Rrahja e fëmijës dhe dhuna brenda nesh

opinionNga Gentian Dervishi

Rrahja e fëmijës në kopsht është dëshmi e një dhune që gjendet shumë më thellë brenda nesh. Dervishi shkruan se ajo është një pushtim.

Çfarë  është pushtimi. Më  kujtohet, dhe ndoshta s`do  ta harroj kurrë  rrëfimin e  gruas së Petro Markos që më ka bërë mua në një intervistë ndoshta nga të rrallat për tv… Ajo më tregoi si e përjetoi 7 prillin e 1939-ës.-Isha një fëmijë me fustankë dhe  me fetën e bukës me gjalpë  në dorë, dhe shtepinë e kisha tek Rruga e Durrësit-  tregon Safoja. –  Isha ulur tek shkallët e shtëpisë që binte fiks përballë  Ministrisë  së Arsimit sot.  Kur pashë  avionët  e zinj në qiell më ra një lot mbi fetën e bukës me gjalpë, dhe m`u drodh shpirti kur tanket hynë në rrugën e Durrësit. M`u nxi çdo gjë edhe pse  s`po më ndodhte asgjë mua si fëmijë” . Më  pëlqen ta quaj të tillë pushtimin në çdo rast. Një hyrje pa trokitur në derën e dikujt dhe i vë  atij  rregullat e tua me dhunë . Por pse ndihem i pushtuar këto kohë? Dëgjoj fëmijë  të vegjë l teksa luan Shqipëria  që thërrasin poshtë pallatit: “ kuq e zi o hej”,  dhe më kënaq,  pastaj  ia kthejnë  pllakën brohorimave me parullën: “Shqipëri etnike”,  dhe aty më humbet kënaqësia. – A  e dinë vallë vlerën e kësaj fjalë? Këngë  nga më të ndryshmet të cilat në grupe shoqërore edhe me njerëz të ditur nga arti, i shajmë dhe i mendojmë si një pushtim që po i bëhet kulturës… por kaq. Edukatore të cilat na rrahin fëmijët pa u hyrë asnjë gjëmb në këmbë, dhe përsëri  ndihem i pushtuar nga dikush që s`e njoh. A nuk ishte pushtimi një gjë e panjohur që të vjen nga jashtë? A nuk janë të panjohura modelet e reja të jetës që po na pushtojnë çdo ditë?!  Pse dreqin ndihem i  pushtuar në  vendin tim pranë njerëzve të mi dhe kur askush s`ka ardhur nga jashtë?! Politikanë  që i shajmë përditë dhe i “kërcënojmë “ me cicërimën tonë të butë,  se nuk do t`ua japim më votën prej këtyre marrëzive që na bëjnë në kurrizin tonë dhe përsëri  i kemi aty?  Pse ndihem i pushtuar prej njerëzve që s`i njoh dhe që janë  politikanët   e vendit  tim? Pse duhet të  ndihem i pushtuar nga kultura antikulturë  të cilën e kritikojmë, të paktën shumica e njerëzve që njoh, dhe përsëri  ajo na pushton çdo ditë? Çfarë po ndodh? Kush po na  vjen? Të kujt janë këta fëmijë që shajnë me fjalor që më vret veshin dhe që e trajtojnë femrën dhe shoqen e tyre të klasës si një orendi?  I kujt është ai djali që godet me grusht një gjimnaziste  mu në oborr të shkollës ?! Është pushtues romak? Është pushtues osman, austro – hungarez apo serb apo grek ? Nga erdhën këta fëmijë? Nëse ndihem i pushtuar prej tyre atëherë s`janë tanët apo çfarë ka ndodhur? Nëse ndihem i pushtuar prej muzikës, kulturës, artit fals apo manisë deri në çmenduri të rrjeteve sociale krejt bosh , atëherë ata që e bëjnë qenkan pushtues? Nga erdhën vallë? Hodhëm një bust në fillim të viteve `90 dhe u “çliruam”,  por pse përsëri ndihem i pushtuar? Nga kush? Prej kujt? Nuk është se na erdhën politikanë nga jashtë që të ndihem i pushtuar si Safo në `39-ën! Çfarë po na ndodh si shoqëri?  A mos po mbarohen njerëzit që mendojnë si unë dhe ndoshta e kam unë fajin?! Ndoshta pushtimi erdhi nga Brenda,  nga shumë thellë në nënvetëdijen tonë prej ballkanasish të nxehtë dhe të pashtruar ndaj ligjit?!  Dhe kur them “ligj”  s`kam fare ndër mend  letrat që firmosin përditë politikanët por ligjësitë e jetës. Të sfidosh ligjësinë që për mijëra  vjet  të ka mësuar,  si homosapiens,  se fëmija  është  qënia  që  rri në xhepin e prindit, dhe kur këtë e bën një  kangur, njeriu besoja deri dje se e bënte edhe më me shpirt por qenkam gabuar.  Ti vret për një fjalë, ti zihesh me grushta për një shikim duke sfiduar kështu ligjësitë e mbijetesës mijëravjecare,  ku specie të së njëjtës  familje mbrojnë njëri –  tjetrin për mbijetesë. Por ndoshta s`ke faj o njeri, nuk ndihesh i kërcënuar prej të ndryshmëve , ndoshta s`ke asnjë luftë në prag  që ta kuptosh se çfarë  është të mblidhesh rreth së të ngjashmëve  për  ta përballuar, po nejse kjo është temë tjetër.  Kujtoj këtu raste nga natyra e egër kur buajt nuk u trembën nga një tufë luanësh dhe për të marrë viçin e vogël të njërës prej lopëve të tufës u bënë  bashkë  dhe jo vetëm e morën, por bënë fertele edhe luanët mbretër. Po pse vallë e bënë ata këtë? Mos ndoshta ndonjë organizatë humanitare në Afrikë e vajtur atje me fondet e OKB,  u mesoi buajve se ka ca konventa që mbrojnë të vegjëlit e tyre? Jo,  ka një ligjësi të brendshmë hyjnore që prej miliona vitesh,  të thërret që ta mbrosh të voglin. Aq sa natyra, apo zoti për ca të tjerë,  ua çau barqet nënave dhe u tha:”  ja këtu do t`i strehoni të vegjëlit tuaj që t`i rrisni të qetë për të ardhmen”.  Por  njeriu s`e bën më këtë. Dhe na vijnë s`di se nga, ta zëmë,  ca nëna që nuk dinë të rrisin djem, ca djem që nuk dinë të respektojnë vajzat, ca vajza që bëhen “amvisa”  pa dëshirë, ca dëshira të kthyera në urdhra patriakale,  ca baballarë refugjatë  jo me dëshirë. Kush na pushtoi dreqin që u bëmë kështu?. Nga janë  edukatoret tona? Janë  ato pushtuese me avionë të zinj mbi  rrugën e Durrësit? A janë nënat tona tanket me zinxhira që shkelin mbi bulevardin qendror? A mos u pushtuam nga vetja? A mos gaboi Aristoteli kur përmendi katarsisin si rezultat i dhunës në skenë? Ai thoshte se njeriu e ka potencialin e të bërit keq  brenda vetes dhe nëse e nxjerr këtë përmes artit në skenë,  atëherë  çlirohet dhe pastrohet dhe nuk e bën këtë dhunë në rrugë. Por kaq shumë dhunë sa kemi parë ne do ishim bërë Kristal – kithara`. Nuk ndodhi. Le t`i harrojmë dhunërat mbi ne prej çdo lloj pushtuesi të huaj dhe çdo lloj perandorie, që thuhej se na bënë më të fortë,  por që vështirë ta besoj pas ketyre ditëve. Dhe le te kujtojmë diktaturën. Ai eksperiment social sipas Aristotelit  duhet  të na  kishte bërë popullin më të pastër në botë sepse përveç  dhunës  që hëngrëm ne edhe spiunuam njëri  –  tjetrin,  nuk u bëmë  bashkë  ndaj së keqes etj etj. Por ama pasi e hodhëm tutje,  ku jemi? Të pushtuar prej vetes. Avionët krahëzinj dhe zhurmëmëdhenj mbi rrugën e Durrësit janë nënat tona që na rritën, tanket janë edukatoret,  nëna edhe ato madje gra me bark të çarë  marsupialisht prej natyrës ku të mbajnë të voglin e tyre, janë mitralozët baballarë që s`na thanë kurrë si ta trajtojmë një shoqe dhe një nuse më vonë. Por pse duhet të ndihem i pushtuar dreqin pikërisht sot? Pse t’i kthehem Platonit si fitues i bastit të tij me nxënësin gjaknxehtë Aristotel. Dhe basti  ishte ky. Dhunën s`duhet ta japim në skenë –  or bir –  sepse njeriu është kafshë imituese dhe atë dhunë do ta çojë edhe në rrugë pas skenës së teatrit. Prej mijëra vitesh ky bast është provuar në shoqëri të shumta. Aristoteli u mor si vija që të çon për nga liria e shprehjes dhe demokracia, ndërsa i ngrati Platon të  çonte për nga ndrydhja dhe diktati, ( për të mos e quajtur diktaturë sepse ndotet me konotacionin shqiptar të kësaj fjale). Dhe s`ka patur faj Oskar Ualdi   kur tha se “gjithmonë e dija cila ishte rruga e drejtë por s`e mora asnjëherë sepse ishte shumë e gjatë dhe e vështirë dreqi e mori”. Ka vetëm dy arsye pse ndihem i “pushtuar” por jo në kuptimin kinematografik të fjalës si i  pushtuar nga djalli… por i pushtuar nga të panjohurit, i pushtuar nga avionët e zinj të huaj dhe nga tanket në rrugën e Durrësit që po vijnë drejt shtëpise time lart për nga Selvia. . Ose Platoni ka patur të drejtë dhe transformimi drejt njeriut modern të pushtuar nga dhuna po realizohet, dhe ky është skenari ku une dal i larë dhe jo i çmendur, ose skenari dy është që unë dhe ca të tjerë jemi të çmendur dhe s`po e kuptojmë  se jemi në gabim. Nëse një këngë nuk është këngë e kemi ne gabim që nuk e quajmë atë artist, ai nuk është pushtues. Nëse një  edukatore na rreh fëmijët  ajo nuk  është  pushtuese por jam unë i  çmendur që e urrej dhe s`e pranoj si edukatore, madje jam edhe démodé. Nëse një politikan na rrjep,  ai nuk është  pushtues por jemi në  të  çmendur që s`e kuptojmë  modën. Nëse një gazetar nuk thotë të vërtetën ai nuk është aspak pushtues por jemi ne të lojtur që nuk marrim vesh nga gazetaria. Nëse një vajzë nxjerr veç  gjoksin e saj të falur nga perëndia për t`i dhënë gji femijës, në facebook duke bërë edhe duckface , ajo nuk mund të jetë pushtuese, por je ti i çmendur që pyet : “ po kjo ç’pati ishte mirë  e bukur” . Dhe kështu me radhë o miqtë e mi të pakët që shpresoj të jeni po aq të çmendur sa unë.  Në fund të kësaj do doja të shaja me fjalë të ndyra Aristotelin e lashtë që na gënjeu me “katarsisin”  e famshëm tek i cili besova edhe unë  pas gjithë asaj dhune që mori në kurriz ky popull në kohëra. Por edhe pse i di të gjitha sharjet s`mi nxe goja sepse nuk dua të bëhem njësh  me pushtuesin dhe të bëhem pa edukatë si ai. Thjesht i “falem” baba Platonit dhe i them mos ndoshta kishte ai të drejtë për ca vende kur katarsisi nuk bën punë. Dhe nëse s`ka Aritotel si koncept ka vetëm Platon. Edhe vetë Zhan Zhak Rusoi që i nxitur prej konceptit  iluminist të Aristotelit shkroi kontratën sociale prej së cilës sot kemi shtet modern , tha pasi njohu njeriun sipas Platonit :” në një vend ku liria është me tepri, ai vend është i dënuar me liri”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Listat e Partisë Demokratike, fitorja e pestë e Bashës

Nga Ervis Iljazaj Mbas shpalljes së listave të deputetëve shpërtheu më në...
Read More