Shpërthim në ambasadën amerikane në Mal të Zi

 

Një shpërthim ka ndodhur në ambasadën amerikanë në Mal të Zi, raporton Ora News. Lajmi është bërë publik nga qeveria malazeze e cila në një postim në Twitter sqaron se një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese.

“Një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese. Para kësaj, ai person hodhi një pajisje shpërthyese nga kryqëzimi pranë Qendrës së Sporteve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Sulmi ndodhi pak pas mesnatës rreth orës 00:30 dhe nuk dihet se çfarë motive ka ky sulm.

Qeveria tha se pajisja e hedhur në ambasadë dyshphet  të ketë qenë granatë dore dhe se hetimet janë në proces.

Ambasada i paralajmëroi shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës.

“Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar.

Ndërkohë Steve Goldstein, nën sekretari për diplomacinë publike dhe çështjet publike, tha se askush në ambasadë nuk u plagos.

Një roje në një qendër sportive aty pranë tha për agjencinë e lajmeve AFP se ai “dëgjoi dy shpërthime, njëra pas tjetrës”. Ai shtoi: “Policia erdhi shumë shpejt dhe trupi i një burri u hoq”.

Autoritetet janë duke punuar për të zbardhur ngjarjen.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Negociatat me BE, Luan Rama: Ju tregoj skandalin e radhës së një qeverie skandalesh

  Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka akuzuar qeverinë...
Read More