Rilindja që vrau politikën dhe shpresën

Nga Bledar Kurti

Cilido që e njeh historinë, ose të paktën që njeh Rilindjen italiane, europiane apo atë shqiptare, tashmë është i tmerruar dhe tejet i ofenduar nga mospërputhja që ka ky emër kaq i madh për qytetërimin perëndimor dhe për identitetin tonë kombëtar me Rilindjen që qeveris prej gjashtë vitesh Shqipërinë. Ndërkohë, ata që nuk e njohin historinë janë thjesht të inatosur dhe të irrituar me premtimet e pambajtura dhe pritshmëritë e mëdha, tashmë tërësisht të dështuara, me të cilat mazhoranca qeverisëse arriti të vinte në pushtet. ​Ky varietet i shëmtuar i Rilindjes i ka bërë një dëm të jashtëzakonshëm vendit, brezave të rinj e të vjetër, e madje në mënyrë të paprecedentë ka arritur të vrasë vetë politikën dhe shpresën e një kombi të tërë. Shqiptarët kanë përvojë të hidhur me politikën, por pavarësisht kësaj, ata e dinë se politika “per se” është e bukur, është art dhe mjet për të ndryshuar vendin dhe zhvilluar shoqërinë, por kjo Rilindje ka arritur ta vrasë atë, duke dekurajuar rininë, intelektualët, idealistët, patriotët, e të gjitha kategoritë e njerëzve që e duan këtë vend e vlojnë nga dëshira për ta ndryshuar atdheun e tyre.

Deri disa vite më parë të rinjtë e arsimuar jashtë vendit ktheheshin në Shqipëri me dëshirën për t’u përfshirë në politikë në mënyrë që të kontribuonin në zhvillimin e vendit, ndërsa tani, pas gijotinës së Rilindjes, jo vetëm që nuk duan të kthehen më, por edhe ata njerëz me potencial që jetojnë këtu përpiqen të largohen jashtë kufijve për të mos ia dëgjuar më emrin politikës e për të mos ua parë më fytyrën politikanëve. ​Rilindja e veshi politikën me një petk të neveritshëm. Ministrat e pashkolluar, anonimët pa kontribute politike apo shoqërore, deputetët xholë, skandalet e njëpasnjëshme, arroganca e pështirë qeveritare, propaganda e tepruar, mungesa e seriozitetit ndaj përgjegjësisë kombëtare dhe qeverisëse, miopia e vizionit, kaosi dhe katrahura në sektorët më kyçë të vendit etj., i kanë dhënë një shembull të keq cilitdo që e do dhe dëshiron të kontribuojë për vendin e tij.

Ndërkohë që Rilindja italiane, europiane dhe shqiptare shquhej për figurat e spikatura me ndikim epokal, Rilindja e sotme, ky deviacion i pështirë i një koncepti aq fisnik, nuk ka prodhuar as edhe një figurë apo koncept të vetëm që nderon një emër kaq të madh. Përkundrazi, mesazhi që i ka transmetuar shqiptarëve, dhe shembulli që ka injektuar te brezat është ai i karrierës jo përmes talentit, aftësisë, vizionit, kontributit, mendimit, profesionit, por i dembelizmit, servilizmit, mashtrimit, vjedhjes, krimit, bindjes dhe nënshtrimit absolut. Rilindja e puthadorëve, e anonimëve që nga mbetës në shkollat fillore dhe vjedhës të rëndomtë një ditë zgjohen të ulur në detyra të larta apo duke ngrohur karrigen e parlamentit. Rilindja e siluetave të errëta që s’kanë as zë e as mendim, ka institucionalizuar shembullin e karrierës së pamerituar, një shembull që ofendon çdo prind që mundohet të edukojë fëmijën e tij me punë, ndershmëri, profesionalizëm, arsimim dhe drejtësi.

Kësisoj, çdo shqiptar i ndershëm, i drejtë, profesionist, i dashuruar me vendin e tij, ndihet sot pa atdhe, pa motiv, dhe i dëbuar, pasi nuk ka vend për të në këtë Shqipëri e cila qeveriset nga kjo filozofi e re e cila fatkeqësisht për historinë botërore e ka emrin Rilindje. Në këtë realitet xhungle politike dhe sociale, njeriu me integritet dhe aftësi është qenia më e dobët dhe përfundon i humbur, i papunë, i dorëzuar nga uria, apo i ngrënë nga kanibalët e shpresës të cilët janë edhe gardianët e kësaj xhungle. Rilindja ka vrarë edhe konceptet shekullore të qeverisjes. Montesquieu themeloi teorinë e ndarjes së pushteteve, John Locke mbrojti teorinë e kontratës sociale, shqiptarët e rrëzuan tre dekada më parë mitin e pushtetit në duart e një njeriu të vetëm, megjithatë, në Shqipërinë e shekullit të 21-të, vendi ka tre vite pa Gjykatë Kushtetuese; qeveria nuk përmbush as edhe një prej përgjegjësive të përcaktuara në kontratën me popullin e vet siç janë siguria, rendi, dhe standardi i jetesës; pushteti është në duart e një njeriu të vetëm, dhe rruga drejt BE-së bëhet gjithnjë më e largët dhe më e mundimshme.

Për shkak të Rilindjes edhe koncepti i demokracisë ka humbur domethënien themeltare. Rilindja pretendon se qeveris bazuar mbi demokracinë si sundim i shumicës, por dihet fare mirë se një demokraci e tillë është tirani. Një demokraci e shumicës është si dy ujqër dhe një dele që votojnë se kë do hanë për drekë, ndaj edhe vendet e zhvilluara zbatojnë parimet e asaj që njihet si demokraci liberale e cila nuk mbron me fanatizëm dhe diktat të drejtën e saj numerike por respekton opozitën dhe pakicën. Të marrësh pushtetin me shumicë votash nuk garanton mirëqeverisje, progres apo drejtësi. Hitleri dhe Enveri u votuan me shumicë votash; Sokrati u detyrua të pinte kupën me helm me shumicë votash; Krishti u kryqëzua në mënyrë demokratike nga mazhoranca e asaj kohe, ndaj kjo qeveri nuk duhet të përdorë kurrë si argument tiraninë e privilegjit të shumicës.

Në demokraci liberale respektohet pakica ndërsa mazhoranca ka përgjegjësinë ta garantojë këtë respekt dhe të përmbushë të drejtat e opozitës. Ndaj një Rilindje që shpall se vendi nuk ka nevojë për opozitën është marrëzi, dhe kundërshtia me gaz që i bën protestave është thjesht një tirani moderne. Sikur edhe një njeri i vetëm të protestojë kundër qeverisë, ajo ka përgjegjësinë të ulet e ta dëgjojë atë, ndërsa kur mijëra njerëz protestojnë siç kanë protestuar studentët dhe shqiptarët gjatë javëve të fundit, ajo duhet të përulet e të dorëzojë plot gatishmëri krenarinë, arrogancën, dhe madje privilegjet e saj. Në një demokraci liberale zëri që duhet dëgjuar më shumë është ai i njerëzve në rrugë sesa ai i foltoreve të pushtetit.

Sikur të mos mjaftonte ky dhunim ndaj demokracisë mazhoranca shkon edhe më tej duke tejkaluar edhe imagjinatën më të çmendur të diktaturave historike, duke guxuar të krijojë një opozitë të re sipas pëlqimit të saj, përmes renegatëve dhe materialeve të riciklueshme të partive politike, të cilët një ditë u gjendën, më të habitur se kushdo tjetër, të ulur në karrigen e deputetit. Dhe tani parlamenti u bë edhe më anonim se më pare, dhe më me pak zë se më parë. Ky është teatri absurd i Rilindjes. Mungesë rendi shoqëror dhe një politikë pa një renditje logjike. Një momentum i cili njihet ndryshe edhe si “ground zero.”

U bë kohë që flitet se Rilindja po tenton të ngrejë edhe një opozitë patriotike me protagonistë nga brenda e jashtë kufijve. Madje do i zgjedhë edhe emrin, ngjyrën, logon dhe drejtuesit. Vetëm ideja e një mendimi të tillë është tirani, e jo më përpjekja për ta bërë atë realitet.

​Rilindja nuk ka të ndalur, ajo ka vrarë edhe leksikun politik. Një nga tiparet e dalluara të Rilindjes evropiane dhe asaj shqiptare ishte standardizimi dhe promovimi i gjuhës. Nuk pretendojmë që Rilindja e sotme të prodhojë gjeni e figura historike, as të nxjerrë nga gjiri i saj Uilliam Shekspir apo Naim Frashër të ri, por ashtu siç ne u kërkojmë fëmijëve që nga kopshti e deri në universitet, ajo duhet të ndjekë leksikun e gjuhës shqipe të fituar me shumë mund dhe gjak ndër shekuj, ndaj minimalisht të tregohet dinjitoze në komunikimin e saj dhe leksikun politik që injekton tek opinioni publik. I vetmi kontribut gjuhësor që ka sjellë Rilindja gjatë qeverisjes së saj janë fjalët tepsi, kazan, timon e banalitete të tjera të ngjashme me to të cilat ilustrojnë një Shqipëri provinciale dhe arkaike, e aspak moderne dhe europiane.

Por, plaga më e madhe që i është shkaktuar këtij vendi gjatë këtij kapitulli absurd të Rilindjes është vrasja e shpresës dhe arratia e qindra mijëra shqiptarëve. Vetëm në vitin 1991 ky vend përjetoi një eksod të tillë siç po ndodh në ditët e sotme. Arsyet janë të njëjta, numrat janë të njëjtë, ajo që ka ndryshuar është vetëm kalendari dhe një optikë më e zymtë ndaj së ardhmes. Depresioni ekonomik dhe shoqëror që ka zaptuar vendin ka fshirë buzëqeshjen nga fytyra e shqiptarëve, jo vetëm në veri apo jug por edhe në qendër të Tiranës. Sot njerëzit ndihen të pasigurt për jetën, punën, ushqimin, të ardhmen, dhe kjo për shkak se varrmihësit e shpresës kanë zhvatur jo vetëm pasuritë e këtij vendi por edhe pasuritë e vetë jetës.

Të rinjtë, të moshuarit, e madje edhe fëmijët sot janë të pa shpresë, dhe kur një fëmijë nuk ka shpresë një komb i tërë nuk ka të ardhme. Rilindja rezultoi thjesht një eksperiment me shumë efekte të rënda anësore, ndër të cilat më e rënda ishte vrasja e shpresës, ndaj tani iu takon vetë shqiptarëve të pranojnë kapitullimin dhe syrgjynosjen apo të rilindin të ardhmen e tyre.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zyrtari i PPE: Arritjet e qeverisë janë kozmetike, ja çfarë thuhet në korridoret e Brukselit dhe Strasburgut

"Rruga drejt fitores nuk është e thjeshtë". Kështu iu drejtua delegatëve të...
Read More