Sa të vërteta dhe sekrete fshehin shkrimtarët shqiptarë

shkrimtariPër herë të parë një interpretim autobiografik në romanet shqiptare; një fushë kërkimi që pas viteve ’90-të e sjell shkrimtari Virion Graci në botimin kërkimor “Autobiografizmi dhe romani”; Biografizmi nga De Reda, Skiroi… plejada e viteve ’30 me tekstet autobiografike të Konicës, Nolit, Kutelit, në diktaturë ku përveç emrave të Kadaresë dhe Petro Markos deri në vitin ’90 përveç Kadaresë dhe Petro Markos për autobiografizëm në romanin shqiptar nuk mund të flitet, më pas janë disa romancierë të rinj që e kanë kthyer lëndën autobiografike në histori veprash të suksesshme 

Frikacak, me të vërtetë frikacak është ai shkrimtar që ka frikë nga kujtimet e tij, thotë Elias Kaneti, autori nobelist i një autobiografie që njohu sukses dhe vlerësime, ndërsa Karl Gustav Jung, më pak optimist në riprodhimin e përpiktë të historive vetjake shkruan: Është kaq e vështirë të shkruash autobiografinë sepse kur gjykojmë për vetveten nuk kemi standard dhe as kritere objektive. Nuk kemi mundësi që të shërbejnë si pikënisje krahasimi…

Janë këto përcaktime se si lënda jetësore, njerëzorja,  ajo biografike shndërrohet në romane të njohur gjerësisht në letërsinë botërore, ndërsa në letërsinë shqiptare gjurmët e autobiografizmit nisin nga De Rada, Skiroi…zënë vitet ’30 me shpërthimin e plejadës letrare duke shkrirë në një qënien e tyre letrare me atë atdhetare…me ndërprerjen nga ’44 deri më ’90 ku janë vetëm gjurmët e dy autorëve: Kadare dhe Petro Marko. Është ky një kërkim që sjell për herë të parë intepretimin autobiografik në romanet shqiptare nga studiuesi Virion Graçi në botimin “Autobiografizmi dhe romani”.

“Lënda e parë për çdo shkrimtar, sikurse është provuar nga përvoja shekullore e ekzistencës së artit letar është jeta njerëzore, përkatësia dhe pjesëmarrja aktive e autorit në shoqërinë njerëzore. Edhe kur zhvendosen skenat e ngjarjeve nga hapësira shoqërore në natyrën e virgjër ose në vende të trilluara mirëfilli prej autorit, edhe kur protagonistët, bartësit e fabulës e të veprimit artistik nuk janë njerëz, gjithçka nënkupton problematikën dhe gjakimin konkret njerëzor në luftë për t’u afirmuar dhe për të dëshmuar praninë e tij të përveçme në jetën e përbashkët”, thotë Virion Graçi.

Mbështetur në analizën dhe kritikën tematike të romaneve Graçi bën dhe krahasimin e veprave dhe autorëve përkatës, duke studiuar autobiografizmin në romanin francez dhe në romanin shqiptar, edhe pse vëren një shpërpjesëtim cilësor dhe sasior.

Kjo është e kuptueshme për autorin pasi pranëvendos autorë dhe vepra nga dy letërsi me pabarazi të theksuara: letërsia e shquar franceze, me një traditë të gjatë e të pasur të romanit, dhe letërsia shqipe e kultivuar vonë, me një jetë të shkurtër dhe me një traditë shumë modeste. Kështu studiusi ndan se i është referuar një gjykimi sistematik dhe konceptual të lëndës duke e orientuar kërkimin drejt disa prej mënyrave më kategorike sipas të cilave janë përdorur lëndët autobiografike prej romancierëve.

Sipas tij edhe rrëfimet e mëdha epike të shek. XIX, edhe në ngjarjet e mëdha evolutive që kaloi romani europian gjatë shek XX nënkuptojmë këtu kulmet romanore me Xhojsin, Kafkën, Prustin Hessen, Zhidin etj në veprat e tyre vihen në dukje elementë të fuqishëm autobiografikë.

Pra, megjithëse është modernizuar e sofistikuar së tepërmi stilistikisht mënyra e përdorimit të biografisë vetjake, megjithëse kalimi nga prototipi jetësor në atë letrar bëhet jo gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë, përsëri akti bazë i krijimit është provuar se mbetet jeta shoqërore e akumuluar te individi krijues, e gatshme dhe e domosdoshme për t’u ringjallur artistikisht në vepra letrare.  Për këtë arsye është e vështirë, thotë Graçi, të gjesh shkrimtarë të rëndësishëm që nuk kanë shkruar në mënyrë të drejtpërdrejtë për etapa të jetës së tyre: origjinë familjare, fëmijëri, adoleshencë, rini , moshë e tretë, ngjarje madhore në të cilat kanë marrë pjesë, etj..

“Disa vepra autobiografike shfaqen si krijime të para të autorit, si përpjekje fillestare për të zbuluar vetveten në marrëdhëniet komplekse me familjen, shoqërinë, si përpjekje për të gjetur vendin e  duhur në letërsi dhe në jetë; si ndeshje dhe dialog me ambiciet vetjake dhe me idealet dhe sfidat e kohës.

Shembulli tipik që sjell studiuesi është: trilogjia autobiografike e Lev Tolstoit, me “Fëmijëria”, “Adoleshenca”, “Rinia”. Trilogjia autobiografike e nobelistit Elias Kanetit me “Gjuha e shpëtuar”, “Pishtari në veshin tim”, “Loja e syve”, qysh kur doli për herë të parë në 1977 u prit si një “vepër klasike bashkëkohore” u përkthye në 25 gjuhë të ndryshme të botës dhe lexohet si një histori e familjes Kaneti, por dhe si një histori e shekullit XX, duke e radhitur mes autorëve më të rëndësishëm botërore.

Po në letërsinë shqiptare, që përkon me këtë shekull cilët janë përfaqësuesit tipikë të letërsisë autobiografike, dhe a janë shkruar romen të tilla?!

Nga libri i Graçit sjellim fragmente nga lënda e këtij kërkimi ku shfaqen dhe si lënda biografike në romanin shqiptar. Ai merr në shembull romancierin më të rëndësishëm deri sot të letërsisë shqipe, Ismail Kadarenë, që si kryevepër i numërohet romani autobiografik “Kronikë në gur”. Sipas tij sprova e tij e parë në prozën e gjatë, “Qyteti pa reklama” klasifikohet midis romaneve autobiografikë; romani i tij, më i fundit  “Darka e gabuar” është ndërtuar po ashtu prej faktesh të mirënjohura, prej biografisë së qytetit të tij të origjinës. “Pra, Kadare e ka shfrytëzuar pasurinë biografike me sukses dhe në fillimet e tij letrare, edhe pas gjysmë shekulli krijimtari. Më tepër Kadare ka shfrytëzuar biografinë, doket dhe dekoret e qytetit të tij të lindjes”. Por studiuesi si dukuri më vete në letërsinë shqipe prezanton romanet e Petro Markos: “Hasta la vista”. “Të thjeshtët” dhe “Nata e Ustikës”. “Me bazë të dukshme autobiografike, me ose pa vullnetin e autorit këta romane u janë nënshtruar ndërhyrjeve të ndryshme”. Duke parë elementët e fuqishëm autobiografikë tek “Hasta la vista”,  Graci thotë se shkrimtari i është përshtatur, ose është i ndikuar prej modelit krijues të shkrimtarëve të brezit të humbur. Ndërsa për romanet si “Të thjeshtët”, “Nata e Ustikës”, referuar rrëfimit të vetë autorit, te autobiografia “Retë dhe gurët- intervistë me vetveten”, kanë ndërhyrë redaktorët, censorët, por edhe miqtë dashamirës për t’i bërë të “botueshme”, e të pranueshme për normën zyrtare soc-realiste.

“Përveç Kadare dhe P. Markos për autobiografizëm në romanin shqiptar deri në vitet ’90 të shek.XX, nuk mund të flitet. Ka vërtet disa autorë të tjerë të rëndësishëm që kanë lëvruar me sukses prozën e  gjatë, por mungon biografizmi në atë masë sa të identifikohet të paktën njëri prej personazheve me autorin, si dhe të identifikohen mjediset ku shpaloset veprimi me ambiente që i përkojnë jetës së autorit. Mbas viteve ’90, shek XX, disa romancierë të rinj e kthyen lëndën autobiografike në lëndë të mirëfilltë romanore duke dhënë një sërë veprash të suksesshme”

Autobiografizmi në letërsinë shqiptare

Romani autobiografik në letërsinë shqipe pranohet se është në fillimet e tij, ndërsa në mendësinë e lexuesit vepra është identifikuar me autorin.  Graçi vëren se sa herë diskutohet letërsia, pëlqimet a rezervat, opinionet në përgjithësi për leximin, jepen në emër të autorëve më shumë se sa vepra konkrete.  Në këtë ironi  referimi lidhet me shkaqet e hershme të konktekstit social-kulturor ku shkrimtarëve shqiptarë u është dashur të botojnë dhe afirmohen. “tradicionalisht, vlerat estetiko letare, që nga gjeneza e shkrimit shqip, e deri në prag të shek XXI, nuk ishin parësore, në raport me vlerat e tjera ato atdhetare e pedagogjike, si dhe në raport me vlerat etike e morale. Në gjysmën e dytë të shek XX, me standardet e patolerueshme politike a propagandistike, në disa drejtime sistemi ynë letrar u përkeqësua edhe më tej. Padrejtësisht, në shkrimin artistik lexuesit shqiptarë kërkonin vashdimisht e këmbëngulshëm autorin, alter ego-n e tij, zëdhënësin e tij të fshehur, përfaqësuesin e tij të maskuar pas tipave e situatave të trilluara; po kështu i qasej veprës edhe kritika zyrtare…”, shpjegon Graçi. Referuar letërsisë së kultivuar  studiuesi merr shembull tipik Autobiologji e Jeronim de Radës, shkruar në vitet 1898-1899, duke e cilësuar si një nga veprat e para të merituara të llojit autobiografik.

De Rada shkruan: “Në vetvete ngjarjet e jetës sime nuk kanë ndonjë vleftë për njeri. Nga ana tjetër, unë nuk kam as ndonjë arsye që të mburrem me to. Por në atë mënyrë që unë i dhashë veprimin dhe kamjen lartësimit të gjuhës amtore, ruajtjes së atdheut shqiptar, po ashtu po parashtroj ndodhitë e jetës sime për vlerën e pashoqe që përmbajnë

Pohimet e De Radës në “Autobiologji” e tejkalojnë thotë Graci, fatin dhe jetën vetjake, duke u bërë biografi e bashkatdhetarëve të tij, të larguar nga vendi i të parëve, në ngulmime të ndryshme, mes të huajsh, larg gjuhës dhe kulturës amtare.

Me elementë autobiografikë është gjetur nga historianët e letërsisë shqipe poema “Mino” e Zef Skiroit. Për këtë poemë Sabri Hamiti shkruan: “Në planin e artikulimit të tekstit, në Mino, kemi një subjektivitet që kalon në rrafshin e shkrimit autorial, e mandej në rrafshin e  shkrimit autobiografik, madje me shenja të qarta të të ndodhurit, në të cilin bashkohen të dhënat jetësore me fantazitë dhe imagjinatën personale”

Duke nisur nga vitet ’30, të shek.XX studimi i Graçit shpjegon se ndalet pasi aty gjenden fillimet e personaliteteve letrare të kulturës sonë, ku selekton disa tekste autobiografike të Konicës, Nolit, Kutelit.

Autobiografia e Konicës merret me origjinën e familjes, me djalërinë dhe me pjekurinë e tij, me periudhat e studimeve shkollore e universitare. Në tekstet autobiografike të Konicës, Graçi përfshin testamentin e tij shkruar në vetën e  parë dhe adresuar Nolit dhe Malëshovës: “Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe…kam lënë mënjanë dhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për 2 metra vend në Shqipëri…”

Shkrimtari tjetër  i ndaluar, Mitrush Kuteli ka lënë tri shkrime autobiografike: “një mbi dy shokë e mbi vepërzën e tyre”, botuar në 1944, ne trajtën e shkrimit eseistik; “Kujtesa e përkthenjësit Dhimitër Paskos për heqjen e normës së përkthimeve ..(shkurtim), “Testamenti”, i shkruar në 1965. Nga “Testamenti”:  “Fëmijët  i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe edhe atëherë kur të vret….profesionalizmi në letërsi , në vendin tonë është, hë për hë, një rrugë vuajtesh,buka e tij është e hidhur. E hidhur them për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë ku gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët se u bën hije…”. Ky “testament”  jep gjykime të prera thotë studiuesi, konçize, të drejtpërdrejta jo vetëm për anëtarë të familjes së tij, por edhe për profesionin e shkrimtarit në një vend si Shqipëria, në një epokë të mbyllur totalitare.

Rasti i Nolit, është rrëfimi në vetën e tretë, i cili anashkalon në autobiografinë e tij jetën e vështirë, periudhat kur është gjendur ngushtë ekonomikisht ose shpirtërisht; nuk përmend rëniet dhe dështimet e ndodhura në angazhimet e shumta që pati; ai e paraqet veten nën një aureolë lavdie, duke lënë vend në autoportret për vlerat e tij si njeri i fesë, si njeri i zgjedhur i zotit, si njeri i shquar i kulturës e, nga ana tjetër tregon për meritat dhe paraqitjet si burrë shteti. “Pra nga kreu deri në fund autobiografia e Nolit nuk përshkohet nga dëshira për të thënë saktësisht ato që kanë ndodhur, por nga zelli për t’u glorifikuar, për lavdi historike dhe mister hyjnor për vetveten..”, thotë studiuesi.

I një natyre krejt tjetër, vjen pamja e veprave të Migjenit, mënyra e shkrimit autobiografik në to. Graci thotë se ka mjaft elementë të spikatur të autobiografisë tek Migjeni, në simbiozë me biografinë e qytetit të tij, në sinkroni emocionale dhe vizuale me ambientin urban dhe mentalitetin e Shkodrës. Autobigrafia e Migjenit shfaqet si në prozë dhe poezi, si një histori e padukshme e emocioneve të tij, e përjetimeve të thella e në raport me shoqërinë dhe autoritetin e saj. Tek ky shkrimtar i pashprehur veçohet se ka lënë në të dy skajet e jetës shkrime të mirëfillta autobiografike: kur ishte seminarist në Manastir dhe në shënimet që lë në prag të vdekjes. Kur ishte seminarisht shkruan: Në ndërgjegjen time ka dy Milloshë: Milloshi i gjallë, i jetës së përditshme, dhe Milloshi tjetër, që i vihet përballë atij,e vëren e dënon gabimet e Milloshit real.

Në prag të vdekjes shkruan: “I fundmi Skanderbe! Ku janë orat e muzat? Shtojzovallet e zanat ku janë? S’po flitet ma për vallet e tyre që të shutojnë ose të bëjnë fatbardhë; s’po flitet ma..”. Në këto lëndë autobiografike të Migjenit, thotë Graçi, zhvillohet letërsia ekspresive e shkrimtarit, sa origjinal dhe shenjë monumentale, autentike e jetës së tij mendore dhe shpirtërore. Elementë të rëndësishëm autobiografikë janë parë në romanet “Pse”, “Afërdita” dhe “Ata nuk ishin vetëm” të Sterio Spasses …të shkruar nga Ilinden Spasse në librin “Im atë Sterjo”, e ribotuar nga UETPRESS, 2016, ku tregohen se personazhet kryesore dhe skenat kryesore të romaneve të të atit, Sterjo, janë lehtësisht të verifikueshme me tipa jetësore konkretë dhe situata të mirënjohura të familjes apo rrethit shoqëror.

“Në vitet 1945-1990, mund të thuhet se e drejta për të shkruar autobiografi, kujtime a letërsi dokumentare u përkiste veteëm pak njerëzve të autorizuar nga zyra të rëndësishme të shtetit, vetarë të luftës, figura të lëvizjes komuniste, anëtarë të Byrosë politike etj. Një veprimtari letrare në shërbim të propagandës zyrtare, ku shpërfillej parametri estetiko-letrar,  Graçi thotë se nuk ka asnjë vepër të denjë për t’u marrë në shqyrtim.

Por nga shembujt më të shkëlqyer sipas Gracit të shndërrimit të biografisë vetjake në lëndë romanore janë dy romane të Petro Markos: Hasta la Vista dhe Nata e Ustikës. Në memoaristikën e  mirëfilltë njihet vepra “Retë dhe gurët, intervistë me vetveten”. “Përvojëne tij si luftëtar në Spanjë, Petro Marko e ka shndërruar në një botë romanore ku trilli artistik është dukshëm në plan të dytë: mbizotërojnë karakteret origjinale burimore dhe ndodhitë reale. Ajo që e fut autobiografinë e kësaj periudhe jete të Petro Markos në hullitë e veprave fikshën, është vetëm konceptimi i përgjithshëm sipas modës letrare të brezit të humbur: dashuria e dy të rinjve, e pamundur të realizohet në një situatë lufte e fatkeqësie të përgjithshme”.

Autobiografizmi, posaçërisht autobiografia si lloj letrar, nga studimi i Graçit del se njohu rilindje dhe gjallërim të madh pas rënies së sistemit komunist, sidomos prej atyre që vinin nga burgjet dhe kampet e internimit. Kjo prirje ka marrë në letërsinë shqipe emërtimin burgologji. Graçi rendit librat më interesantë nisur nga Visar Zhiti, Uran Kalakulla, Arshi Pipa, Tomor Aliko…etj. Ndërsa karakteristikë ka qenë përzierja gjinore, poezi, prozë, reportazh, refleksione, fotografi e faksimilje familjare së bashku në të njëjtin libër. Nga autobiografitë më të shquara në letërsinë tonë renditet si e veçantë “Rrno vetëm për me rrëfye” i At Zef Pllumit, dhe “retë dhe gurët- intervistë me vetveten” Petro Marko.

Pas ’90

Ndërsa në letërsinë e sotme vërehet se ka nisur të shfaqen realizime intersante të romanit autobiografik, ku spikatin kronologjikisht romanet e Fatos Lubonjës dhe Bashkim Shehut.

Një shfrytëzim karakterisitk të lëndës autobiografike Graçi thotë se e ka bërë në vitet 1990-2005 Fatos Kongoli. Ciklet e tij romanore  “Burgjet e kujtesës” ku bëjnë pjesë “I humburi”, 1992, “Kufoma”, 1994, “ Dragoi i fildishtë”, 1999, “Ëndrra e Demokleut:, 2001 dhe “Lëkura e qenit”, 2004 – këto vepra përmbajnë elementë të shumtë autobiografikë të cilët autori i rimerr dhe i përpunon artistikisht në funksion të qëllimit përfundimtar: zhburgosja nga kujtesa e jetës së kaluar nën sistemin totalitar. “Synimi i F. Kongolit i kapërcen pretendimet e jetës vetjake: ai do të bëhet, përmes biogafisë së tij të romanizuar zëdhënës dhe shembëlltyrë artistike e një epoke të tërë…”  Edhe pse vihet në dukje se baza e realizmit të projektit të madh romanor për Kongolin është autobiografia, për shkak të llogjikës artistike, Graçi thotë se shkrimtari e fragmentarizon biografinë, bën zhvendosje elementësh, heq diçka që nuk përputhet organikisht me romanin e radhës dhe improvizon nëpërmjet trillimit artistik, sipas nevojës. Por ka edhe romancierë më të rinj që hyjnë në analizën studimore mbi romanin autobiografik siç janë debutuesit në vitet ’90 si Agron Tufa, Ridvan Dibra të cilët kanë shkruar romane me elementë të shumtë autobiografikë. Midis romaneve të A. Tufës “Dueli” dhe “Fabula rasa” dhe sprovës së tij me interpretime letrare-kulturologjike “Janusi njëqind fytyrësh”, gjenden përkime të bollshme; duke përmendur edhe faktet e njohura biografike të autorit, Graçi pohon pa rezerva se kemi të bëjmë me romane me elementë mbizotërues autobiografikë. “Dueli” dhe “Fabula rasa” pohon se rrëfejnë momente e etapa të evidentueshme të jetës së autorit, e sidomos japin prova direkte për vetëdijen e lartë krijuese dhe përkushtimin filologjik të autorit. R.Dibra, paraqitet me një seri librash interesantë ku hulumtimi i Graçit veçon romanet “Nudo” dhe “@-mail” ku thotë se zbaton një metodë të guximshme krijuese duke bashkuar përkohësisht element të rrëfimti klasik realist me element të avangardës letare. Në romanin “@-mail” Ridvan Dibra identifikohet me emrin e tij me personazhin qëndror i cili është dhe rrëfimtari kryesor; letërkëmbimi që zhvillohet në roman;  mendimet e shtruara atje në formë dialogu, dhe polemikë me bashkëpuntorët dhe kundërshtarët janë pjesë e shqetësimeve të përhershme e të mirënjohura të autorit, shprehur në intervista dhe biseda letrare.

Për studiuesit Virion Graçi në këtë libër, të parin në llojin e tij të hulumtimeve biografike të vepër-autor, para engimës magjepsëse të artit duket se është “dorëzuar” edhe një personalitet si Jung, duke cituar nga ky thelbin e kërkimit: Libri për mua është çështje fati. Në procesin e të shkruarit ka diçka të paparashikueshme, dhe nuk jam në gjendje t’ia paracaktoj vetes ndonjë drejtim. Kështu kjo autobiografi po merr tani një drejtim tjetër krejt të ndryshëm nga ai që kisha përfytyruar në fillim.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Google mirëpret studentin e parë shqiptar

Mund të jetë një arritje e vogël, por fakti që theksohet nga...
Read More