Rritja e barrës fiskale në Shqipëri në vitet 2014-2018

Barra fiskale përgjatë viteve 2014-2018 është rritur 25%. Rritja më e madhe është ndikuar nga politika fiskale e taksimit progresiv, reforma e decentralizimit fiskal, si dhe nga zgjerimi i bazës kontributive të TVSH. Edhe pse kanë kaluar 5 vite nga skema e taksimit progresiv baza e taksave nuk është zgjeruar.

Barra e buxhetit përfshin gjithë pagesat tatimore e doganore, kontributet e sigurimeve, por edhe tarifat dhe derdhjet në buxhet nga institucionet publike dhe shoqëritë publike pagesat që kanë detyrim për mallra dhe shërbime të ndryshme. Barra fiskale është pjesë e barrës së të ardhurave të buxhetit. Buxheti ka marrë nga kontribuuesit në vitin 2018 të ardhura sa 27.5% e PBB-së. Barra e të ardhurave të buxhetit ka një rritje të vogël me vetëm 1.2% të PBB-së në 5 vitet e fundit. Nga krahasimi i dy treguesve buxhetorë, barra fiskale në 2018 përbën 93% të gjithë të ardhurave buxhetore. Pjesa tjetër e mbetur përbëhet nga të ardhurat jotatimore (5%) dhe Ndihmat (2%).

Barra fiskale, në të cilën përfshihen kontributet e individëve taksapagues dhe bizneseve të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit është sa 25.4% e PBB-së. Për vitin 2019 kjo barrë synohet të rritet me 0.1% të PBB dhe të arrijë në nivelet e një barre fiskale sa 25.5% e PBB. Ashtu si barra fiskale e ulët në Shqipëri mund të pengojë rritjen, po ashtu edhe mangësitë në kapacitetet fiskale shërbejnë si shkak kryesor i një qeverisje të dobët. Barra fiskale përgjatë viteve 2014 – 2018 është rritur 25%. Rritja më e madhe është ndikuar nga politika fiskale e taksimit progresiv, reforma e decentralizimit fiskal, si dhe nga zgjerimi i bazës kontributive të TVSH, që ka rritur kontributin e saj e shoqëruar edhe me një rritje 50% të vlerës së rimbursimit të TVSH. Detajet e ndryshimit të peshës së gjithë përbërësve të barrës fiskale veçojnë ndryshimin e madh në 5 vite të peshës së taksave vendore (rritje 76%), kontributit të sigurimeve shëndetësore (rritje 50%) dhe atyre shoqërore (rritje 29%). Ndërkohë, të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë rritje që shkon njësoj me rritjen ekonomike dhe inflacionin. Struktura e të ardhurave tatimore (pa taksat vendore dhe kontributet e sigurimeve) dominohet mbi gjysmën nga TVSH, e cila në mbi 2/3 e saj mblidhet nga importet në dogana. Edhe pse kanë kaluar 5 vite nga skema e taksimit progresiv nuk është zgjeruar një bazë të konsiderueshme, e cila të fillojë të bëjë ndryshimin e varësisë së të ardhurave tatimore nga importi. Kjo mbetet sfida më e madhe për politikën fiskale, por edhe për administrimin që duhet të shfrytëzojë burimet në funksion të zgjerimit të bazës tatimore.

Barra fiskale sipas destinacionit të buxhetit

Barra fiskale është një tregues që merr një kuptim të veçantë për Shqipërinë, nisur nga konteksti ekonomik dhe social me variacione të luhatshme, si dhe me probleme të stabilitetit politik, social dhe fiskal. Nga ana tjetër, një arsye pse ndodhin është edhe transparenca për mënyrën si shpërndahen taksat dhe kontributet që dalin nga buxheti i shtetit. Në një panoramë përmbledhëse të shpërndarjes së shpenzimeve të buxhetit 2018 destinacioni kryesor i përket: – Fondeve sociale, pagesave për të papunët, për shtresat sociale, për ish-të përndjekurit, si dhe pagesat për pronarët (40% e buxhetit); – Shpenzimet kapitale (për investime) në 2018 zënë vendin e dytë në destinacionin e përdorimit nga buxheti (16% e buxhetit); – Në vend të tretë janë shpenzimet për pagat dhe kontributet e sigurimeve të administratës së institucioneve të shtetit (15% e buxhetit); – Destinacionet e radhës janë (a) shpërndarja e fondeve për pushtetin vendor (10% e buxhetit), si dhe (b) fondet për miradministrimin dhe mirëmbajtjen e pronës publike (10% e buxhetit); – Destinacioni i parafundit i shpërndarjes së fondeve të buxhetit shkon për pagesat e borxheve të qeverisë (8% e buxhetit), si dhe – 1% e buxhetit shkon për shpronësimet e projekteve publike, subvencione dhe hua bazuar në vendimet e qeverisë. Në vitin 2014 buxheti i shtetit për shpenzime ishte 3.1 miliardë Euro. Në 2018 ky buxhet është 3.8 miliardë. Pesha kryesore i takon fondit të sigurimeve shoqërore (66%) për pagesat e përfitimeve për pensione, barrëlindje, aksidente në punë, sëmundje. Tjetër zë ku destinohen këto shpenzime janë për fondin e kujdesit shëndetësor (21%). Ndërsa ndihma ekonomike merr 11% të fondeve sociale. Pjesa e mbetur shkon për papunësinë, kompensimin për ish-të përndjekurit politikë, si dhe kompensimin për pronarët (të tria bashkë 2% të fondeve). Këto shpenzime financohen në 2/3 e tyre nga financimet e buxhetit me fondet e veta dhe 1/3 me fondet e huaja. Shpenzimet për administratën e shtetit (15% e buxhetit) shpërndahen në mbi 4/5 e tyre për pagat dhe afër 1/5 për pagesën e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Fondet për pushtetin vendor si transferta dhe financime të projekteve zhvillimore janë me rritje 50% përgjatë 5 viteve të fundit.

Barra fiskale sipas bashkive

Të ardhurat nga tatimet, taksat, tarifat dhe shërbime të lidhura me pronë publike apo biznese publike janë pjesë e të ardhurave që administrohen direkt nga pushteti vendor. Në një analizë të strukturës së të ardhurave buxhetore të 61 bashkive në Shqipëri, 44% e të ardhurave vijnë nga tatimet, taksat dhe tarifat dhe 8% vijnë nga të ardhurat e tjera. Pjesa e mbetur prej 48% kompletohet nga transfertat nga buxheti i shtetit sipas formulës së përcaktuar në ligjin e buxhetit, si dhe nëpërmjet alokimit të të quajturave Grante konkurruese, për projekte specifike në bashki të veçanta. Në analizën e taksave vendore që paguajnë banorët për llogari të pushtetit vendor, politika fiskale e ka orientuar barrën fiskale kryesisht mbi individët që janë rezidentë në qytete dhe më pak mbi individët që janë rezidentë në fshat. Nisur nga fakti që 52% e popullsisë është me rezidencë fiskale në njësitë bashkiake të fshatrave, atëherë ky grup social i popullsisë është edhe më i lehtësuari nga barra fiskale e pushtetit vendor. Pesha e barrës së tatimeve, taksave dhe tarifave vendore përbëhet kryesisht nga dy zëra kryesorë: (a) grupi i taksave vendore, që është e drejtë e Këshillave Bashkiakë për të bërë ulje-ngritjet në masën 30% mbi normat zyrtare, (b) tatimi mbi pasurinë, i cili nga viti 2019 do të ndryshojë mënyrën e llogaritjes dhe taksimit duke kaluar si një tatim që aplikohet mbi vlerën e pasurisë. Në gjithë këto afër 3 dekada ky tatim është orientuar të taksojë sipërfaqen me tarifa që kanë qenë të ndryshme nga njëra bashki në tjetrën, sipas kategorisë që ato mbajnë. Taksat vendore dhe tatimi i pasurisë së bashku përbëjnë 44% të të ardhurave në dispozicion të Bashkive. Pesha e të ardhurave që arkëton pushteti vendor nëpërmjet administratës së taksave që ka çdo bashki zë 5% të gjithë të ardhurave të Buxhetit dhe shpenzon sa 10% e të ardhurave të buxhetit. Pjesa tjetër e të ardhurave në dispozicion të bashkive, e cila është sa 5% e buxhetit të shtetit u alokohet, sipas ligjit të buxhetit nga të ardhurat që arkëtohen nga tatime dhe taksa që arkëtohen nga administratat fiskale qendrore.

Sipas studimit të ALTAX: Barra fiskale në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor 2019.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Niveli i kursimeve: Ja qytetet më të pasura të Shqipërisë

A e dini cilat janë qytetet, ku individët arrijnë që të kursejnë...
Read More