Rikthehet “Babalja”, PD hidhet në sulm sërish

Partia Demokratike kallëzon penalisht ish-kreun e Policisë Fier Albert Nushi dhe katër prokurorët e çështjes “Babale”. Publikimi i dy përgjimeve telefonike mes “të penduarit” Alfred Alizoti dhe ish-kreut të Policisë Nushi shtojnë dyshimet se është paguar për të dhënë dëshminë në favor të vëllait të ish-ministrit Xhafaj. Kush është “shefi i madh” që kërkon të takojë Alizoti?

Çështja e audiopërgjimit të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i dyshuar në një aferë të trafikut të lëndëve narkotike, është rikthyer përsëri, por këtë herë janë kallëzuar penalisht “akuzuesit”. Ish-deputeti i PD-së me mandat të djegur Ervin Salianji denoncoi dje aferën e pastër që sipas tij ka ndodhur me këtë çështje, ku një nga personazhet Alfred Alizoti, është joshur me para nga ish-kreu i Policisë së Fierit Albert Nushi, në mënyrë që ky i fundit të dëshmonte në prokurori se ishte ai “aktori” që kishte luajtur rolin në audiopërgjimin e pretenduar mes Albert Veliut (Babalja) dhe Agron (Geron) Xhafajt. Pasi publikoi dy përgjime të reja në lidhje me dosjen “Babale”, ku thuhet se implikohen drejtpërdrejt drejtuesit e Policisë së Fierit, Salianji bëri një tjetër lëvizje. Ish-deputeti demokrat i marrë si i pandehur për këtë çështje me akuzën e shpifjes dhe kallëzimit të rremë, vendosi të kallëzojnë penalisht drejtuesit e Policisë së Fierit dhe prokurorët e çështjes. “Partia Demokratike ka vendosur të kallëzojë penalisht drejtuesit e policisë së Fierit dhe 4 prokurorët e çështjes “Xhafaj” për shpërdorim detyre, falsifikim të provave dhe fshehjen e së vërtetës”, -tha Salianji. Drejtori i Policisë së Fierit Albert Nushi u transferua pak ditë më parë nga posti drejtues dhe motivacioni u lidh me ristrukturimin e strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit, ndërsa nuk dihet nëse kjo lëvizje ka ardhur pasi është mësuar se Nushi del në përgjimet e prokurorisë teksa flet dhe takon disa herë Alfred Alizotin. Nga kjo çështje ka një të arrestuar që është Alfred Alizoti, është shpallur në kërkim Alfred Veliu (që ka marrë statusin e azilantit) dhe po ndiqet penalisht në gjendje të lirë ish-deputeti demokrat Ervin Salianji dhe gazetari investigativ Jetmir Olldashi.

Përgjimet e padekriptuara

Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, janë dekriptuar disa përgjime telefonike mes të cilëve është Alfred Alizoti dhe Albert Veliu. Por ndërsa përgjimet ishin edhe më të rënda me përfshirjen e drejtorit dhe nëndrejtorit të Policisë Fier, asnjë nga këto biseda nuk figurojnë në dosjen e zbardhur hetimore. Materialet janë dërguar bruto nëpërmjet “CD”-ve dhe nga verifikimi i imtësishëm, Salianji ka veçuar dy raste flagrante ku në përgjim del Alizoti dhe ish-kreu i Policisë së Fierit Albert Nushi. Numri një i policisë së Fierit e telefonon disa herë, madje përmend edhe faktin: “a t’i solli lekët”? Por personazhi i veçantë Alfred Alizoti kërkon edhe më shumë, madje të takojë shefin e madh, që sipas Salianjit rezulton të jetë Fatmir Xhafaj. “Rama u investua në fabrikimin e dëshmitarit të rremë. Por të verbuar nga pushteti ata lanë pas në dosje gjurmë të falsifikimit të provave. Dosja Xhafaj është prova më konkrete që Shqipëria është sot një narkoqeveri. Përgjigjet zyrtare të pazbardhura nga prokuroria në mënyrë të qëllimshme tregojnë se dëshmitari i Ramës është blerë”, -tha Salianji. Sipas tij faktohen strukturat e policisë dhe prokurorisë vendosen nën urdhrat e një trafikanti që mori përsipër rolin e aktorit për të shpëtuar Ramën. “Drejtuesit e policisë në Fier paguajnë Fredi Alizotin me urdhër nga ai që ka deleguar qepjen e kësaj historie. Është Fatmir Xhafaj”, – tha Salianji. “Më 7 qershor 2018 siç dëgjohet edhe në audiopërgjim, Alizoti ka kërkuar nga drejtori i Policisë së Fierit të takohet me shefin e madh. Në atë kohë, siç tha ish-deputeti Xhafaj rezulton të ketë qenë në një vizitë jashtë shtetit, në Kroaci”, shtoi Salianji. Në përgjimet e publikuara duket qartë që kreu i Policisë së Fierit dhe vartësi i tij kanë marrëdhënie “dashamirëse” me Alfred Alizotin, madje ky i fundit përdor një fjalor të rëndë dhe shpesh u lë të kuptohet se kërkon para. Në një nga bisedat flitet: “a i more paratë”, çka konfirmohet nga Alizoti, por shuma nuk përmendet. I mësuar më “trajtimin special”, Alizoti kërkon edhe më shumë, madje të takojë shefin e madh, që sipas Salianjit është Fatmir Xhafaj, i cili në këtë rast kishte konflikt të hapur interesi pasi bëhej fjalë për një audiopërgjim ku dyshohet se ishte implikuar vëllai i tij.

Prokuroria me të tjera pretendime

Institucioni i akuzës e ka dërguar çështjen për gjykim ku sipas saj në audiopërgjim nuk është Agron Geron Xhafaj, por Albert Veliu (Babalja) dhe Alfred Alizoti. Ky i fundit iu vetofrua policisë duke pretenduar se Veliu i kishte premtuar 50 mijë euro nëse bënte rolin e Xhafajt në audiopërgjim. Ndërsa Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi janë nën hetim për akuzën e kallëzimit të rremë dhe shpifjes. Për këtë çështje dukshëm diçka nuk shkonte, ku e gjithë struktura e policisë, përfshi edhe “institucionin e pavarur” Prokurorinë, u angazhuan që çështja të kthehej në favor dhe audiopërgjimi të konsiderohej si i pavërtetë. Aktualisht vëllai i ish-ministrit ndodhet në burg në Romë, duke vuajtur dënimin prej 4.2 vitesh për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai u largua menjëherë pas audiopërgjimit që u publikua nga Partia Demokratike. Materiali i audiopërgjimit, bashkë me zërin e Agron Xhafajt u dërgua për ekspertizë në Angli, por përgjigjja e ardhur nga ekspertët e huaj nuk “ngrohu palët”, pasi e kishin të pamundur që të arrinin në konkluzione për shkak të audiopërgjimit të dobët. Pavarësisht përgjigjes evazive, prokuroria vendosi që të arrestojë Alfred Alizotin, dhe të shpallte në kërkim Albert Veliun, duke i konsideruar këta të dy si autorët e audiopërgjimit, ku PD theksonte se ishte Agron Xhafaj dhe Albert Veliu, të cilët diskutonin për një trafik të mundshëm të kanabisit nga Vlora drejt Italisë. Politikisht kjo çështje trazoi shumë, por për të mbrojtur ish-ministrin Xhafaj u investua vetë kryeministri që vetëm 24 orë pas transmetimit të audiopërgjimit u shpreh se ai kishte dërguar materialet e audiopërgjimit privatisht në një laborator të rëndësishëm në vendet partnere dhe përgjigjja sipas tij ishte se në audiopërgjim nuk figuronte zëri i vëllait të Xhafajt. Sipas Ramës ky ishte një trillim i dalë nga aktorë të paguar nga zyrat e PD-së. Çështja pritet të shqyrtohet në gjykatë në javët në vijim, por situata ka marrë një tjetër rrjedhë pas implikimit të ish-drejtuesve të policisë dhe prokurorëve të çështjes në “joshjen” e dëshmitarit të “penduar” Alfred Alizoti.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Momenti i guximshëm i Merkelit në Mynih

Nga Christian F. Trippe Si në të gjitha fjalimet e mëdha politike...
Read More