Rrëfimet e një roje të kuqe

Nga Guido SantevecchiNga Guido Santevecchi*, “Corriere della Sera”

Wang Jiyu është 65 vjeç, i gjatë, i hollë, shumë i sjellshëm. Më priti përpara portës së  hekurt të qendrës hipike, që drejton në fushën rreth Pekinit. Wangu rrit kuaj dhe në klubin e tij vijnë të pasurit e Kinës së re. Është i djersitur, sapo ka zbritur nga Aliu, dori i racës australiane: “e adhuroj sepse është i imi”. E shtrëngon dorën fort e me përzemërsi. Ajo dorë, pesëdhjetë vite të shkuara, mbante një  shkop të përgjakur. Wangu është edhe një vrasës: kur ishte roje e kuqe, ka vrarë një bashkëmoshatar të një grupi rival.

Ishin kohët e Revolucionit Kulturor, që sipas historisë zyrtare, qe filluar nga Mao ce Duni më 16 maj 1966, për të pastruar partinë komuniste nga “elementë borgjezë, të depërtuar në qeveri e në shoqëri”. Në të vërtetë, Mao donte të asgjësonte kundërshtarët politikë si Ten Hsiao Pini dhe Liu Shao Çi. “Bombardoni shtabin e përgjithshëm”, iu tha ai të rinjve. Djemtë qenë entuziastë ta zbatonin duke u kthyer në xhelatë, duke rrahur e torturuar profesorët, intelektualët, borgjezët, revizionistët. Pati dy milionë të vdekur në Kinë nga 1966 deri në 1976; e bij që padisnin prindërit; dhe poshtërime publike; dhe gjind që u vetëvra sepse nuk mund të duronte më brutalitetin. Ai dhjetëvjeçar tmerresh është një tabu për Partinë komuniste, në kundërshtim me çfarëdo përkujtimi, nga frika se pesëdhjetë vjet më vonë mund të fillojë të diskutohet për ligjshmërinë e saj: “Kanë qenë gabime që rridhnin nga devijimet e së majtës, nuk ia vlen të flitet më për to” ka qortuar disa ditë më parë shtypi i Pekinit. Sipas shumë analistëve, beteja e pushtetit, e hedhur nga presidenti Xi Jinping në muajt e fundit, kujton Revolucionin Kulturor, pra është më mirë të heshtet.

Ndërsa Wang Jiuy do të kujtojë, të kërkojë falje për vrasjen e një djali si ai. Kanë qenë shumë të pakët ata që e kanë bërë, pothuajse asnjë në publik.

Para se të arrija ta pyesja për atë mëngjes, në të cilin ndoqi dhe goditi me shkop për vdekje një tjetër gjashtëmbëdhjetëvjeçar, folëm për politikën dhe kuajt. “Po, kalërimi është simbol i pabarazisë shoqërore, por unë i rris kuajt sepse i dua, problemi është se te ne nuk ka mbrojtje për më të varfrit”. “Rroftë revolucioni botëror” thoshim atëherë. Pastaj na mësonin të thërrisnim “Rroftë presidenti Mao”. Mendimi i tij kishte pushtuar shpirtin e njerëzve, ishte bërë një perandor i ri dhe ne të rinjtë, Rojet e tij të Kuqe. E çfarë mendimi në veçanti e pushtoi Wangun, që atëherë ishte 15 vjeç? “Ai i përgjithshmi, ndiheshim trashëgimtarët e çështjes komuniste”. Por jemi ulur në klubin e shtëpisë së një prone me dhjetëra kuaj, një pasion i borgjezëve. “Po, është një kundërshti, por e kam gjetur justifikimin në fjalët e Maos: kishte thënë se të rinjtë duhet të mësojnë të kalërojnë, të përdorin pushkën e të stërviten mes erërave të  forta e valëve të mëdha. Dhe unë, që fëmijë ëndërroja një kalë të bardhë, një qen të mirë gjahu e shëtitjen nëpër botë, pa marrë parasysh idealet komuniste, që atëherë ishin më eproret”.

Çfarë qe Revolucioni Kulturor? “Një fatkeqësi e madhe, një rrënim i pamasë, shkatërroi vetëdijen tonë të së njerëzishmes.”

Është çasti të flitet për Wangun, Roje e Kuqe dhe vrasës. Tregimi i atij 5 gushti 1967 është i gjatë, i hollësishëm, nuk do të harrojë asgjë: “ Isha në shtëpi në Pekin, erdhi një shok e më tha se disa nga tanët ishin rrahur nga një grup rival. Shkuam të hakmerremi. Të tjerët ishin më të shumtë, por ne nuk ikëm për ndjenjën e nderit besoj ….. njëri prej nesh hëngri tri thika, atëherë hymë në palestrën e shkollës sonë , mblodhëm topuzë dhe shkopinj gjimnastike”. I lëviz duart sikur të kishte shkopin në grusht, gjatë tregimit buzëqesh sikur t’ishte ende djali i atëhershëm, i kënaqur për guximin e tij : “Godisnim e shpinat e tyre dukeshin si prej pambuku”. “Ishte njëri, shumë i gjatë e i bukur, që më goditi me një gur. I bërtita “të vras” dhe e ndoqa, ai nuk dinte të ikte e të fshihej, e arrita në buzë të një skarpate dhe e godita në zverk, fluturoi poshtë si një thes bosh, e arrita dhe e godita përsëri, në ballë, ia çava, shihja gjakun që spërkaste jashtë”.

“U ktheva në shtëpi, pak më pas shokët më thanë se kishte vdekur. I telefonuam policisë, por m’u përgjigjën se kishin tjetër punë: pikërisht atë 5 gusht kishin arrestuar Liu Shao Çinë. Më morën disa javë më pas. ‘A ndihesh fajtor, a mendon se e ke shlyer fajin ?’. Po, jam fajtor. Më thanë se djali që kisha vrarë ishte biri i një punëtori të mirë, jo një borgjez, jo një i zi. Ndoshta qe një fat që vrava djalin e një familjeje të mirë e jo një borgjez, përndryshe ndoshta nuk do të më vinte keq”. Mbas pak muajsh, Wangu u lirua, i falur nga babai punëtor i atij djali të rënë si një thes pambuku.

“Njerëzit tani nuk mund të kuptojnë, mendohej se ishin krime kolektive, Revolucioni Kulturor qe si vitet e fundit të Dinastisë King, mbas së cilës mbaroi perandoria. Edhe sistemi i sotëm nuk mund të vazhdojë pa reforma. Ata që janë si unë, e duan tokën dhe atdheun kinez. Kush do më shumë, kritikon më shumë”. U përshëndetëm duke folur mbi kuajt.

E përktheu: Eugjen Merlika   

*editorialist, Corriere della Sera

Shkruar Nga
More from revista mapo

Rroftë koalicioni, poshtë revolucioni!

Nga Arjan Ҫuri Nëse shtetet, partitë apo individët kanë lirinë dhe gjithë...
Read More