Rama “tund” flamurin e patriotizmit në Pejë

Kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj e kthejnë mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive në deklarata bombastike, bashkëpunim, e zotime për bashkim ekonomik, politik e kulturor mes dy vendeve. Nënshkruhet bashkëpunimi “historik” mbi flamur… Rama: “Të mos na tregojnë shumë përralla miqtë tanë europianë dhe të mos na kërkojnë më shumë se sa na mbajnë gjunjët ndërkohë që Serbinë e përkëdhelin”. Sfidë Europës dhe Serbisë apo “show” me atdhetarizëm për të shkëputur vëmendjen?

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij kosovar Ramush Haradinaj, vetëm brenda një dite nënshkruan marrëveshje që nuk u bënë realitet në pesë të marra bashkë. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe në vijim, Kosova do të ketë terminalin e saj në Portin e Durrësit, ndërsa në 6-mujorin e parë të 2019-ës, do shihet mundësia e heqjes së taksave doganore mes dy vendeve, që nënkupton një “bashkim” të plotë ekonomik Kosovë-Shqipëri. Këto ishin dy nga marrëveshjet kryesore të arritura dje në Pejë, ndërsa ka vijuar edhe me bashkëpunime të tjera, në dukje teknike por që janë thelbi i një bashkimi ekonomik, politik dhe arsimor mes dy vendeve. Kryeministri Rama në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës në doza të forta “nacionaliste”, kritikoi ashpër faktorin ndërkombëtar në lidhje me dy standarde që ndjekin në raport me Kosovën dhe Serbinë, ku kjo e fundit përkëdhelët nga BE. Për të treguar vendosmërinë, e madje edhe sensin e “patriotizmit” dy krerët e qeverive nuk kanë firmosur mbi dokumente zyrtare, por mbi flamur, madje duke u “betuar” mbi simbolin kombëtar. Gjithçka vjen si një vijë logjike nga zhvillimet e fundit, ku Kosova vendosi në mënyrë të njëanshme rritjen e tarifave doganore me 100 % për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Nisma e qeverisë kosovare erdhi pasi nuk u pranua në Interpol, për shkak të politikës dhe lobimit serb, duke lëkundur edhe “partnerët ndërkombëtarë”. Si kundërpërgjigje erdhi rritja e lartë e tarifave doganore me Serbinë. Një nismë e kundërshtuar ashpër nga qeveria serbe dhe presidenti Aleksandar Vuçiç, madje e kritikuar edhe nga përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian. Ndërsa shumë prisnin tërheqje, Rama dhe Haradinaj kanë vijuar më tej, duke sfiduar edhe BE-në. Mund të pritet edhe një reagim ndërkombëtar në të ardhmen, por Rama e Haradinaj e thanë qartë nën doza të forta “atdhetarizmi”, gati në lëshimin e sfidave për politikën europiane që sipas Ramës ndjek dy standarde. A është koha tani për një “Shqiptarizëm” pa nxitjen ndërkombëtare? Koha pritet ta vërtetojë nëse këto nisma që në aspektin ekonomik e politik duket të vonuara po hidhen në treg si sfidë nga Tirana dhe Prishtina zyrtare ndaj faktorit ndërkombëtar. Nëse është një lëvizje blof i kreut të qeverisë për të shkëputur vëmendjen nga problemet aktuale në vend, edhe kjo pikë mbetet për tu parë në të ardhmen.

Rama, BE, sfida dhe plani i ri Kosovë-Shqipëri

Surprizat e dy liderëve Rama dhe Haradinaj u lanë dje në mbledhjen e përbashkët të qeverive, ku fjalën kryesore e “peshën e madhe” të vendimeve po aq të mëdha e mbajti kryeministri Edi Rama. Sipas kreut të qeverisë sonë, këta hapa po bëhen të domosdoshëm për dy faktorë: Si pasojë e pengmarrjes që po i bën BE frika nga qarqet ekstremiste dhe së dyti, nga një lloj kompleksi përkëdheljeje që Europa po tregon ndaj Serbisë. “Rruga e së ardhmes nuk mund të ndërtohet me thika pas shpine ndaj shqiptarëve dhe me reaksione negative sapo Kosova duhet të marr një certifikatë hyrjeje në institucionet ndërkombëtare”, -tha Rama, duke vënë theksin mbi lobimin e Serbisë për të mos lejuar Kosovën të jetë pjesë e disa institucioneve ndërkombëtare. “Serbia shkon në të kundërt e asaj që është rruga e së ardhmes duke përjashtuar Kosovën nga marrëveshja e roamingut dhe duke na detyruar ne ta bëjmë bashkë, Shqipëria dhe Kosova”-shtoi Rama, ndërsa nuk e fshehu mendimin se : “miqtë ndërkombëtarë përkëdhelin Serbinë dhe i detyrojnë shqiptarët të ngrenë mbi shpinë pesha më të rënda sesa u mbajnë gjunjët”. Ky mbetet paradoksi për Ramën, teksa shtoi se: “Serbia nuk është viktimë, Kosova është viktimë. Gjërat duhet të shihen në sy dhe të mos na tregojnë shumë përralla miqtë tanë europianë dhe të mos na kërkojnë më shumë se sa na mbajnë gjunjët ndërkohë që Serbinë e përkëdhelin”. Në fund kryeministri aspak në doza emocionale, por të mirëmenduara lëshoi edhe batuta që në një farë mënyre përçmon politikën e faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-në. “Ministri i Punës dhe mirëqenies sociale të Kosovës më tregonte mbrëmë se si në Beograd deri në dy të natës me anë të të dërguarve të Evropës i kërkonin të hiqej fjala Republika e Kosovës nga fjalimi që do mbante të nesërmen në një mbledhje të përbashkët, ku edhe Kosova ishte e pranishme. What the Fuck do thuhej në gjuhën e Parlamentit Evropian”- tha Rama. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Pejë, kryeministri Edi Rama tha se vendimi i Kosovës për të vendosur taksë 100% për produktet serbe është vendim irracional në kushtet normale. “Serbia po bllokon Kosovën duke kërkuar tërheqjen e njohjeve dhe kjo është provokuese dhe shqetësuese. Goditje pas shpine të Kosovës nga Serbia. Bllokimi i njohjes së Kosovës është inkurajimi i mafieve, siç edhe është shprehur ish-ministri britanik. Serbia jep goditje të njëpasnjëshme pas shpine Kosovës dhe ky është reagimi i tarifës 100%. Tarifa është një vendim irracional në kushte normale, por krejt normal në kushte irracionaliteti si ato që përvijon qasja e dyfytyrë e Serbisë. Kush e sheh tarifën 100% si aspekt ekonomik atëherë gabon, por kjo tarifë është si kundërpërgjigje politike. Zero tarifa brenda gjashtë mujorit të parë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Tashmë është koha që të vendosim tarifa 100% në veri dhe zero tarifa në jug”-deklaroi Rama, që njëkohësisht vijoi me sfidën se kjo situatë e patolerueshme indirekt po detyron dy vendet, Kosovën dhe Shqipërinë.

Marrëveshjet dypalëshe, një “bashkim” i pashpallur

Nisma të tilla ishin kërkuar prej kohësh nga qytetarët e të dyja vendeve, nga tregtarët, fermerët, apo çdo qytetar që Prishtinën dhe Tiranën e shohin si dy kryeqytete të së “njëjtit shtet”. Nismat ekonomike në heqjen e tarifave doganore, në njohjen e dokumenteve reciproke dhe bashkëpunim në institucionet arsimore ishin më shumë se nevojë një linjë logjike, por ky lloj bashkëpunimi ka vonuar shumë. Për Ramën dhe Haradinajn është koha tani që këto të ndodhin në grup, madje me shumë bujë, duke lëshuar sfidën edhe institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare. “Brenda 6-mujorit të parë të vitit të parë do ketë njohje të plotë të të gjitha dokumenteve. Çfarë jepet në Shqipëri do të njihet në Kosovë dhe anasjelltas. Ne nuk jemi shqiptarët dhe serbët, ne jemi shqiptarët dhe shqiptarët. Patentat mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë si ato të Greqisë që u deshën 30 vjet negociata. Së shpejti nuk ka më roaming mes nesh. Pika e Morinës do të funksionojë si pa kufi”, -tha Rama. Ndërsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj deklaroi në konferencë: “kemi arritur rakordim për 9 marrëveshje dhe protokolle të përbashkëta. Kemi objektiva përpara nesh. Një studim analitik për shqiptarët nga viti 2025”. Për kryeministrin Rama “ky është një hap i madh, shembullor dhe ne ua ofrojmë këtë shembull gjithë rajonit. Është gjëja që duhet bërë mes vendeve të rajonit. Kush e sheh bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë me sytë e së shkuarës është i ftuar ta shikojë me sytë e së ardhmes”. Ato tre orë intensive diskutimesh, nënshkrime marrëveshjesh e deklarata të përbashkëta shtypi u konkluduan nën betim mbi flamurin e Shqipërisë, që nga dita e djeshme mban edhe firmën e dy kryeministrave.

 

Marrëveshjet e firmosura mes dy kabineteve qeveritare:

1)Njohja reciproket e patentë shoferëve, e firmosur nga dy ministrat e Infrastrukturës.

2)Marrëveshja doganore dhe në fushën e borxhit publik, ministri Arben Ahmetaj dhe Bedri Hamzaj.

3)Damian Gjinkuri dhe Valdrin Lluka firmosin marrëveshjen e heqjes e Rooming.

4)Ministrja Nikolla dhe homologu kosovar nënshkruajnë bashkëpunim në fushën e rinisë.

5)Ministri shëndetësisë së Kosovës Uran Ismajli dhe Ogerta Manastiliu nënshkruajnë marrëveshje në fushën e shëndetësisë.

6) Ministri i Kosovës Vesel Krasniqi dhe Niko Peleshi nënshkruajnë marrëveshjet në fushën e bujqësisë.

7) Krerët e dhomave të tregtisë, firmosin një marrëveshje bilaterale mes Shqipërisë dhe Kosovës.

8) Drejtorët e Drejtorisë së përgjithshëm të pronësisë industriale i Kosovës dhe Shqipërisë firmosin marrëveshje bashkëpunimin këtë sferë.

9) Firmosja e dokumentit strategjik mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Komunikimi është etikë

Nga Holta Heba Liria pa kufi e të folurit në rrethana të...
Read More