Rreziku nga uria për drejtësi

Nga Ervis Iljazaj

Pritshmëria për arrestime të bujshme që ka krijuar Reforma në Drejtësi ka ndërtuar një opinion publik të uritur për drejtësi, që më shumë se sa po e ndihmon këtë reformë, është duke e rrezikuar atë, dhe në të njëjtën kohë rrezikon të deformojë synimin që ajo ka, atë të ndërtimit të një drejtësie të pavarur dhe jo si një instrument për qëllime të tjera.

Sepse nëse kjo Reformë ka synim në vetvete arrestime të tilla, atëherë misioni i saj do të cenohej, duke hedhur poshtë të gjitha përpjekjet e deritanishme dhe investimin ndërkombëtar për ta realizuar.

Të kuptohemi, të gjithë ata që kanë pas apo kanë probleme me drejtësinë në poste të rëndësishme apo në politikë, duhet me patjetër të jenë subjekte për drejtësinë, pa përjashtuar asnjë. Mirëpo ideja e vetme që është krijuar se kjo reformë po bëhet për të dënuar politikanë dhe padurimi për të parë pas hekurave njerëz me pushtet, nuk është absolutisht rruga e duhur për të ndërtuar një drejtësi që kemi kaq vite që po e presim.

Një drejtësi efikase dhe e pavarur kërkon më shumë se kaq. Kërkon procese të shkurtra, infrastrukturë dhe kushte pune të mira për të gjithë magjistratët, kërkon një drejtësi të aksesueshme nga të gjithë apo edhe pagesa të denja për ata që punojnë në këtë sektor, që për hir të së vërtetës në këtë moment që po flasim janë qesharake. Të gjitha këto, janë elemente që askush nuk i përmend kur flitet për Reformën në Drejtësi, por që janë thelbësore për një drejtësi që funksionon. Sepse, e gjithë vëmendja e opinionit publik është e fokusuar tek arrestimet e mëdha në politikë.

Sapo mbaroi Janari, muaji i famshëm i “ peshqve të mëdhenj”, plasi sarkazma në opinion publik me premtimin e Ambasadorit amerikan Donald Lu për arrestimet e rëndësishme, si dhe një lloj dëshpërimi i publikut për faktin se nuk panë pas hekurave politikanë të famshëm.

Në radhë të parë, arrestimet nuk i bën ambasadori dhe në radhë të dytë, peshqit e mëdhenj janë duke u përpjekur dhe duke bërë çdo rezistencë ndaj Reformës në Drejtësi për ta sabotuar atë. Në këtë kuptim kapja e peshqve të mëdhenj është një sfidë afatgjatë, dhe mbi të gjitha kërkon një proces të rregullt gjyqësor dhe jo një rrjetë që hidhet kuturu.

Në fakt, ka lajme në ditët e fundit për arrestimin e një ish-drejtori të rëndësishëm, por kjo nuk mjafton për opinionin publik, pasi të gjithë jemi në pritje si në një stadium apo më saktë në një arenë për të shijuar spektaklin me pranga të politikës.

E gjithë kjo uri që është krijuar për të parë mbas hekurave politikanë të rëndësishëm, ka dhe një rrezik tjetër të madh. Është rreziku i përdorimit politik të drejtësisë. Pasi e gjithë loja politike midis palëve është duke u zhvilluar vetëm në një drejtim, duke garuar se cila nga këto është me e drejta apo se cila nga to e do më shumë drejtësinë dhe reformën.

Për të gjitha këto arsye, Reforma në Drejtësi është duke u vënë në rrezik pikërisht nga padurimi ynë për të parë në pranga me çdo kusht politikanë të rëndësishëm, duke krijuar kështu një frymë të një drejtësie popullore. Dhe politika nëse ndjen që ekziston kjo frymë, për shkak të përfitimeve politike nuk e ka aspak problem ta përdorë drejtësinë për beteja politike. Prandaj e rëndësishme është që opinioni publik të ushtrojë presion për përshpejtimin e Reformës në Drejtësi, që më në fund të arrijmë të kemi vërtet një drejtësi të pavarur dhe efikase për të gjithë, dhe jo për ta përdorur si instrument për beteja politike. Nëse drejtësia e re është e aftë të nxjerrë fakte për peshqit e mëdhenj me një proces të rregullt gjyqësor dhe ti vërë ato para drejtësisë, mirë se të vijë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mish dhe qiell

Aida Baro dhe Edon Qesari sjellin në një libër poezi të zgjedhura...
Read More