Shqiptarët kanë vetëm një Kombëtare

xhunga

Rudina Xhunga
Unë nuk jam tifoze futbolli dhe  këtë dua ta them qysh në krye të këtij shkrimi, për të mos u keqkuptuar nga tifozët.

Por e kam mbajtur zemrën në dorë, kur luante Kombëtarja në Beograd dhe kam qarë si fëmijë, kur fëmijët e pallatit brohorisnin “Shqipëri, Shqipëri”, për golin e  Kombëtares në Kampionatin Evropian.

Tani që po flitet për largime te djemve nga Kosova drejt Kombëtares së tyre, jam prekur. Sepse tani, mbase do të jemi dy skuadra, por jo dot, dy Kombëtare.

Kombëtarja është e Kombit dhe Kombi nuk kuptohet pa Kosovën.

Kombëtare janë Tifozët Kuq e Zinj dhe ata nuk arrij t’i shoh, tek lënë shpirtin në një klithmë tifozërie për dy skuadra, kur luajnë me njëra -tjetrën.

Ne u kthyem në imazh të Kampionatit Evropian se ishim bashkë,  se kishim tifozerinë më të bukur kuq e zi. As arrij ta mendoj si mund të rikrijohen imazhe të tilla, kur të luajmë veç e veç, si dy skuadra lokale, sepse veç e veç të tillë jemi, thjesht lokalë, jo dot më kombëtarë.

Nuk kam mëri ndaj djemve që do të ikin, madje i kuptoj, ata mezi pritën ditën të jenë të pavarur, por të pavarur nga Serbia jo nga Shqipëria. Çfarë do të thotë të pavarësohesh nga gjaku yt?

Ai stadium që do të ribëhet, te ish Qemal Stafa, pa çunat nga Kosova, do të ketë kulla, por jo lojtarë, do të jetë luks, por as zemër, as zemërim për një gol që nuk bëhet dot.  Ai stadium do të jetë bosh pa ju çuna, që sollët Bashkimin, që bëtë Bashkimin natyral të shqiptarëve.

Kombëtarja është bashkimi ynë real, i natyrshëm, siç natyrshëm jemi bashkë. Kombëtarja është prova se vetëm bashkë bëjmë çudinë, vetëm bashkë bëjmë veten dhe Kombin.

Unë nuk besoj te fuqia e mbinatyrshme e lidershipit, e De Biasit, në këtë rast, por besoj te forca e bashkimit. Bashkë bëmë histori, bëmë golat që i festuam si rrallë gjë më parë.

Kemi qenë bashkë vetëm në Kombëtare dhe vetëm aty shkëlqyem. Sepse një trupi që i mungon një dorë, një këmbë, një sy, një vesh, nuk është më një trup, por një gjysmëtrup, i paralizuar dhe i parealizuar. Bashkë bëjmë trupin që mund të lëvizë dhe malin.

As që e mendoj se mund t’ia dalim veç e veç, është e pamundur, irracionale. Nëse e prishim Kombëtaren, i rikthehemi punëve tona bërë lokalisht, provincialisht, që nuk kanë treg, që nuk kanë sukses, që nuk kane duk. Vetëm nuk mund të shkëlqejë asnjë prej nesh, vetëm i prishim punë njëri-tjetrit dhe të tërës, e vrasim atë që lindi të na bëjë të lumtur qoftë edhe në 90 minuta ndeshje.

Në vend të mësonim prej kësaj mundësie të rrallë bashkimi që solli shkëlqim, ne duam ta prishim dhe të vetmin realitet perfeksioni që patëm.

Kur mund të merrnim shembull dhe ta përdornim eksperiencën prej saj, në arsim, biznes, turizëm.

Shifrat me të cilat mburren Ministritë e Turizmit në Shqipëri, janë thjesht hyrje -dalje në shumicë të shqiptarëve të Kosovës. Ata popullojnë plazhet tona, restorantet tona, ata janë turizmi ynë, pushimet e kosovarëve që vijnë  si në shtëpi, në shtëpinë buzë detit, shtëpinë në mal.

Trafiku i verës që të mban peng në rrugët tona të pambaruara, është për shkak të tyre që mësyjnë bregdetin nga Rruga e Kombit. Kur i sheh bashkë dy policitë nga Kukësi në Lezhë, kupton se kemi mësuar prej tyre të mos parakalojmë në trafik, të mos dalim para tjetrit, siç e kemi zakon ne të Shqipërisë.

Krahasoni Morinën me Qafë Thanën, dhe e kuptoni ndryshimin.

Çdo përfitim, çdo shifër, çdo euro e hyrë në vere, është për shkak të Kosovës.

Nuk më ka ndodhur të ulem në një plazh dhe të mos kem afër dikë nga Kosova apo diaspora e saj në botë. E kam plot e -mailin me urime kosovarësh që kanë shkuar në vendet e panjohura të Shqipërisë së bukur që kam treguar në Vizion Plus dhe më falenderojnë, apo çojnë foto si nga Rehova këtë verë.

Para disa ditësh më ftuan në Pejë, duke më shpjeguar se të tregosh për Valbonën, por jo për Pejën, është si ta lësh tregimin në mes. Javën e shkuar më erdhi një letër e 30  kosovarëve që jetojnë në Suedi e Finlandë dhe kanë blerë shtëpi të dytë në Sarandë. Ata më rreshtonin gjithë propozimet e tyre, si do të donin të zhvillohej Saranda dhe për çfarë ndërhyrjesh kishte nevojë urgjentisht,  që të kthehej nga një qytet vere, në Mbretëreshën e Arbërve.

Kur shoh pallatet e Vlorës nga Lungomare te Plazhi i vjetër e deri në hyrje të qytetit, të gjitha bosh e të pashitura, më vjen t’i them Kryetarit të Bashkisë; po mirë e bëtë qytetar nderi Rexhep Qosjen, po si nuk i dhuroni një shtëpi, të kalojë verën në Vlorë?

Bëjeni me disa personalitete të Kosovës, se bashkë me ta do të vijë besimi  se në Vlorë mund të bësh pushime e të blesh shtëpi, për të kaluar dy muaj vere e shumë fundjava dimri,  se Vlora ka vend për gjithë Kosovën. Besimi do t’i mbushe pallatet e Vlorës, jo Lungomare. Do t’i mbushë me kosovarë, që do të ndryshojnë dhe përmirësojnë jetën e qytetit, do të sjellin bukën e Gjakovës dhe djathin e Sharrës dhe do të ndajnë bashkë mishin e Labërisë , do i shndërrojnë  fshatrat e lumit  të Vlorës, ( që tani i ka marrë lumi) në destinacionet magjepsëse të verës që vjen.

Unë besoj aq fort te fuqia e bashkimit  me Kosovën në një treg, sa te asnjë politikë dhe politikan. Besoj se vetëm bashkë mund të bëjmë trupin që ecën vetë, tregun që prodhon portokalle në Xarrë dhe i shet në Prishtinë, djathin  në Këlcyrë dhe e shet në Vushtri, domatet e shalqinj në Lushnjë që i shet në Prizren.

Mandej Kosova do të sjellë gjithë ç’nuk mundemi ne të bëjmë këtu, dhe ka sa të duash, që ata e bëjnë më mirë, por kam nevojë për  Enver Robellin të tregojë pjesën tjetër.

Sepse Valbona është plot, ka ardhur koha të shkojmë edhe në Brezovicë, ka ardhur koha të njohim Rugovën,  të njohim më mirë të bukurën që na ndan, sepse ajo do të na bashkojë. Jo patriotizmi, por përfitimi. Do të përfitojmë të gjithë nga bashkimi. Do të jemi më të pavarur, sepse do jemi më të mirëqenë.

Nuk na pavarëson ndarja nga vetvetja, por njohja e vetvetes. Bashkimi do të na pavarësojë nga varfëria, nga pasiviteti, nga provincializmi, nga vrasja e mendjes, nga adhurimi ndaj të huajit. Se nuk njohim dhe duam veten, ndaj adhurojmë barin e fqinjit, që nuk është më i gjelbër, por është më i madh, ndaj dhe më i pasur.

Ne do të bëhemi shumë shpejt të tillë. Kur të bëhemi një trup, një treg, do të bëhemi më të mëdhenj, më të pasur, do të heqim dorë nga lufta e patateve dhe të bëjmë Kombëtaren tonë të Biznesit, Kombëtaren tonë të Letrave, Kombëtaren tonë të Diplomacisë. E ndërsa kemi rrugë përpara,  të paktën kemi mundur të krijojmë Kombëtaren tonë të yjeve të Futbollit. Si mund ta prishim këtë themel, mbi të cilin do të ngremë Pallatin e Ëndrrave Tona?!

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Video: “Të lutem mos më lër”, ngjitet pas këmbës së të dashurës

Ky është momenti i çuditshëm kur një burrë u filmua teksa ngjitej...
Read More