Sevasti Qiriazi, mësuesja e parë që regjimi komunist i vrau djemtë

7 mars, dita e mësuesve. Është dita kur të gjithë përulemi me respekt para mësuesve. Kujto.al zgjedh të përkujtojë këtë ditë të rëndësishme me një homazh për një prej figurave më të ndritura të historisë tonë, që si askush dha gjithçka kishte për arsimin në Shqipërinë e viteve të para të shekullit të shkuar. 
 
Sevasti Qiriazi dhe motra e saj Parashqevi Qiriazi, dy motrat kurajoze që luftuan për arsimin shqip në atë kohë kur në vendin tonë analfabetizmi ishte sundues në shumicën e popullsisë. Por cili ishte shpërblimi që mori Sevasti Qiriazi për kontributin  saj të pazëvëndësueshëm në fushën e arsimit?! Si shumë të tjerë, mendje të ndritura të Shqipërisë, ajo mori si “shpërblim” vuajtjet e pashoqe nën dhunën komuniste.
 
Themeluese e Shkollës së Vashave në Korçë

Sevasti Dako (Qiriazi), lindi në vitin 1871 dhe  ishte atdhetare dhe nismëtare e organizimit të arsimit shqiptar për femra. Ishte e para grua shqiptare që studioi në institucionin amerikan, kolegjin me emër “Robert College” në Konstandinopojë (Stamboll), të cilin e kreu në qershor 1891.  Pas përfundimit të studimeve, ajo u kthye në Shqipëri dhe mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më 1891. Bashkë me motrën e saj Parashqevi Qiriazi, ishin mësueset dhe edukatoret e para të shkollës së vashave që u hap më 1891 në Korçë, nga ku dolën shumë emra të njohur të femrave, të cilat kontribuan në fushën e arsimit. Sevasti Qiriazi mbahet mend për shumë veprimtari patriotike, por kryesisht si nismëtare e arsimit dhe emancipimit shoqëror të femrës shqiptare.

“Mësonjëtorja”, është një ndër filmat më të bukur shqiptarë të realizuar në kohën e diktaturës komuniste. Ai film është mishërim i personazheve të shquar të arsimit shqiptar, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi dhe vëllait të tyre Gjerasim Qiriazi. Sevastia e Gjerasimi vijnë në këtë film përmes personazheve kryesorë Dafina e Stefan Bardhi. Ai film i kushtohej Sevastisë, por në asnjë rast nuk identifikohej ky fakt, sepse Sevasti Qiriazi dhe familja e saj pësuan dhunën më të tmerrshme të sistemit komunist, me vrasje, burgosje e internime. Nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse ishte një ndër familjet më të kulturuara në Shqipëri. Sevasti Qiriazi bashkë me vëllain e motrën e saj, hapën shkollën e parë shqipe në Korçë dhe kaq mjafton.

Ja çfarë shkruante Edit Durham, pas vizitës në Korçë në vitin 1903. Ajo e përshkruante kështu shkollën e Vashave: “Zonjusha Kyrias (Sevasti Qiriazi), një grua shumë e përgatitur dhe kurajoze, pati shkuar në Amerikë me ndihmën e misionarëve amerikanë, qe trajnuar atje dhe kur u kthye në Korçë qe emëruar drejtoreshë e një shkolle femërore nën patronazhin e Misionit Amerikan. Sevasti përdorte tekste shkollorë amerikanë dhe jepte mësim në gjuhën shqipe. Mbas mbylljes së shkollës mashkullore të Korçës, kjo mbeti e vetmja shkollë në Shqipërinë Jugore, ku mund të mësohej shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Edhe pse frekuentimi i asaj shkolle sillte rrezikun që vajzat dhe prindërit të ishin persekutuar nga autoritetet turke, klasat ishin gjithmonë plot. Vajzat krishtere dhe muslimane mësonin të shkruanin dhe të lexonin në shqip dhe i mësonin edhe vëllezërve të tyre. Shkolla e Vashave ishte kaq moderne sa që më dukej se isha kthyer papritur në Europë”.

Ajo që do të përballej me të njëjtin mallkim që u përballën mijëra shqiptarë të arsimuar. Dijet e tyre ishin armiku kryesor i diktatorit Enver Hoxha. Sevasti Qiriazi përjetoi zemërplasur humbjen e Gjergjit, djalit të saj, e trupin e munguar të tij për ta përcjellë në banesën e fundit. Komunistët nuk ia kanë dhënë as këtë mundësi. Sevasti Qiriazi përjetoi burgosjen e djalit tjetër, Aleksandrit si dhe vrasjen e përdhosjen e kufomës së bashkëshortit të saj, patriotit të madh, Kristo Dakos. Ajo iku nga kjo botë, pasi pa të shkatërruar familjen, por edhe atdheun, për të cilin kishte punuar me mish e shpirt, gjithë jetën e saj./kujto.al

Shkruar Nga
More from Redaksia

‘Po të mos kishim 8 të vrarë në Selenicë…’/ Berisha ‘shpërthen’ ndaj Ramës: Përdhose shpirtrat e tyre!

Ish-kryeministri, Sali Berisha, si një mjek në profesion ka marrë në analizë...
Read More