Op Ed

Shansi për një kulturë të re politike





               Publikuar në : 09:23 - 16/08/16 |
mapo.al

Albert RakipiNga Albert Rakipi


Pikërisht në kohën kur Kryeministri Rama ishte duke mbajtur fjalimin e tij në parlament , në mesnatën  e  datës 21 – 22 korrik , përpara miratimit  me  konsensus të reformës në drejtësi, Ilir Meta la karrigen  e kryetarit të parlamentit  dhe sallën që buçiste nga zëri i kryeministrit.



Shumëkush e  lexoi  largimin e qetë të  kryetarit të parlamentit, pikërisht  në momentin kur fliste kryeministri, si një “bojkot“  publik, si një  demonstrim të zemërimit të  Ilir Metës “për përpjekjet  e hapura dhe të fshehta për të gërryer legjitimitetin dhe figurën e tij, duke e anashkaluar e neglizhuar si faktor në një  reformë të rëndësishme, siç ishin ndryshimet kushtetuese për  të reformuar  sistemin e drejtësisë, të korruptuar dhe jo funksionues.


Vëzhgues të tjerë nxituan ta interpretonin si një provë të re të “prishjes së aleancës PS-LSI“ dhe   mosfunksionimit të këtij koalicioni. Hamendësimi i fundit por jo i fundit për nga rëndësia ishte  se braktisja e butë e sallës  nga  Ilir Meta  duhet të lexohej  si një refuzim  publik  i kryetarit të parlamentit  për t’u bashkuar  frymës përçarëse të fjalimeve me “fitues” dhe “të mundur”

Por  ndoshta largimi i Ilir Metës, kur fliste  kryeministri, ishte thjesht një rastësi, diçka njerëzore apo  thjesht  një detaj i rëndomtë pa asnjë domethënie  politike, për shembull, të themi  një nevojë  utilitare për të shkuar në restroom-in  e parlamentit.

Mirëpo  këmbëngulja  stoike e  kryetarit të parlamentit që “reforma në drejtësi “ të votohej me konsensusin e opozitës si dhe zhvillimet që vijuan më pas  sugjerojnë se  ndoshta “bojkotimi” i fjalimit të kryeministrit nuk ishte diçka “teknike” dhe  mediokre, por kishte një domethënie politike: Refuzimin  publik të Ilir Metës  për politikën e konfliktit, për politikat përçarëse, tensionin politik thuajse të përhershëm midis qeverisë dhe opozitës që, në fakt, ka qenë  dhe vijon të jetë karakteristika themelore e Shqipërisë politike qysh nga  rënia e komunizmit.

Janë disa fakte  dhe jo opinione ato që  sugjerojnë dhe ndoshta paralajmërojnë  idenë e një ndryshimi themelor  në kulturën politike në Shqipëri, refuzimin  e kulturës politike  që mbështetet te  konflikti, përçarja dhe armiqësia,  si instrumente të  zhvillimit të politikës.

Nëse është kështu, atëherë kjo  sigurisht do të  paralajmëronte fundin e tranzicionit politik në Shqipëri.  Konflikti i ashpër politik,  armiqësia e  përhershme,  kultura e zero sum game, varësia totale  nga komuniteti ndërkombëtar si dhe pajtimi  dhe  shkuarja drejt marrëveshjeve vetëm pas krizave politike të thella  dhe vetëm përmes ndërhyrjeve të të huajve, kanë qenë dominuese gjatë 25 vjetëve të tranzicionit, qysh nga rënia e komunizmit.

Eshtë  ne fakt shumë e bukur për të qënë e vërtetë:  Konsensus  dhe bashkëpunimi në vend të konfliktit dhe përçarjes midis qeverisë dhe opozitës, konflikt dhe përçarje që kanë sjellë  dëme të  jashtëzakonshme për zhvillimin e vendit, që kanë minuar  zhvillimin  për më shumë se dy dekada  dhe mbi të gjitha kanë vënë në pikëpyetje   të ardhmen.

Gjatë 25 vjetëve të fundit konflikti politik, përçarja dhe mosbesimi midis palëve politike e ka çuar vendin herë-herë në  buzë të greminës, ndërsa dhe shteti ka rënë apo ka qenë në prag të dështimit disa herë. Pothuajse të gjitha zgjedhjet parlamentare janë kontestuar nga opozita. Është e vështirë të gjenden më shumë se një a dy  legjislatura parlamentare  gjatë këtij çerek shekulli që të mos kenë filluar pa bojkotim të opozitës. Më 2009, bojkoti ishte spektakular:  Opozita përveç bojkotit të parlamentit   ndërmori  dhe  një grevë urie përballë zyrës së kryeministrit. Ishte shumë e habitshme, tragjike , e pabesueshme dhe njëherazi shumë dëshpëruese që në një vend anëtar të NATO-s politika po dështonte të funksiononte në mënyrë normale . Më 1997, Shqipëria, më shumë se një shteti, i ngjante një territori të paqeverisur ose në “state of nature”  sipas Hobsit . Kriza e vitit 1997, më e rënda në historinë moderne të shtetit shqiptar, u kapërcye dhe palët shkuan drejt pajtimit dhe një marrëveshjeje politike përmes ndërhyrjes së të huajve. Por ky nuk është  një episod i vetëm  i dështimit të politikës   në vend dhe i zgjidhjes së krizës dhe pajtimit  midis palëve vetëm me ndërhyrjen e të huajve. Më 1998, kur vendi ishte shumë pranë  zhytjes në një krizë të re të ngjashme me atë të vitit 1997, pajtimi midis palëve dhe marrëveshja u bë e mundur vetëm përmes ndërhyrjes ndërkombëtare. Konflikti i thellë politik dhe mosmarrëveshjet  kanë qenë  të përhershme  gjatë ose  pas   mbarimit të zgjedhjeve, që janë shoqëruar me bojkotim të procesit zgjedhor, bojkotim të parlamentit, mosnjohje të rezultateve të zgjedhjeve , situata që kanë vënë në rrezik stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Dalja nga  këto situata të thella konfliktuale  gjithashtu është bërë e mundur  me ndërhyrjen  nga  komuniteti ndërkombëtar.  Edhe për të  ndryshuar rregullat e  një procesi zgjedhor( ajo që bëhet çdo katër vjet në Shqipëri dhe quhet reformë zgjedhore) është kërkuar  gjithmonë ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar.  Reforma në drejtësi është shembulli më i fundit dhe ndoshta më i ploti i politikës konfliktuale, mosmarrëveshjeve , mosbesimit  midis udhëheqësve  shqiptarë  dhe i ndërhyrjes  ekstreme të  faktorit ndërkombëtar.

Formalisht demokracia  është “loja e vetme në qytet” , por   në substancë  kjo është një lojë konflikti, sipas parimit ” Zero sum game “: Ai që fiton i mer të gjitha:  ndërton qeverinë e vet, administratën e vet, (pasi ka spastruar të mëparshmen,) emëron gjyqtarët , prokurorët, doganierët e vet, diplomatët, mjekët, profesorët. Ndan licencat, projektet , fondet, gjithçka.

Kjo është historia politike e tranzicionit shqiptar: një trashëgimi e rëndë e 25 vjetëve të fundit e një konflikti të thellë mosbesimi dhe armiqësie.

Zëvendësimi i kësaj trashëgime konflikti të thellë me bashkëpunimin dhe konsensusin  duket  vërtet shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Por një hap është hedhur: Në kulmin e konfliktit dhe armiqësisë midis opozitës dhe qeverisë, në kulmin e mosmarrëveshjeve dhe ndarjeve të thella lidhur me ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, Ilir Meta ka propozua konsensusin dhe madje ka insistuar për  ta votuar me konsensus këtë reformë.

Kryetari i parlamentit propozon që politika  dhe udhëheqësit politikë në Shqipëri të heqin dorë nga kërkimi i armikut, që është opozita, duke  u kujtuar udhëheqësve se Shqipëria është një regjim demokratik i pakthyeshëm dhe është në natyrën e  regjimit që shumica e sotme nesër të jetë opozitë.

Dikush mund të thotë se Ilir Meta  ka propozuar konsensusin si të vetmen rrugë për  t’u rifaktorizuar pas përpjekjeve  të hapura dhe të fshehta për ta anashkaluar, shpërfillur, delegjitimuar. Dhe kësisoj  Meta është udhëhequr nga interesat  e veta politike , interesat e pushtetit.

Eshtë e vërtetë se  përpjekjet për reformën në drejtësi u shndërruan në një “zero sum game,” (  Eshtë e kuptueshme që  qeveria t’i fitoje të gjitha, opozita duhet t’i humbasë të gjitha) por  ndërsa  ishin të kuptueshme përpjekjet për të paraqitur opozitën si kundërshtare të reformës, deri edhe kundërshtare të Perëndimit, përpjekjet e fshehta për të projektuar   Ilir Metën si një armik të  fshehtë të  reformës ishin  të pakuptueshme , foshnjarake, jo politike dhe të padobishme.

Së dyti, është utopike të  pretendosh se ekzistojnë në  këtë planet politikanë që nuk shohin interesin e tyre politik. Ne kemi pa fund, bota gjithashtu , politikanë që  vendosin interesat  politike afatshkurtra mbi interesin publik. Por nëse një politikan  avancon interesat e veta të pushtetit duke avancuar interesin  publik  kjo vetëm e kritikueshme nuk mund të jetë .

Çështja  është :  A do të mbahet gjallë fryma e konsensusit  dhe bashkëpunimit  politik në Shqipëri?  A  do të shkohet drejt shuarjes së konfliktit, si një instrument i zhvillimit të politikës, që propozon kryetari i parlamentit?

Është  e qartë dhe e sigurt se një  përkushtim dhe investim në këtë  drejtim  do t’i jepte çdo politikani  përmasën dhe  mirënjohjen si një politikan me vizion, si një shtetar i vërtetë, si një burrë shteti.



Pas