Raporti i SHISH/ Emra policësh dhe parcelat e kanabisit, prokuroria nis hetimet

policia-kanabis-620x330

Raporti i detajuar i Shërbimit Informativ Shtetëror mbi kultivimin e kanabisit në vend dhe dyshimet për përfshirjen e disa drejtuesve të policisë, mbërrin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ku pritet të përqendrohen hetimet dhe detajet se disa oficerë policie kundrejt shpërblimit dalin garant për trafikantët që droga e tyre të mos preket.

Shërbimi Informativ Shtetëror dërgon në Prokurorinë e Krimeve të Rënda raportin sekret me të dhëna operative për kultivimin e kanabisit, emrat e pronarëve dhe efektivët e dyshuar të policisë të lidhur me kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve. Sipas “Top Channel” Në këtë raport ka të dhëna konkrete për disa zona ku janë kultivuar bimë narkotike dhe bashkangjitur këtyre ndodhen edhe emrat e personave të dyshuar si kultivues. Më interesante që përbën edhe shqetësimin kryesor është dyshimi për përfshirjen e efektivëve policorë në kultivimin e bimëve narkotike. Në disa raste ata dalin garant për trafikantët, duke i siguruar që nuk do të preken parcelat e tyre dhe në të tjera ka të dhëna që kanë arritur deri në mbjelljen e bimë narkotike në parcela të mëdha. Ky raport ka mbërritur drejtpërdrejtë nga SHISH në mënyrë zyrtare në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke mënjanuar policinë. Nga të dhënat e siguruara nga agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror thuhet se ka zona të caktuara në jug të vendit dhe në veri që arat me kanabis ruhen nga njerëz të armatosur të cilët nga bashkëpunimi me njëri-tjetrin formojnë tiparet e grupeve kriminale. Që kjo situatë nuk është vetëm një “dyshim” pa bazë, u vërtetua në operacionin e pak ditëve më parë në zonën e Ersekës. Një efektiv i policisë, i cili atë ditë ishte edhe pjesë e operacionit, lajmëroi dy nga kultivuesit që të largoheshin pasi po mbërrinte policia. Ai u zbulua pasi ishte nën përgjim dhe të dhënat se mund të ishte i përfshirë ishin marrë pikërisht nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Gjithashtu pjesë e hetimeve u bë edhe struktura e SHÇBA-së pranë Ministrisë së Brendshme. Një pjesë e këtyre të dhënave për kultivimin e drogës që janë në raportin e SHISH, janë bërë publike edhe nga Partia Demokratike pak javë më parë. Burime konfidenciale pranë prokurorisë shprehen se pavarësisht raportit të detajuar të SHISH, hetimi i thelluar mbetet mjaft i vështirë, për aq kohë sa ka dyshime se mund të jenë implikuar edhe drejtues të ndryshëm në komisariat e vendit. Për çdo dosje hetimore është i domosdoshëm bashkëpunimi me policinë, por në këtë rast ka vështirësi pasi edhe hetimet mund të dekonspirohen nëse përfshihen emra konkret të efektivëve të rendit. Në tre javët në vijim parashikohet një ndërhyrje masive nga ana e policisë në asgjësimin e bimëve narkotike. Planet operacionale thuajse janë bërë gati dhe tashmë mbetet vetëm ndërhyrja në terren. Burime të policisë shprehen se për shkak edhe të dyshimeve se një pjesë e mirë e arave të mbjella me kanabis ruhen nga persona të armatosur është menduar që në aksione të marrin pjesë si strukturë e rëndësishme mbështetëse efektivë të Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë. Gjatë këtij viti konstatohet një shtim i zonave të mbjella me kanabis dhe shtrirje e gjerë, thuajse në të gjithë vendin. Kultivuesit janë përqendruar kryesisht në zonat e thella, aty ku edhe ndërhyrja është mjaft e vështirë. Megjithatë tre nga zonat më problematike vijon të mbetet Tepelena, Vlora dhe Malësia e Dukagjinit. Pikërisht në këto treva dyshohet se është mbjellë edhe pjesa më e madhe e drogës. Deri në mesin e muajit tetor pritet të ketë operacione të vazhdueshme për të asgjësuar që në parcela kanabisin. Më pas policisë do i duhet të kalojë në “planin b”, atë të bllokimit të drogës së gatshme për t’u trafikuar.

 

Dukagjin

Asgjësohen 20 mijë bimë kanabis, pranga edhe kreut të Njësisë Administrative Pult

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe policisë së Shkodrës kryejnë operacion masiv për zbulimin dhe asgjësimin e kanabisit në zonën e thellë të Dukagjinit, duke asgjësuar rreth 20 mijë bimë narkotike dhe arrestuar edhe kreun e Njësisë Administrative Pult, Tom Marku. Burime pranë policisë bëjnë me dije se operacioni i nisur që në orët e para të mëngjesit të djeshëm po vijon, ndërkohë që deri tani janë asgjësuar 20.000 bimë të kultivuara në 99 parcela dhe bimë narkotike e thatë në zonën e Pultit dhe Temalit. Po sipas të dhënave policore, arrestimi i kreut të Njësisë Administrative Pult, Tom Marku erdhi pasi në tokat që janë në pronësi të tij janë gjetur 5 parcela me bimë narkotike dhe më pas gjatë kontrollit të ushtruar në banesë iu sekuestruan edhe lëndë narkotike e gatshme për t’u tregtuar dhe një armë zjarri. Gjithashtu, drejt komisariatit u shoqëruan edhe disa të rinj që dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike. Në këtë operacion po marrin pjesë rreth 200 efektivë të FNSH-së dhe policisë lokale, por ajo që ka habitur jo pak ka qenë se një pjesë e drogës ishte kultivuar shumë pranë zonave të banuara. Nga të dhënat që disponojnë strukturat e rendit numri i bimëve narkotike është mjaft i lartë dhe për këtë arsye është planifikuar që aksioni të zgjasë për disa ditë. Nga ana tjetër përfshirja e FNSH-së është bërë me qëllim që të ndodhen në gatishmëri për çdo rast të mundshëm të reagimit nga ana e kultivuesve. Ka të dhëna që personat që kanë mbjellë kanabis janë individë me të shkuar kriminale dhe për këtë arsye nuk përjashtohet edhe mundësia e përplasjeve me armë. Operacioni po ndiqet gjatë gjithë kohës nga drejtues të policisë lokale dhe asaj të përgjithshme. Nga agjentët në terren informohet se droga e asgjësuar ishte kultivuar jo vetëm në parcela pa pronarë, por edhe në arat e disa banorëve të zonës, ku njëri prej tyre ishte edhe numri një i Njësisë Administrative Pult, Tom Marku.

 

Tahiri merr pjesë në aksionin antikanabis, PD: Veprim qesharak

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ndjek vetë nga afër operacionin për asgjësimin e rreth 2700 bimëve narkotike në Tragjas të Vlorës. Bashkë me të i pranishëm ishte edhe Tim Judah, gazetar i “The Economist” dhe mbërriti në zonën e thellë me një helikopter, i shoqëruar nga dhjetëra efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. “Më shumë se fitore kundër bimëve, territorit dhe kultivuesve, kemi fituar përfundimisht luftën me të shkuarën. Sot nuk ka më të paprekshëm, nuk ka cm 2 territor ku policia nuk ndërhyn, nuk ka më kultivues dhe kriminelë me imunitetit të çdo lloji” -shkruan në profilin e tij në Facebook ministri Tahiri. Ndërsa i menjëhershëm qe edhe reagimi i Partisë Demokratike, duke e konsideruar gjestin e ministrit me pjesëmarrjen në një operacion anti-drogë si qesharak. “Paska bërë Tahiri i brendshëm ca foto me një gazetar të njohur, sikur është në krye të një operacioni antidrogë. Kjo është një nga gjërat më qesharake dhe më të pabesueshme sot në Shqipëri” -u shpreh deputeti i PD-së Flamur Noka, duke shtuar se ishte një përpjekje e dështuar e Tahirit për të përmirësuar imazhin e një ministri të krimbur në krim e trafiqe.

 

 

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Gjobë 1 milionë Euro biznesmenit, pranga dy anëtarëve të bandës së Shullazit

Arrestohen nga policia Endrit Zela dhe Endrit Qyqja, teksa prisnin të takonin...
Read More