Rroftë koalicioni, poshtë revolucioni!

Nga Arjan Ҫuri

Nëse shtetet, partitë apo individët kanë lirinë dhe gjithë të drejtën e botës për të bërë koalicione, apo aleanca në mes tyre, kur u konvergojnë interesat, po të njëjtën liri për t’i komentuar këto lëvizje apo për të mbajtur qëndrim, apo aktivizim, pro apo kundër, e kanë shtetet, partitë, apo individët, interesat e të cilëve preken nga këto marrëveshje. Kështu ka funksionuar bota njerëzore që në gjenezë, e kështu do të jetë deri sa të ketë njerëz mbi tokë.

Ja pse, në këtë ambient koalicionesh, aleancash, armiqësish apo individësh të lirë, zhvillohen edhe forca kundërshtuese, të cilat kanë synim t’i kundërshtojnë koalicionet, me çdo mjet të ligjshëm dhe demokratik, deri edhe në të famshmet revolucione paqësore, të cilat sigurisht nuk kanë kuptimin e revolucioneve të dikurshme, që përmbysnin pushtetet me dhunë.

Gjithë këta muaj, kryetema e aktualitetit politik, duke nisur që nga kupolat drejtuese të partive kryesore të mazhorancës edhe opozitës, deri edhe te kafenetë e provincave më të largëta, ka qenë nëse do të vijonte apo jo, koalicioni i majtë i lidhur mes PS dhe LSI, ditën e gënjeshtrave. Dhe simbolika e kësaj dite prodhoi edhe dinamikën e vetë, kur edhe pse koalicioni mes forcave të majta, dukej tërësisht i natyrshëm, tensioni mes anëtarësisë së tyre në bazë, e cila lufton ashpër për vendet e punës në administratën shtetërore, por edhe mes kryetarëve të partive, erdhi duke u rritur progresivisht.

Prandaj sot, jemi para një realiteti të çuditshëm, ku gjysma e qeverisë, i është kthyer kundër gjysmës tjetër, edhe në frymën e fushatës elektorale, që në Shqipëri është sa çereku i mandatit qeverisës. Dhe koalicioni është kaq paradoksal, saqë kthehet në tmerrësisht tallës, pasi i ka kaluar me kohë kufijtë e pragmatizmit politik. Nuk ekziston në botë, qeveri më “demokratike”, ku një ministër të hedhë baltë mbi një ministër tjetër, apo të kërkojë shkarkimin e kolegut dhe të vazhdojnë të ulen, sikur nuk ka ndodhur asgjë, në të njëjtën tavolinë guvernuese.

Gjithashtu, nuk mund të gjendet në botë një qeveri, ku dy krenat e të cilës, të lozin shah politik me koka ministrash; ku për shkarkimin e njërit kërkohet kompensim me rrëzimin e tjetrit. Ndoshta mund të ketë, por nuk kam akoma dijeni, që të gjendet në botën e civilizuar një realitet ku gjysma e qeverisë, të heqë dorë nga përgjegjësia, për mosarritjet apo dështimet qeverisëse, dhe nga ana tjetër, të bëjë çmos të marrë mbi vete, kreditet për sukseset apo reformat e kryera. Gjithë kjo situatë, të kujton zënkat e fëmijëve të vegjël, të cilët i hedhin fajin njëri-tjetrit, kur pyeten nga prindërit se kush e theu gotën.

Gjithë kjo situatë, është të paktën fyese për popullin shqiptar, pasi të trajtosh një popull të tërë, si të paditur, dhe më pas t’u kërkosh votën për vazhdimin e koalicionit, ku njëra kokë kafshon tjetrën, ashtu siç bën ndonjë gjallesë mutante, e cila nga ndonjë defekt i natyrës, lind me dy koka. Minimalisht, për të respektuar logjikën, e cila na dallon këtu e mijëra vjet nga gjallesat e tjera të këtij planeti, do të duhej të kishim të bënim me dy realitete normale.

Ose të realizohej një koalicion i natyrshëm, ku edhe ndonjë “sherr” mes kokave të mbahej brenda shtëpisë, dhe për këtë koalicion të kërkohej sërish votëbesimi popullor, ose në momentin kur një komponent i koalicionit konstaton, sëmundje apo jonatyrshmëri në këtë lloj simbioze, mbasi të akuzojë për shkelje të rënda deri në krime, moralisht, jo vetëm duhet të dilte nga koalicioni, por duhet edhe të rrëzonte qeverinë, e cila nuk i shërben vendit me devotshmëri dhe besnikëri ligjore.

Në fushën e mjekësisë, nëse brenda trupit të njeriut, një pjesë e tij lufton tjetrën, apo disa qeliza ndryshojnë gjenetikisht, dhe funksionojnë si një gjallesë e pavarur nga e gjitha, siç po ndodh këto kohët e fundit me koalicionin tonë qeverisës, mjekët pa asnjë hezitim, do të konstatonin sëmundje të pashërueshme. Dhe mbasi të shpallnin alarmin, ose do ta trajtonin pacientin me kimioterapi, e cila i vret qelizat që funksionojnë me “kokën e tyre”, ose do t’ia nënshtronin atë, një operacioni, për të shkulur nga trupi pjesën e “marrosur”.

Ndërkohë që pacienti ynë guvernator, mbasi konstaton vetë me trishtim që një pjesë e tij punon kundër tjetrës, jo vetëm që nuk i nënshtrohet terapisë, por kërkon me gëzim t’i shtohet ushqimi dhe konforti, duke e ditur madje, që po shkon drejt vdekjes së pashmangshme. E vetmja arsye që e shtyn këtë organizëm të dyfishtë të funksionojë në këtë mënyrë kundër vetes, është shpresa që vetëm kështu, do të mund të jetojë edhe për disa vite të tjera, dhe marrëveshja ka vetëm një “kusht” të heshtur, që ne thjesht do ta “hamë” mishin e njëri-tjetrit me ritme më të ngadalta, deri sa të tërheqim së bashku njëri-tjetrin drejt humbjes.

Sigurisht, që në këto kushte të panatyrshme dhe irracionale, shprishja e këtij koalicioni është çështje kohe, edhe nëse hyn si i tillë, në zgjedhjet politike që po afrojnë. Prandaj, mund ta themi me forcë se ky koalicion është tërësisht kundër interesit publik, sepse kemi të bëjmë me një organizëm të sëmurë dhe jo të shëndetshëm, i cili këmbëngul të rrijë në këmbë, edhe pas diagnostikimit. Dhe mbasi konstatuam problemin, le të vijojmë me zgjidhjen, e cila do të ishte pro interesit publik, pasi organizmi politik do të shërohej. Mendimi ynë, i shprehur edhe më herët, lirshëm dhe fuqishëm, është që koalicionit siamez bicefal, t’i bëhej një operacion ndarjeje.

Vetëm në këtë mënyrë, do të kishte një natyrshmëri në marrëveshjet e reja që do të mund të bëheshin pas zgjedhjeve dhe me dinjitet maksimal mes forcave politike, të cilat mund të prodhonin qeverisje shumë më të forta dhe të përgjegjshme, ku do të mund të negociohej çdo aspekt qeverisës dhe të shtyheshin përpara reformat e bllokuara. Vetëm në këtë mënyrë edhe opozitës që po kryeson revolucionin, mund t’i jepej një garanci shtesë që gara zgjedhore do të jetë e lirë dhe e ndershme. Në të kundërt, nuk do të ketë asnjë emocion, apo garë, këto palë zgjedhjeje, pasi fituesit dihet që tani, thjesht do t’i jepej vula ligjore, e fletë-daljes nga spitali, pa kurim, organizmit siamezo-simbiotik.

Prandaj, nëse do të dëshironim të mirën e Shqipërisë, më shumë se sa të mirën e Partisë, dhe nëse do të rreshtoheshim pro interesit publik dhe jo të atij pragmatist, që kërkon ruajtjen dhe zgjatjen e pushtetit, në interes të aktorëve të punësuar partitisht, do të uronim në të mirë të demokracisë dhe shëndetit qeverisës që vetëm politika e prodhon në një demokraci, edhe pse të vetëdijshëm që me shumë gjasa nuk do të ndodhë, pasi e diktojnë interesat, të kundërtën e titullit të shkrimit tonë: Poshtë koalicioni, rroftë revolucioni!

Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për atë të çadrës, por të çdo njeriu të lirë dhe të revoltuar ndaj realitetit të panatyrshëm politik, me të cilin përballet Përditë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Pro ligjit Rama-Basha për reklamat e partive dhe emergjenca për privatizimin e RTSH-së

Nga Ervis Iljazaj Në seancën parlamentare të jashtëzakonshme të mbledhur për të...
Read More