Sfidat e SHBA-së përballë Turqisë

Blendi LamiNga Blendi Lami*

“Turqia nuk do të lejojë ‘korridorin e terrorit’ në veri të Sirisë,” deklaroi presidenti Erdogan, i cili mohon gjithashtu se Njësitë e Mbrojtjes Popullore, krahu i armatosur i Partisë Demokratike Kurde-Siriane (PDKS), janë tërhequr në perëndim të lumit Eufrat. Ai shtoi gjithashtu se “komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të zgjedhë mes terroristëve të ISIS-it apo atyre kurdë”. Kjo deklaratë e ashpër vjen pas më 24 gushtit, kur turqit u hodhën në ofensivë për ta shkatërruar korridorin që do të lidhte krahinat kurde në një shtet gjysmë-autonom, përgjatë kufirit turk. E gjendur përpara këtij fakti, SHBA e mbështeti gatishmërinë e Turqisë për të zhvendosur kurdët në perëndim të lumit Eufrat, duke iu kërkuar kurdëve të pranonin kërkesat e turqve. (Duhet theksuar se forcat kurde mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër ISIS-it, por Turqia i konsideron organizatë terroriste. Këtu, lind edhe përplasja e parë mes SHBA-së dhe Turqisë.) Megjithatë, duket se Uashingtoni është kundër progresit të “Operacionit për Mbrojtjen e Eufratit” (“Operation Euphrates Shield”), një fushatë brenda kufirit sirian, e realizuar nga ushtria turke dhe grupet rebele të mbështetura nga Turqia kundër ISIS-it, si dhe kundër forcave të Partisë Demokratike Kurde-Siriane.

Është e qartë se SHBA dhe Turqia kanë interesa të ndryshme për të ardhmen e kurdëve. SHBA-së i nevojiten për të luftuar ISIS-in, ndërsa Turqia kërkon të zbehë forcën e tyre, pasi i frikësohet faktorizimit kurd. SHBA është e kënaqur me përparimin e tyre në luftë, Turqia është e pakënaqur me shtimin e peshës gjeopolitike të tyre. Në këtë kuadër, del në pah padyshim mënyra se si sillet Turqia përkundrejt fuqisë më të madhe botërore, duke e sfiduar haptas.

Turqia deklaron se PDKS dhe krahu i saj i armatosur janë pjesë e Partisë Komuniste të Kurdistanit (PKK), e udhëhequr nga Abdullah Oçalani, i dënuar me burgim të përjetshëm, me akuzën e drejtimit të një grupi terrorist. Nga ana tjetër, SHBA, ashtu si shumica e vendeve europiane, e konsiderojnë Partinë Komuniste të Kurdistanit si një organizatë terroriste, por nuk kanë të njëjtin qëndrim për PDSK-në. Në fakt, Sekretari i Mbrojtjes së SHBA, Ashton Carter, gjatë një seance dëgjimore në Senat, ka pranuar një lidhje mes PDKS-së dhe PKK-së. Sado kontradiktore që të duket, pas deklarimit të Carter-it, Shtëpia e Bardhë nuk e pranon një lidhje të tillë.

Së pari, Turqia, tanimë që është pajtuar me Rusinë dhe së bashku kanë përcaktuar politikat e tyre për Sirinë, e ka vënë në pozitë të vështirë SHBA-në. Në një kontekst të tillë, Turqia realizon dy objektiva të vet (dhe njëherazi “hedh në erë” dy objektiva amerikanë): a) sprapsja e forcave kurde në lindje të Eufratit dhe b) moslejimi i krijimit të një korridori kurd përgjatë kufirit turk. Në këtë linjë, zbulohet strategjia amerikane e përmbajtjes [zbehjes] së forcës turke për influencë në Lindjen e Mesme dhe forcimi i rolit kurd në rajon, një rol që përkon me interesat aktuale amerikane.

Së dyti, deklarata e mësipërme e Erdoganit në lidhje me “zgjedhjen” i bën jehonë deklaratës së presidentit Bush pas sulmeve të 11 shtatorit. Asokohe, Bush deklaronte “. . . ose jeni me ne, ose jeni me terroristët”, duke mos u lënë mundësi shteteve me qëndrime të luhatura të mos i bashkoheshin koalicionit kundër Al-Kaedës. Në një formë të stërholluar, Erdogani e përdor konceptin e zgjedhjes, duke nënkuptuar se SHBA mund të jetë ose me Turqinë ose me kurdët. Edhe në këtë rast, Turqia bën një lëvizje strategjike shahistike, duke e vënë Amerikën në pozitë të disfavorshme.

Së treti, në këto kushte, Uashingtoni është i detyruar të mbajë një ekuilibër mes Turqisë dhe kurdëve, përndryshe mbetet pas në luftën kundër ISIS, teksa duket se ka “harruar” luftën për rrëzimin e Asadit. Por duket se kurdët nuk do të tërhiqen. Kështu, në një kohë kur e ka tejkaluar masën me SHBA-në, fuqinë e vetme botërore, Turqia vazhdon të deklarojë se nuk do të luftojë vetëm kundër ISIS-it, por dhe kundër kurdëve.

Së katërti, jemi në një kohë kur Turqia i ka dhënë ultimatum SHBA-së në lidhje me ekstradimin e Fethullah Gulen-it, sipas Turqisë, organizator i grushtit të shtetit. Nga ana tjetër, fuqia më e madhe në botë i përgjigjet Turqisë se do ta marrë në konsideratë kërkesën e saj, ndërkohë që Turqia thekson se nuk është kërkesë por ultimatum. (Në ç’mënyrë mund ta zbatojë ultimatumin Turqia mbetet ende e paditur!)

Së pesti, dihet se SHBA ka një avantazh në tokën turke, bazën e Incirlik-ut, të cilën mund ta përdorë jo vetëm për të luftuar ISIS-in. Aktualisht, në Turqi po zhvillohet një debat në lidhje me magazinimin e armëve bërthamore taktike në Incirlik. Turqit ndihen të kërcënuar nga kjo manovër, dhe ka zëra që kërkojnë zhvendosjen e bazës, kur dihet se kjo bazë ushtarake ka shërbyer, ndër të tjera, për dekada me radhë – kryesisht – për përmbajtjen e ekspansionit rus. Një fuqi në rritje, Turqia e di mirë se prania e kësaj baze në tokën e saj shërben për ta mbajtur nga frerët. (Kjo paranojë turke për frikë nga amerikanët u pa natën e grushtit të shtetit kur baza në fjalë u rrethua nga trupat ushtarake dhe iu ndërpre energjia elektrike.)

Për amerikanët, situata është tepër konfuze, ndërsa për turqit është e favorshme. Ndaj, duket se Ankaraja po e sfidon Uashingtonin në një mënyrë që rrallëkush mund ta ketë parashikuar. Në librin e tij, “Njëqind vitet e ardhshme”, një ndër strategjistët më të mëdhenj të kohëve të sotme, George Friedman, ka parashikuar më shumë se kaq. Jo vetëm se në të ardhmen Turqia do të bëhet një fuqi e madhe, por do t’i hapë luftë Amerikës.

*Pedagog, UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ligji i vettingut ra, reforma jo

Nga Fitim Zekthi Pezullimi i ligjit të vettingut nga Gjykata Kushtetuese ka...
Read More