Reforma në Drejtësi: Përjashtimi i të huajve, PS kërcënon me zgjedhje të parakohshme

pandeli majkoNë PS janë rikthyer zërat për zgjedhje, pas deklaratës së ish kreut të PD Sali Berisha dhe deputetit të LSI Përparim Spahiu për të mos përfshirë ndërkombëtarët në procesin e ‘vetingut’ të gjyqësorit.  Ish kryeministri Pandeli Majko propozoi referendum dhe zgjedhje të parakohshme në një ditë duke akuzuar opozitën se kërkon pretekste për të bllokuar votimin. “Opinioni im personal është që le te shkojmë në zgjedhje dhe në referendum së bashku në një ditë. T’i bëjmë të qartë publikut dhe miqve tanë amerikanë dhe europianë sa seriozë jemi karshi kërkesave për reformën në drejtësi”, tha Majko.

Megjithëse jo nëpërmjet një qendrimi zyrtar, Partia Socialiste forcon bindjen se në mungesë të një konsensusi në parlament për të votuar reformën në drejtësi atëherë për të duhet të vendosë populli nëpërmjet një referendumi.

Ka qenë sërish ish-kryeministri, Pandeli Majko ai që ka insistuar dje për të disatën herë se për reformën duhet të vendosë referendumi.

“Kemi kërkuar Referendum që publiku të vendosë mbi diferencat që partitë politike kanë për reformën në drejtesi! Për ta realizuar referendumin duhet që ai të miratohet me 94 vota në Kuvend… Oponentët e Partisë Socialiste nuk pranojnë referendum! Duan “marrëveshje politike” mbi një “pikë 88” që nuk ka kuptim ashtu si e shpjegojnë ata!!!”, – shkruajti dje Majko në një koment të tijin lidhur me debatin mbi reformën në drejtësi.

Por dje ai ka shkuar edhe më tej, duke theksuar se referendumi duhet të zhvillohet në një ditë me zgjedhjet e parakohshme.

Për këtë ai ka theksuar se socialistët për pjesën e mandatit të mbetur të këtij 4 vjeçari nuk mund të sakrifikojnë reformën në drejtësi.

“Opinioni im personal është që le te shkojmë në zgjedhje dhe në referendum së bashku në një ditë. Ti bëjmë të qartë publikut dhe miqve tanë amerikanë dhe europianë sa seriozë jemi karshi kërkesave për reformën në drejtësi dhe pastaj për interesat politike të qeverisjes. Për 6 muaj qeverisje më shumë, ne socialistët nuk mund t’ua lemë PENG vendin arsyetimeve të një opozite që di vetem çfarë nuk do. Në se demokratët janë gati, t’i ftojmë sëbashku votuesit të shkojnë tek kutitë e votimit dhe të vendosin për politikën dhe drejtësinë!”, – shkroi Majko.

Më tej Majko bën dhe një analizë të paragrafit 88 të oponionit të Komisionit të Venecias, duke bërë një lexim ndryshe nga opozita të asaj që është deklaruar në të.

Kështu, Majko thekson se ky paragraf përcakton se palët mund të gjejnë forma të tjera të zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ, KLP, KPK dhe Kolegji i Pavarur i Kualifikimit, vetëm nëse nuk bien dakord për shumicën e votave që duhet të zgjidhen këta anëtarë.

Por Majko thekson se deri më tani palët nuk kanë dallime mbi shumicën e votave që duhen, pasi mazhoranca i ka pranuar 2/3.

“O miq, vëllezër e motra, që nuk na keni votuar! Ne socialistët, mund të kemi një “thes” me probleme e të meta. Por, a mundet që oponentët tanë politikë (që kanë votën tuaj) ta shpjegojnë në shqipen e kuptueshme se :“Kush është shumica e cilësuar që Partia Socialiste ka refuzuar?!” Të dalë një i vetëm dhe të thotë shqip dhe qartë: – Kërkuam këtë shumicë të cilësuar dhe Partia Socialiste refuzoi! Ndjesën më të thellë dhe sic thotë fjala e vjetër “e hëngshim turpin me bukë” në se Partia Socialiste e ka bërë këtë! Por a e ka bërë?! Përgjigjja është njërrokëshe: JO! Çfarë është kjo lodër fëmijësh me pikën 88 të Komisionit të Venecias që po kthen në budalla një opinion të tërë publik të vendit?! Kjo qenka arsyeja pse vendi ynë Shqipëria të shpallet shtet i dështuar dhe të bllokohet në “karantinë” për vite, pa hapur negociatat me Bashkimin Europian?!”, – shprehet Majko në këtë koment.

Ai gjithashtu ka gjetur rastin t’i përgjigjet në mënyrë indirekte edhe një pretendimi të ardhur nga deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, lidhur me përfshirjen e ndërkombëtarëve në procesin e verifikimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Tani opozita dëshiron që VERIFIKIMIN e gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë sonë për pasuritë që kanë, për aftësitë profesionale dhe lidhjet e mundshme me botën e krimit (VETING-u) të mos bëhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët (për një periudhë të përkohshme tranzitore) (!) Shpjegimi i cili jepet nga opozitarët për këtë kusht të ri të fundit është “se preket sovraniteti i vendit”(!) Këta që dje deklaruan kur Shqipëria u pranua në NATO se “Kjo është një mrekulli e lirisë”… thonë sot këtë?! Kjo është njëlloj si të thuash se në Shqipëri nuk duhet të vinë trupa të huaja të NATO-s apo që hapësira jonë ajrore të mos ruhet nga avionët e Aleancës sepse “preket sovraniteti” i vendit(!)… A shkelin sovranitetin e Shqipërisë vendimet e Gjykatës së Strasburgut? Pyetje si këto ka mjaft për të kuptuar “shqipërimin” e kësaj që ndodh”, – shprehej Majko në komentin e tij.

LSI kundër Spahiut për qendrimin ndaj ndërkombëtarëve

Ekuacion me disa të panjohura është bërë qendrimi i lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me reformën në drejtësi.

Ndërsa kreu i kësaj force, Ilir Meta është pozicionuar mbi palët në këtë debat, kryetari i grupit të LSI-së, Petrit Vasili, ka hedhur firmën mbi draftin e miratuar nga Komisionit i Posaçëm i Reformës në Drejtësi dhe që është paraqitur zyrtarisht në Kuvend.

Ndërkohë që tre ditë më parë deputeti i Peshkopisë që përfaqson LSI-në, Përparim Spahiu doli hapur kundër një prej pjesëve kryesore të reformës dhe draftit të firmosur edhe nga Vasili dhe që ka të bëjë me kontrollin e figurës së të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ai shprehej kundër pikërisht përfshirjes në këtë proces të faktorit ndërkombëtar, duke theksuar se kjo sillte shkeljen e sovranitetit të vendit tonë.

Por dje nëpërmjet një njoftimi jo zyrtar, LSI u distancua nga ky qendrim personal i Spahiut, duke bërë të ditur se për këtë do zhvillohet dhe një mbledhje e grupit parlamentar.

Kështu burime nga LSI e kanë cilësuar deklaratën e Spahiut tërësisht personale, duke shprehur distancim të plotë.

Ndërsa shprehen se javën tjetër do të mblidhet grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim për të vendosur mbi qëndrimin që do të mbahet ndaj deputetit dibran.

Madje ato paralajmëruan se mund të shkohet deri në përjashtim të Përparim Spahiut.

Situata duket se është tensionuar pas dy statuseve të njëpasnjëshme në Tëitter të Spahiut, i cili shpreh qëndrimin kundër monitorimit të procesit të vettingut nga ndërkombëtarët.

“E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO, me KE, shpresoj dhe me BE. Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Çfarë përfaqësojnë këta?!”, shkroi në Twitter deputeti i LSI, Përparim Spahiu.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Një nga emrat e Rroshit po hetohet nga DEA për trafik droge

Autoritetet zvicerane informojnë prokurorinë shqiptare se DEA ka nisur një hetim për...
Read More