Rudolf Marku: Dema të zemëruar në arenë

Nga Rudolf Marku
(Nga cikli- kujtime të një kohe jo të shkuar)

Ndër gjërat e vetme të mira që sjellin kohërat e vështira të shtypjes, është ai lloj solidariteti konspirativ intelektual i krijuesve, për të cilin flasin Solxhenicini dhe Sergej Dovlatov. Ky solidaritet konspirativ intelektual filloi të ri-marrë trajtë në vendin tonë, edhe pse në formën më të brishtë, andej nga fundi i viteve tetëdhjetë. Në Gazetën “Drita”, e vetmja gazetë letrare dhe artistike e vendit, filluan të shfaqeshin, krahas tjerash, për herë të parë në gjuhën shqipe, krijimtaria e Tomas S. Eliotit, Ezra Pound, Milan Kunderës, Sharl Bodlerit, Borhesit, memuaret e Luftës së Dytë Botërore të Uinston Çërçillit, debatet për rolin e intelektualit, e shumë shkrime të tjera, që dilnin krejtësisht jashtë kornizës së pikturës së ngushtë të lejueshmërisë zyrtare.

Po ashtu, aso kohe, gazeta “Zëri i Rinisë”, dhe “Drita, botonte poezitë impressive të Preç Zogajt, Mimoza Ahmetit, Ilirian Zhupës, Bujar Xhaferrit, Rudian Zekthit, Edvin Hatibit, poezi që sillnin një erë freskuese në shkretëtirë. Nuk është e rastit që aso kohe, kohës së radhëve të gjata jashtë dyqaneve për të blerë bukën dhe qumështin, iu shtua dhe një radhë tjetër, e padëgjuar më parë: radha për të blerë Gazetën “Drita” në libraritë e qyteteve, ditën e dielë, kur dhe botohej kjo gazetë. Krijuesit shqiptar e njihnin njëri-tjetrin, dhe të gjithë e dinin madje dhe çfarë po shkruante a krijonte ky poet, romancier a piktor. Edhe pse kishte plot të tjerë, që i shkruanin akuza Komitetit Qendror kur botoje një poezi a shkrim të mirë. Por këto qenë mediokrit dhe të dështuarit, të cilët, vite me pas, do ta gjenin veten në strukturat e larta shtetërore dhe partiake të periudhës që ende besohet se është post-komuniste…

Nuk kishte ardhur ende ajo koha cinike e mëvonshme, e mospërfilljes, dhe, akoma më keq, e përbaltjes së krijimtarisë së mirë të kolegut krijues, në format më banale të sharjeve paskrahëve, për arsye jashtë artistike…Ishte koha kur krijuesit e talentuar lavdëronin, sado e paktë që të ish ajo, atë krijimtari që shteti e kërcënonte, e shante ose e injoronte. Dhe shteti provonte të qe me shije të hollë, kur nuk gabonte për të zgjedhur krijimtarinë më të mire për ta denigruar. Tani duket se ndodh e kundërta: ndërsa strukturat shtetërore të kulturës vazhdojnë të lavdërojnë krijimtarinë e keqe, shkrimtarët shajnë krijimtarinë e mirë të kolegëve të vet. Shenjë kjo se është më e vështirë të menaxhosh lirinë se sa brutalitetin e dhunës.

Por le të kthehem të ky solidaritet intelektual i krijuesve për të cilën flet Solxhenicini dhe Dovlatovi, sipas parimit të njohur filozofik ‘më jep një rrezik , dhe të jap një unitet. Shprehje e këtij solidariteti më duket dhe ajo miqësi njohëse mes shkrimtarëve dhe piktorëve a kompozitorëve. Më ka qëlluar të kalojë me orë të tëra në studiot e miqve të mi piktorë dhe skulptorë, dhe të kalojë orë të tëra leximesh poezish mes aktorëve të talentuar dhe kineastëve. Sot gjërat janë të ndara me një thikë përjashtuese, me kufij të ngushtë profesionalë që ngrihen po aq lart sa Muri i Madh i Kinës. Mosnjohja e arteve figurative nga shkrimtarët e sotëm, mos aftësia e tyre për të folur me elokuencë për pikturën e mirë , apo, dhe e anasjelltas, paaftësia e krijuesve të tjerë për t’u ndalur përpara poezisë dhe prozës së mirë është, për mendimin tim, një shenjë e qartë e krizës së krijimtarisë artistike.

Aso vitesh, kam njohur piktorin Vladimir Myrtezaj. Isha në Shkodër, në rrethin e ca miqve të mi, kur Ladi erdhi të më takonte. U njohëm dhe përnjëherë më çuditi njohja profesionale e tij e letërsisë, sidomos e poezisë. Filluam përnjëherë të flisnim për Van Gogh-in, Gauguin, Pikason, Matisin, Shagallin, Dalinë , Durerin, Boschin, për të kaluar me lehtësi tek poetët italianë të shekullit XX, dhe te Ezra Pound, Elioti, Pol Valery dhe Dante Alighieri. Jo vetëm kaq. Ladi njihte po aq mirë krijimtarinë e gjithë poetëve shqiptar, si dhe krijimtarinë që shkruhej dhe botohej ato ditë . Fliste me një dashamirësi dhe entuziazëm të çlirët për krijimtarinë e kolegëve të vet. Lavdëroi Danish Jukniun, dhe po ashtu dhe poetët e talentuar që shkruanin dhe botonin. Kur pata fatin që të njihem me veprat e tij, nuk e pata të vështirë që të kuptoj se V. Myrtezaj ka një mënyrë, një gjendje shpirtnore-psiqike thellësisht poetike, të shprehur përmes një naivieti të kalkuluar strukturalisht. Dukej qartë se Myrtezaj e shihte botën përmes një kristali magjik, duke ruajtur kurdoherë një imunitet stilistikor…

U takuam përsëri, këtë herë në Tiranë. Më foli me entuziazëm për krijimtarinë e një mikut të vet piktor, Edi Rama. Emër i njohur për mua aso kohe, po aq sa emrat e Alush Shimës, Ali Osekut,Bashkim Ahmetit, Edi Hiles, Lumturi Blloshmit, Nestor Jonuzit, Nikolin Ivanajt, Pashk Pervathit, Agustin Shytit. Edhe pse i një brezi me të ri nga këta.

Zakoni për të folur mirë dhe me entuziazëm për krijimtarinë e të talentuarve ishte ende një trendy- à la mode-siç shprehen sot snobët- dhe për fat të mirë ,askush nuk të akuzonte aso kohe me atë shprehjen e shëmtuar të sotëm- të bësh çoka- kur lavdëroje një mikun tënd të talentuar. Edi Rama ishte bërë i njohur në ambientet e Lidhjes edhe për një arsye: në një diskutim të hapur, kishte kërkuar që të lejoheshin botimet e gazetave të pavarura. Kërkesë që ishte ridikuluar nga një anëtar i Komitetit Qendror, me logjiken staliniste se gazeta është një armë, dhe si e tillë, ajo duhet mbajtur vetëm me leje dhe nën kontrollin e shtetit! …

Disa piktura të Edi Ramës m’i kishte treguar në shtëpinë e vet idhulli i brezit tonë , savanti antikonformist, dijetari, filologu dhe përkthyesi i klasit të parë, Petro Zheji. Kishin qenë piktura të krijimtarisë Underground- moderne, sfiduese, eksperimentale në mjetet shprehëse, mbresëlënëse. Dhe, ashtu si pikturat që i pashë të Petro Zhejit, Edi Rama kishte filluar të bënte emër si një krijues sfidant, rebel dhe i artikuluar.
Andej nga vera e viteve 1988- 1989 miku im poet Bujar Xhaferri më fton në Lushnjë. Me Bujarin më lidh një miqësi e vjetër, kur ai dhe shoku i tij dhe imi, Visar Zhiti, vinin e na takonin në Lezhë Ndoc Gjetjen, mua dhe Prec Zogajn, ndërsa ne i takonim në Lushnjë, Tiranë dhe Shkodër…Lexonim poezi, flisnim gjithë ditën për poezinë e madhe dhe letërsinë e vërtetë…

Vajtja në Lushnjë qe dhe një shpresë për të parë dhe Visarin, i cili tashmë qe liruar nga burgu dhe punonte diku në një gropë argjiri që prodhonte tulla, një lloj i ri burgu pa gardh rrethimi. Një arsye tjetër për të shkuar në Lushnje qe dhe njoftimi i Bujarit se atje ishin dhe dy piktorët, Edi Rama dhe Vladmir Myrtezaj, të cilët po punonin një pikturë murale në Muzeun Historik të qytetit. Bujari më tregoi, me atë humorin e vet të pamëshirshëm dhe grotesk, se si piktura e Myrtezajt dhe e Ramës kishte ngritur një pakënaqësi partiake te shokët e komitetit të Partisë së Lushnjës. Shokët e Komitetit të Partisë e kanë humbur gjumin, me pat thënë Bujari.. Kishin nuhatur mungesën e Partishmërisë dhe komplikimet formaliste (çdo gjë e pakapshme nga mendja e tyre prej trumcaku, qe një ndikim modernist).

Në ditën e nesërme mbërrita në Lushnje. Përnjëherë shkuam me Bujarin në Muzeun Historik për të parë afreskun aq të përfolur. Qe një murale monumentale që të gozhdonte sapo e shihje. Ndikuar nga Guernika e Pikasos, demat e zemëruar vështronin shprehshëm, sikur të donin të kërcenin në sallë. Mund ta titulloje “Dema të zemëruar në arene”.

Muralja ishte si një ikonosferë e kohës, me simbole dhe ngjyra të perceptuara si ritëm. Gjuha metaforike qe më tepër intuitive dhe në një sintezë estetike te përputhur mjeshtërisht me gjuhën piktorale.

Për muralen e Muzeut shkrova një artikull që u botua në gazetën “Drita”. Ishte një shkrim i kalkuluar për t’i mbrojtur të dy piktorët, Vladimir Myrtezajn dhe Edi Ramën, nga sulmet partiake dhe intrigat e provincës. Jo se mbrojtja ime do t’u ndihmonte atyre vërtetë. Unë nuk isha në gjendje aso kohe të mbroja veten nga ligësitë dhe sulmet partiake. Dhe ndoshta vetë shkrimi do të kthehej për dy piktoret në një tallon shtesë urrejtjeje nga gjithë ata që kishin filluar sulmin kundër murales. Por botimi i shkrimit që me tepër ai gjest i natyrshëm solidaritet intelektual për të cilën folëm në krye të këtij shkrimi. Një solidaritet pothuajse i zhdukur sot.! …Shkrimi u përshëndet nga lexuesit. Bujari më tregoi më vonë se, për shkrimin tim, kishte pasur reagime armiqësore në komitetin e Partisë se Lushnjës. Inati i tyre ishte kundër murales. Si mund të mbrohej një vepër e tillë? Ah, këto krijuesit – të gjithë janë armiq të Partisë. Te fantaksur dhe armiq!!!!!

Nga na doli ky shkrimtar me këtë emër të huaj? – kishte thënë më vonë, për autorin e këtyre radhëve, një anëtar i Byrosë Politike me një emër gruaje, i cili dhe ai kishte shprehur zemërimin kundër atij shkrimi! Një shkak për të bërë më tepër humor në rrethin tonë të miqve.

Të them të drejtën, më merr malli për humorin e atyre viteve!

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Mario, më vjen keq…”

  Gjermania ka nisur misionin për mbrojtjen e titullit të kampiones së...
Read More

More Stories