Revoltë, dhunë e gaz lotsjellës, Basha: Tani mosbindje civile

Protesta e opozitës para Parlamentit degradon në incidente të rënda ku në tentativë për të çarë kordonin policor drejt turmës u hodh sasi e madhe gazi lotsjellës. Tre orët e revoltës që dëmtuan qindra qytetarë nga gazi lotsjellës. Basha: “Ne nuk e njohim Kuvendin dhe policinë. Mosbindje civile nga jugu në veri”. Rama lëshon batuta nga Lushnja, ministra dhe deputetë të revoltuar me opozitën në Tiranë.

Nuk ka më qetësi. Protesta e opozitës shoqërohet me incidente të shumta me protestues që tentuan të futen në oborrin e Parlamentit dhe kundërpërgjigjen e policisë me lëshimin e një sasie të madhe gazi lotsjellës. Nga lëshimi i kimikateve pa “kursim” të hedhura nga forcat e policisë, u prekën edhe qindra qytetarë, mes tyre gra dhe fëmijë që nuk kishin lidhje me protestën, madje ishin disa qindra metra larg vendit të revoltës. Gjithçka nisi për të bllokuar deputetët e mazhorancës që të vijonin punimet Parlamentare dhe këta të fundit janë detyruar të dalin nga portat dytësore të kuvendit për të shmangur përballjen me turmën. Pas tre orësh tension, deklarata dhe incidente të shumta, kreu i PD-së Lulzim Basha në mbyllje të protestës lëshoi mesazhin e fortë dhe akuzoi Policinë e Shtetit se ka shkelur ligjin duke helmuar popullin protestues. “Ne nuk e njohim Kuvendin, as Policinë. Mosbindje civile nga jugu në veri”- deklaroi Basha. Pas djegies së mandateve të deputetëve, opozita ka kërkuar mosbindje civile, që është një tjetër hap ekstrem, çka mund të sjellë përshkallëzimin e situatës edhe në rrethe të tjera të vendit. Pas protestës reagoi selia e OSBE-së në Tiranë ku bëri thirrje që të shmangen aktet e dhunës ndaj institucioneve të vendit dhe strukturave të rendit, por për këta të fundit kishte një sugjerim që t’i përgjigjen situatës në mënyrë proporcionale, pikërisht nisur nga sasia e madhe e gazit lotsjellës që u hodh drejt protestuesve, por edhe qytetarëve që kalonin rastësisht. Si në çdo rast proteste, kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm, pasi zgjodhi jo pa qëllim të vijonte në turin “bashkia që duam”, e cila dje u mbajt në Lushnjë, në të njëjtën kohë që zhvillohej revolta para Parlamentit.

Tension dhe vendim për mosbindje civile

Fillimisht mijëra protestues mbushën sheshin para godinës parlamentare dhe ndërsa seanca vijonte një grup protestuesish tentuan të thyejnë kordonin e parë policor e në atë momente policia hodhi disa bomba me gaz lotsjellës. Ata kanë lëshuar thirrje “Parlament i krimit”, “Rama ik!”, “Liri demokraci”, “Këtu vendosim ne”… Krah protestuesve, madje në ballë të tyre, ishin edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dhe përfaqësues të tjerë të opozitës. Situata është tensionuar ndërsa në sallën e kuvendit po fliste kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla. Taktika e mazhorancës për të ndryshuar ditën e punimeve parlamentare të parashikuar për të enjten nuk ka rezultuar e suksesshme, pasi mijëra protestues u mblodhën para godinës së Kuvendit. Gjithashtu, janë shënuar edhe dy incidente teksa deputeti Paulin Sterkaj dhe ministri Blendi Klosi zgjodhën të futen nga hyrja kryesore e godinës, çka revoltoi protestuesit dhe u desh ndërhyrja e policisë që të mos kishte konfrontime. Gjatë fjalës së tij në protestën para Parlamentit, kreu i PD Lulzim Basha ka hedhur akuza në drejtim të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Basha tha se qeveria ndryshoi ditën e seancës plenare sepse kanë frikë, ndërsa sipas tij klikës kriminale i ka ardhur fundi. “Sot ajo godinë nuk është Kuvendi i Shqipërisë, por banda e hajdutëve që ka marrë peng Shqipërinë. Ata që kalojnë ligje antikushtetuese dhe futën duart në kutitë e votave dhe i dhanë Shqipërisë Maduron e Ballkanit. Ato karrige nuk përmbajnë asgjë sepse pushteti i takon popullit”, -tha Basha gjatë momenteve të para të protestës. Lideri demokrat ishte mjaft i ashpër në përfundim të revoltës, ku akuzoi jo vetëm qeverinë, por edhe policinë e shtetit për aktet e rënda të dhunës në përdorimin e pamasë të gazit lotsjellës. “I treguam Maduros së Ballkanit dhe mbarë botës se ky vend ka zot. Sot, Edi Rama përdori dhunën e verbër ndaj qytetarëve që protestuan në paqe. Sot, ne nuk kemi më Kuvend, nuk kemi më qeveri dhe për fat të keq nuk kemi as polici. Kemi një bandë hajdutësh dhe kriminelësh që kanë vjedhur Shqipërinë. Sonte le t’i çojmë këtë mesazh çdo qytetari që ne nuk njohim më jo vetëm qeverinë e krimit por edhe policinë e krimit. Mosbindja civile do të shtrihet nga jugu në veri dhe do ta çlirojmë këtë vend”-deklaroi ndër të tjera Basha. Ndërsa kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi iu drejtua edhe socialistëve të vërtetë të dalin kundër Ramës që sipas saj ka varfëruar shqiptarët dhe detyruar rininë që të largohet jashtë vendit. “Ju drejtohem sot socialistëve të ndershëm që janë pa punë dhe u janë larguar fëmijët në emigracion. Sot prezenca jonë nuk është vetëm për sot. Ne do ta rrethojmë çdo ditë Parlamentin sa herë që ata duan të bëjnë seanca. Ne zgjodhëm të ishim si ju dhe të dilnim në shesh si ju. Ne zgjodhëm të lëmë çdo gjë për të treguar se Rama është vetëm. Ai i ka kundra edhe ata deputetët që ka në Kuvend”- tha Kryemadhi.

Mazhoranca, reagime nga Lushnja dhe Parlamenti…

Kreu i qeverisë ishte 120 kilometra larg Tiranës kur protestohej para Parlamentit, por nga Lushnja foli për vendimin e opozitës për djegien e mandateve, ndërsa konsideroi “me dy pare mend” deputetin demokrat Myslim Murrizi që refuzoi djegien e mandatit. “Ne nuk jemi të përsosur dhe asnjë qeveri nuk është e pagabueshme. Qeveria jonë ka bërë gabime, por ne kemi ditur të reflektojmë dhe të reagojmë. Transformimi flet vetë në Lushnjë dhe në Divjakë edhe pse hallet nuk kanë të sosur. I vetmi me dy pare mend na doli Myslym Murrizi në Lushnjë. Do doja ta thoja unë atë shprehjen e Murrizit që u nisën të rrëzojnë Ramën dhe më rrëzuan mua. Ky ishte revolucioni për të rrëzuar Myslym Murrizin”- tha Rama. Ndërsa kryeministri hidhte e priste batuta, në dukje i qetë, situata ishte e tensionuar për zëvendësin e tij Erion Braçe, menjëherë pas daljes nga Parlamenti. “Një ditë e qartë dhune kundër institucioneve. Mos të mendojë kush se integriteti i një deputeti e veçanërisht zonjave që janë kërcënuar sot është cenimi i integritet personal i secilit prej nesh, jo është cenim i integritetit kushtetues”, tha Braçe. Më me “sportivitet” dhe me aforizma filmash e ka pritur ministrja Elisa Spiropali. “Dua t’ju kujtoj një shprehje të Çerçiz Topullit. Kush lufton për plaçkë, plaçkë është edhe vetë. Shqiptarët do ta degdisin në koshin e historisë këtë opozitë të vjetër për të sjellë në jetë një opozitë të re, nga shqiptarët dhe për shqiptarët”-tha ajo. Ndërsa në fjalën e gjatë që mbajti në parlament, që nxiti edhe shkëndijat e para të revoltës jashtë Kuvendit ishte kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla. “Me PD ringjallen huliganët, kthim pas në kaos, në paligjshmëri. Në 28 vite me radhë, PD ka qenë përgjegjëse për skemat piramidale, luftën civile të ’97-ës, grushtin e shtetit në 1998, Gërdecin, 21 janarin, shitjen e detit, e korrupsione të tjera, vjedhja e rrugës së kombit”-deklaroi Balla. Situata politike vijon të mbetet mjaft e rëndë me opozitën që pasi ka djegur mandatet kërkon qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme dhe me mazhorancën që shprehet e vendosur për të mos u tërhequr.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A nuk është korrupsioni galopant një arsye për largimin e Ramës?

Korrupsioni është plaga më e madhe në vend, e cila jo vetëm...
Read More