Cilat janë këshillat që iu jepni këtyre të sëmurëve për të menaxhuar gripin edhe në kushtet e shtëpisë?

Një i sëmurë i cili ka një dëmtim të funksionit renal poshtë 30%,  nuk mund të përdorë paracetamolin në çdo katër orë, nuk mund të përdorë tylolhotin çdo katër orë, apo ibuprofenin që është anti-inflamator, por duhet të bëjë një kombinim të medikamenteve duke patur parasysh temperaturën, duke bërë një analizë urine, një azotemi të re sepse rëndohet gjendja  në këto raste dhe shumë mirë është që të përdorin lëngje. Edhe sa iu takon lëngjeve duhet të jenë kryesisht çajrja, lëngje që të kenë në përmbajtje vitaminë C; lëngu i boronicës, kokat e trëndafilit të egër e tjerë.

Në fazën aktuale, ku sezoni i gripit është në kulmin e tij a mund të konsiderohet masë parandaluese vaksina?

Vaksinat janë shumë të mira për të bërë parandalimin sepse nuk lejojnë të rëndohet gjendja e tyre shëndetësore dhe virozat kalojnë me lehtë. Mirëpo këshillohet që vaksina të ishte bërë më parë. Që në muajin tetor dhe nëntor ne i kemi këshilluar që të bëjnë vaksinën pa filluar virozat, në mënyrë që të mbrohen. Bërja e vaksinës në këtë periudhë merr përsipër një risk për ta bërë sepse kjo vaksinë vetë e ul rezistencën, sepse injektohet në trup një virus i ri me virulencë të ulët që të luftohen viruset e tjera. Në rast se vendosin të bëjnë tani vaksinën duhet që miminalisht të tregojnë më shumë kujdes për  tre javë dhe të mos kenë kontakte me njerëz që kanë viroza gjatë kësaj periudhe, kohë e domosdoshme për krijimin e antitrupave mbrojtës. Në rast se marrin ndonjë grip në kohën që sapo kanë injektuar vaksinën, mendohet që edhe amplituda e gripit mund  të jetë më e lartë.

Këshilla

Duhet evituar qëndrimi në ambiente me shumë njerëz. Edhe në familjen e tyre nëse kanë familjarë që janë me grip, mirë është që të bëjnë një vetizolim. Nëse duhet të dalin patjetër, personat që kanë kryer transplant, ata në hemodializë duhet të përdorin edhe maskat, një masë e domosdoshme sepse bën një farë mbrojtjeje, po kështu edhe mbështjellja me shallet, (të futet hunda brenda) një mënyrë kjo për të shmangur kontaktet e drejtpërdrejta me personat e sëmurë qofshin këto në ambiente publike, sikurse janë kafenetë, shërbimi urban etj. Ajrosje të dhomave disa herë në ditë për disa minuta. Këshillohet përdorimi i lëngjeve më së shumti çajrat, me bazë kryesisht ato me vitaminë C. Duhet treguar kujdes sa i takon konsumimit të lëngut të portokallit dhe limonit, sepse shumë prej këtyre pacientëve mund të kenë edhe probleme me stomakun, mund të kenë ulcera, gastrite dhe aciditeti i këtyre lëngjeve i dëmton. Edhe sa i takon konsumimit të çajit mirë do të ishte t’i hidhej pak mjaltë dhe pak kripë, sepse virozat e stinës shoqërohen me temperaturë  e ulja e saj shoqërohet edhe me djersitjen, dhe humbasim jo vetëm lëngje por edhe kripë. Ndaj dhe një metodë shumë e mirë për të rikuperuar kripërat e humbura do të ishte konsumimi i çajit me pak mjaltë dhe pak kripë.

dr-anila-pediatreKëshilla për prindërit: Si të menaxhojnë gripin te fëmijët

Në një intervistë për gazetën “Mapo” Anila Sevdari, mjeke pediatre në Qendrën Shëndetësore Nr. 9 në Tiranë sqaron shenjat e gripit te fëmijët, kohëzgjatjen normale dhe këshillat e domosdoshme për prindërit 

Si shfaqet gripi te fëmijët dhe cilat janë shenjat?

Gripi është infeksion akut viral. Mund të shfaqet në çdo grupmoshë pa përjashtim. Më të rrezikuar janë fëmijët me sëmundje kronike, si p.sh. ata me infeksion të rrugëve të sipërme respiratore, astmën bronkiale, patologji kongjenitale etj.

Ku dallohet gripi nga e ftohura?

Gripi mund të shfaqet me hundë të bllokuara, rrufë, kollë, dhimbje trupi dhe koke, temperaturë, mungesë oreksi, debulesë. Shenjat zgjasin për 5-6 ditë. Këshillohet që të merren antipiretikë ose shurupra antiviralë, lëngje frutash, konsum i ushqimeve sa më të freskëta për të përjashtuar edhe helmimet ushqimore që shfaqen më shpesh te personat me imunitet të rënë në periudhë virozash.

Kur fëmija është me temperaturë, si duhet të veprojnë prindërit? 

Temperaturën deri në 38 gradë e menaxhon vetë trupi dhe nuk këshillohet dhënia e asnjë lloj shurupi, as paracetamol, as ibuprofen. Duhet ditur që temperatura është mekanizëm mbrojtës, kundërpërgjigje ndaj diçkaje që nuk shkon, pasi temperatura e trupit rritet që të mos shumohen mikrobet, bakteret. Në momentin që ne e luftojmë menjëherë në një temperaturë më të ulët mund të përparojë më mirë infeksioni se sa po ta linim temperaturën deri në 38 gradë. Te fëmijët e vegjël këshillohet më shumë paracetamoli sepse bën ulje të temperaturës deri në nivel normal. Ndërsa ibuprofeni këshillohet mbi 6 muaj të përdoret sepse në dhënien disaditore rresht mund të bëjë hipotermi, ulje të temperaturës nga mbingarkesa e trupit. E asimilon më pak trupi ibuprofenin, është më i fuqishëm në uljen e temperaturës por të bën edhe hipotermi. Në rast se kemi hipotermi, temperatura duhet matur rektal (nga zorra e trashë) dhe i ulim 0.5 gradë. Në moment që e kemi nën 35 gradë, quhet hipotermi –në këto raste duhet mbajtur ngrohtë, mbështillet me batanije, me gjëra të ngrohta dhe konsulta me mjekun nga ana tjetër kemi edhe hipertermi që temperatura shkon shumë lart, në këtë rast këshillohet dhënia e antipiretikut jo më shpesh se një herë në tre orë. Sa i takon banjës, temperatura e ujit duhet të jetë një deri në dy gradë nën temperaturën e trupit që të kalojë nxehtësia nga trupi në ujë. Sepse në rast se ti e ke me temperaturë dhe e fut edhe në një banjë që duhet të jetë me ujë të nxehtë në vend që t’i ulet temperatura, i ngrihet. Prandaj duhet treguar kujdes që banja të bëhet në kushte ideale. Temperatura është sinjal për problemet që po kalon fëmija, ka raste që tregon për një virozë, ka raste që tregon probleme të tjera. Në varësi të temperaturës në vendosim diagnozën. Në rast se temperatura është 37.5 gradë, në rast të një temperature subfebrile shkon për virozë, shkon edhe për infeksion urinar. Një temperaturë më tepër gjatë mbrëmjes, gjatë natës shkon më tepër për infeksion urinar. Një temperaturë 39 gradë, 39.5 gradë -40 gradë shkon për infeksion fyti.

Si mund ta trajtojmë gripin dhe a këshillohet kryerja e vaksinës aktualisht?

Vaksina këshillohet të bëhet te njerëzit që janë më tepër të rrezikuar, sikurse janë ata me sëmundje kronike dhe te fëmijët por mbi 9-10 vjeç. Prindërit duhet t’i mbajnë fëmijët sa të munden larg vendeve të mbipopulluara, larg personave që shfaqin shenja të gripit, t’i ushqejnë shëndetshëm me sasi të mjaftueshme frutash, perime, çajra, lëngje. Si dhe të shkojnë të konsultohen me mjekun e fëmijës për çdo situatë që nuk e menaxhojnë dot vetë si dhe për mjekimin e mëtejshëm.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Lufta ndaj korrupsionit, PD “fton” LSI

Fondacioni për Liri dhe Demokraci, i ngritur nga PD-ja, ka ftuar ministrin...
Read More