REPORTAZH/ Braktisja e vendit, po ikin edhe ata që i kanë të gjitha

Edhe ata që nuk kanë mundësi vetë, mendojnë si t’i çojnë fëmijët për studime jashtë, në mënyrë që të ndërtojnë jetën në një vend tjetër. Për fat të keq, duket sikur Shqipëria po i përzë të gjithë!

Nga Blerina Gjoka

Ikja e njerëzve po përjetohet si një nga plagët më të mëdha të Shqipërisë sot. Besohet se prej vitit 2013, janë larguar nga vendi gjysmë milionë njerëz. Nga mungesa e besimit, e shpresës apo në përpjekje për të ndërtuar një ëndërr, një të ardhme më të mirë për veten e fëmijët, shqiptarët po dynden çdo ditë drejt Europës. Të rinj, të reja, familjarë, e kush të mundet. Ajo që shqetëson më shumë është ikja e një shtrese të kualifikuar, e profesionistëve, e atyre që mund të kontribuonin shumë për vendin. Blendi dhe Arjona Meshi, janë një çift që kishin një jetë të mirë në Tiranë. Një ditë, ata vendosën të presin biletën vetëm vajtje për Gjermani. Blendi 41 vjeç, është inxhinier ndërtimi. Ishte aksioner në një firmë nënkontraktore, ndërsa Arjona 30 vjeçe, sapo ishte diplomuar si stomatologe, e ndërkohë punonte dhe me shitjet online. Në momentin kur u bënë prindër të dy fëmijëve, nisën të mendonin t’i rrisnin në një vend tjetër, pasi, siç thonë ata, Shqipëria nuk u ofron as arsim cilësor dhe as jetë të shëndetshme. Në Tiranë ata paguanin kopshte private nga 200 euro në muaj. Ndërkohë Blendit iu desh ta mbyllte firmën e tij në një situatë krejt absurde pikërisht atëherë kur nisi një bum ndërtimesh, por për njerëz si ai që kishin punuar me sakrifica deri në atë moment, nuk kishte më hapësira pune. Sipas tij “ekonomia është pushtuar nga mafia dhe paratë e drogës. Mjafton të fshish pak pluhurat dhe do shohësh që mbas shumë bizneseve të mëdha dhe të mesme qëndron nga një klan mafioz. Mafia ka pushtuar dhe policinë, dhe administratën. Kudo janë njerëzit e tyre. Mendoj se mjafton kaq për të thënë që jeta në Shqipëri është e pasigurt”.

Në Gjermani

Janë vendosur në një qytet të vogël, të bukur, të mbushur me pemë e parqe. Gerolstein, është pranë Bonit. Të njëjtën punë po bën edhe atje, ku është futur ortak në një firmë të vogël që merret me ndërtime e restaurime. Është e vështirë si fillim, pohon ai, por gjërat funksionojnë siç duhet në të gjitha hallkat e tyre. Për Arjonën Gjermania është një horizont i ri ku po provon veten në punën që bënte privatisht edhe në Tiranë, në shitjet online, por pa lënë pas dore njehsimin e diplomës si stomatologe, pasi fusha e mjekësisë ofron mundësi punësimi. Mes fëmijëve, mësimit të gjuhës dhe adaptimit me një jetë të re ajo thotë për gazetën Mapo: “Isha realiste dhe e dija që fillimi do jetë i vështirë, por vështirësitë janë kalimtare dhe përshtatja vjen shumë shpejt”. “Fëmijët u përshtatën shpejt, shkojnë në kopsht dhe gjuhën e mësuan shpejt. Unë aktualisht merrem me shitjet online, kjo punë me siguron të ardhura dhe kam kohën e lirë të merrem me mësimin e gjuhës dhe njohjen e diplomës në Gjermani. Objektivi im është që të përfundoj provimet e njohjes së diplomës dhe të filloj një punë në profesionin tim si stomatologe”, pohon Arjona.

Përse ikën?

Premtimet politike për arsim falas, shëndetësi falas janë bërë monotone, por sa e ndiejnë qytetarët propagandën në jetën e përditshme… Këto në fakt janë disa nga arsyet kryesore pse emigruan edhe Blendi me Arjonën. “Vendimi për t’u larguar nga Shqipëria ka ardhur gradualisht duke u pjekur. Dikur kam qenë totalisht kundër largimit nga vendi. Kam punuar shumë që të ndërtoj të ardhmen time në Shqipëri dhe deri diku kam pasur sukses. Jeta në Shqipëri të lodh përditë dhe nga pak. Sheh shumë probleme që shoqëria dhe shteti shqiptar as nuk mundohen që t’i zgjidhin. Duke filluar që nga kultura e punës. Është skandaloze që në Shqipëri paguajnë për një vend pune. Qytetari është i shtypur. Që në bankat e para të shkollës bëhet presion për para dhe për dhurata. Askush nuk mendon më në Shqipëri që ka të drejta themelore dhe që askush nuk mund t’ia mohojë. Sheh të sëmurë që trajtohen keq. Rrugët janë mbushur plot me të sëmurë mendorë. Sheh invalidë që iu mbyllet jeta. Nuk ka asnjë përkujdesje për ta. Ilaçet janë gati të gjitha të falsifikuara dhe të skaduara”, kjo është filozofia e Blendit. Ai ka shembuj konkretë në mendje. “Kur pyeta njëherë një shokun tim farmacist për një suplement hekuri, se cili ishte më i miri, më rekomandoi vetëm një prodhim Maqedonas. Të tjerat tha, janë të gjitha false. I njëjti problem është dhe me ushqimin. Asgjë e kontrolluar dhe asgjë e garantuar. Shteti shqiptar nuk ka asnjë standard. Shteti shqiptar është inekzistent”. Po ndryshe nga ne që jetojmë çdo ditë këtu konstatimet e Blendit Meshit nuk janë të nxehta nga kafja e mëngjesit me sytë nga televizionet që transmetojnë politikë, por nga një qytet i qetë gjerman, ku natyra ruhet me fanatizëm dhe fëmijët shkojnë në shkollë falas me të gjitha standardet dhe nuk ke frikë se ilaçet apo ushqimet që konsumon janë të skaduara. Arjona është e bindur që arsyeja kryesore që u larguan ka të bëjë me të ardhmen e fëmijëve. Mëmësia e ka bërë më të ndjeshme ndaj çdo gjëje negative që më parë ndoshta s’e kishte vënë re në mënyrën si funksionon shoqëria në vendin tonë. “Pas lindjes së dy çunave tanë po kërkonim rrugën më të mirë dhe më të sigurt për t’u larguar. Doja që ata të rriten në një shoqëri dhe në një sistem, ku ata të jenë të qetë dhe të kenë një akses më të mirë në arsimim dhe punësim në të ardhmen. Në një vend ku ata mund të zhvillojnë potencialet e tyre. Për këtë vendosem të ikim para se fëmijët tanë të fillonin shkollën. Kështu ata do kenë kohë të mësojnë gjuhën dhe të fillojnë shkollën këtu. Por jo vetëm për fëmijët por dhe për të ardhmen tonë, për të patur mundësi më të mira punësimi, kualifikimi, për një jetë më të mirë për të gjithë familjen”.

Zhgënjim nga vendi yt!

Blendi dhe Arjona dhe shumë të tjerë si ata, mjekë, infermierë, inxhinierë, po ikin çdo ditë nga vendi. Nuk janë më emigrantët pa shpresë të viteve ’90, por janë emigrantët që bënë gjithçka për të ndenjur këtu, derisa humbën shpresën. Ata janë të zhgënjyerit e tranzicionit të tejzgjatur që nuk i çon gjërat në vendin që u takon; dhe sot pas 29 vitesh hapje e demokraci, nuk ka siguri për punën, për jetën, për shëndetin. “Pak janë ata njerëz në Shqipëri që punën e kanë të sigurt. Edhe pas shumë viteve pune shoh shumë miq të mi që i bren pasiguria. Është shumë vështirë të sigurosh një karrierë në Shqipëri. Shtëpia është një pasuri, por që nuk të shijon kur ambienti është mbytës. Jeta është dhurata me e çmuar që kemi. Zoti na e ka dhënë për ta shijuar dhe për ta jetuar. Jeta në Shqipëri nuk vlerësohet. Unë dua që jeta ime dhe e familjes sime të jetë e sigurt”, shprehet Blendi. Po çfarë presin të gjejnë në vendet europiane ku përgjithësisht emigrojnë kjo kategori që kërkon të nisë një jetë të re dhe a zhgënjehen kur shkojnë atje? “Prisja të gjeja një kulturë tjetër. Njerëz të edukuar dhe që respektojnë ligjin. Njerëz që e duan punën dhe e respektojnë njeriun e punës. Institucione që njohin dhe zbatojnë ligjin me seriozitet, por dhe me dashamirësi. Një ambient të pastër, pa zhurma dhe ndotje. Arsim dhe shëndetësi falas dhe me standarde. Në Shqipëri realisht shpenzonim shumë për këto të dyja”, thotë ai. Dhe këto pritshmëri nuk janë pa baza. Blendi thotë se emigrimi nuk është sigurisht fushë me lule, ka vështirësi, por ajo siguria që ofron funksionimi i gjërave në vende të zhvilluara si Gjermania, i bën të kenë besim. “Nuk mund të pretendosh që të shkosh në një shtet tjetër dhe të arrish gjithçka në pak kohë. Duhet shumë punë për t’u integruar në shoqëri. Por mua më mjafton që vendasit janë të kënaqur me jetën e tyre. Kjo na jep dhe ne siguri për të ardhmen. Me punë dhe me mendje të hapur çdo gjë është e mundur këtu. Mundësitë janë shumë të mëdha, si për ne, por dhe për fëmijët”. Çdo ditë secili prej nesh takon një mik a të afërm që po bën një kurs gjermanishteje ose po kërkon të lidhë një kontratë pune jashtë, ose po paguan në të zezë që të bëjë letrat për të ikur. Edhe ata që nuk kanë mundësi vetë, mendojnë si t’i çojnë fëmijët për studime jashtë, në mënyrë që të gjejnë një punë e të ndërtojnë jetën në një vend tjetër. Për fat të keq, duket sikur Shqipëria po i përzë të gjithë…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kontrollet për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të diabetit

Këshilla nga prof. Florian Toti, mjek endokrinolog në QSU “Nënë Tereza”: Diabeti...
Read More