SHBA: Drejtësia e re në Shqipëri, do sjellë më shumë investime

 

Dan Koski, zv/Ambasadori në Detyrë i SHBA-së në Tiranë, gjatë fjalës në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë deklaroi se reforma në drejtësi do të krijojë një klimë biznesi të drejtë për të gjitha kompanitë amerikane për të investuar në Shqipëri. Ai tha se çdo vit, Shqipëria humbet miliona dollarë në investime të huaja direkte të mundshme, kryesisht për shkak të perceptimeve negative të klimës së saj të biznesit, por ka një lajm të mirë në horizont.

Fjala e Dan Koskit:

 Dhoma është në drejtimin e duhur. Megjithatë, ka ende punë për të bërë për të përmirësuar klimën e investimeve të Shqipërisë.Çdo vit, Shqipëria humbet miliona dollarë në investime të huaja direkte të mundshme, kryesisht për shkak të perceptimeve negative të klimës së saj të biznesit. Por ka një lajm të mirë në horizont.

Për të gjithë investitorët e mundshëm, si kompani amerikane ashtu edhe ato perëndimore, kam ardhur me një mesazh: sistemi ligjor i Shqipërisë po ndryshon dhe një klimë më e mirë biznesi ju pret këtu. Si do ta përmirësojë reforma në drejtësi klimën e biznesit të Shqipërisë? Më lejoni t’ju jap gjashtë shembuj.

Së pari, një gjyqësor etik dhe i ndershëm do të sigurojë që prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar më në fund të mbahen përgjegjës. Ditëve të marrëveshjeve të pista dhe drejtësisë së mohuar po u vjen fundi. Një sistem i drejtësisë penale që është i ashpër me korrupsionin dhe krimin e organizuar do të sigurojë tek bizneset e ligjshme besimin që interesat e tyre do të mbrohen.

Së dyti, një sistem gjyqësor i reformuar do të zbatojë paprekshmërinë e kontratës. Investitorët e huaj dhe vendas kërkojnë sigurinë që kontratat do të respektohen dhe zbatohen. Investitorët duhet të kenë besim se ata do të kompensohen për shitjen e produkteve dhe shërbimeve të tyre sipas kushteve të miratuara nga secila palë.

Së treti, një sistem ligjor i drejtë dhe i pavarur do t’i nxisë bizneset të kërkojnë regjistrim zyrtar dhe do të pengojë aktorët e pandershëm të paguajnë ryshfet për të shmangur detyrimet e tyre tatimore. Investitorët e respektuar përpiqen të qëndrojnë në përputhje me ligjin dhe të paguajnë taksat e tyre. Megjithatë, pronarët e bizneseve janë ankuar se shumë nga konkurrentët e tyre të huaj dhe vendas – përfshirë shumë kompani që veprojnë jozyrtarisht në Shqipëri – nuk paguajnë taksa. Një gjyqësori i reformuar do të ndihmojë në balancimin e hapësirës për çdo biznes me reputacion që vepron në Shqipëri.

Së katërti, një gjyqësor i drejtë dhe i pavarur do të sigurojë mbrojtjen e të drejtave të pronës së patundshme. Investitorët përmendin kaosin rreth pretendimeve pronësore si një shembull se si sistemi ligjor ka penguar rritjen ekonomike afatgjatë në Shqipëri. Në një rast tipik, një familjeje iu kthye një parcelë prone, por nuk ishte në gjendje ta merrte përfundimisht pronësinë për më shumë se 20 vjet. Më vonë dolën pretendues të tjerë, dhe, pas dyerve të mbyllura, ata i bindën gjyqtarët se toka duhej t’iu jepej atyre. Kjo praktikë nën rrogoz të vjedhjes së pronës së njerëzve të tjerë do të ndalet së shpejti.

Së pesti, një sistem ligjor profesional do të sigurojë mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Idetë dhe njohuritë janë një pjesë jetike e tregtisë dhe investimeve dhe investitorët kërkojnë besim që të drejtat e tyre të pronësisë intelektuale respektohen dhe shkelësit do të nxirren para drejtësisë.

Së fundi, një sistem ligjor i ndershëm dhe funksional do të sigurojë që zyrtarët e korruptuar ose do ta mendojnë dy herë – ose do të paguajnë çmimin – për kërkimin e ryshfetit. Korrupsioni në portet dhe pikat e kontrollit kufitar është një nga faktorët më problematikë për investitorët dhe tregtinë ndërkombëtare, si dhe një problem që u përmend në Indeksin e Biznesit të Dhomës Amerikane të këtij viti. Nëse zyrtarët e korruptuar të doganave nuk do të bëjnë punën e tyre, një sistem ligjor i reformuar do t’i largojë për të krijuar hapësirë për njerëz me reputacion që do të bëjnë punën.

Shtetet e Bashkuara kanë besim se reforma në drejtësi do të krijojë një klimë biznesi të drejtë, transparente dhe të parashikueshme, e cila është më e mirë për bizneset tuaja dhe për të gjitha kompanitë amerikane të frymëzuara për të investuar në Shqipëri.

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Letër Dylqinës”, historia e një libri jo të zakonshëm

  Nga Bajram Karabolli Lexuesi i mirë kurrë nuk i harron autorët...
Read More