Rama pret Ançelotin: Shembulli se si mund të fitosh një garë me lidership

Ançeloti prezantoi dje në qendrën COD në kryeministri, librin “Lidershipi i qetë: Të fitosh zemrat, mendjet dhe ndeshjet”. Gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin dhe përfaqësues të tjerë të sportit, ai ka rrëfyer fillimet e tij si trajner, marrëdhëniet me lojtarët dhe presidentët

Ish-futbollisti italian dhe sot trajneri i gjigantit të futbollit gjerman, Bayernit të Mynihut, Karlo Ançeloti, ka qenë dje i ftuar special i kryeministrit Edi Rama në qendrën COD, ku dhe ka promovuar “Quiet Leadership: Winning Hearts, Minds and Matches” (Lidershipi i qetë: Të fitosh zemrat, mendjet dhe ndeshjet). Në aktivitet që moderohej nga gazetari Edi Manushi, ku veç kryeministrit Rama merrnin pjesë edhe disa nga trajnerët italianë që trajtojnë në vendin tonë, përfshi edhe Xhani de Biasin, trajneri Ançeloti ka rrëfyer historinë e tij me futbollin dhe duke u përqendruar në mënyrë të veçantë te hapat e para të karrierës së tij si trajner, marrëdhënien me një nga trajnerët më të mëdhenj italian, Arigo Sako, eksperiencat në shumë vende të Europës si trajner, marrëdhëniet me yjet si Ronaldo, Ibrahimovic dhe Zidane, por edhe për paraqitjen e Shqipërisë në Kampionatin e Europian dhe në vazhdim. Në fjalën e tij kryeministri Rama është shprehur se arsyeja pse ai gjendej në këtë takim ishte pikërisht dashuria që është në zemrën e çdo shqiptari që e ndjek futbollin dhe Ancelotin. “Ajo çka është e veçantë në këtë libër, çka jemi duke përkthyer në shqip dhe do të botohet pasi të kemi mbaruar negociata me ty (Ancelotti-n) për të drejtat e librit, ky libër është i veçantë dhe vjen në serinë e librave për lidershipin,  sepse flet për një lidership “të qetë”. Është një lidership i veçantë, – që nuk është pjesë e stereotipave me të cilat ne jemi mësuar, – i liderit, i udhëheqësit, të një skuadre, të një grupi, të një sipërmarrjeje dhe është me interes të madh që ne të zhvillojmë bashkë këtë diskutim”, -tha Rama. Gjithashtu, kryeministri Edi Rama këtë libër e ka parë edhe në aspektin e karakteristikave që duhet të ketë një lider për të fituar një garë, jo domosdoshmërisht në sport por edhe në politikë apo kudo. “Është një libër që jep shumë udhëzime mbi atë si mund të fitosh, të përfitosh maksimumin duke i motivuar personat në një mënyrë krejt tjetër nga si është zakoni. E për këtë mendoj që në libër ka shumë gjëra mjaft të dobishme për çdo person, që punon me njerëz, me persona të tjerë, që duhet t’i menaxhojë dhe t’i bëjë të rrinë e të punojnë bashkë”, -shtoi Rama. Ndërsa trajneri Anceloti u shpreh se ndihej i nderuar që ndodhej në Shqipëri dhe për këtë falenderoj Ramën për ftesën. “Trajneri duhet të ketë aftësi të menaxhojë dhe komunikojë. Shumë më thonë si ia bën të kesh miqësi me lojtarët. Po, unë mund të jem mik me lojtarët, flas me ta, i kuptoj. Por në fund mund t’i them pa problem se nesër nuk do të luash në formacion. Lidershipi është mbi të gjithë, lind nga karakteri i një personi. Dikush që është autoritar nuk mund të ushtrojë një lidership të qetë. Në këtë kuptim nuk kam pasur një lider autoritar, as prindërit, mësuesit, apo trajnerët. Shumë herë më kanë thënë duhet të përdorësh thuprën, por unë kam thënë jo, pasi askush nuk e ka përdorur mbi mua” -tha ai. Më pas biseda është zhvendosur te fillimet, ku Anceloti ka shpjeguar marrëdhënien me Arigio Sakin. “Unë asnjëherë nuk mohoj mjeshtrin. Saki ka qenë… fitova lotarinë kur takova Sakin. Me Sakin pata fatin që më peshkoi nga Roma dhe më çoi në një nga skuadrat ndoshta më të mëdha të botës. Përvoja me të nuk ishte aq shumë sa lojtar, por si trajner isha tre vjet asistent i tij dhe aty mësova profesionin. Përvoja të ndihmon në marrëdhënie por ka shumë punë të tjera për të bërë. Nga Saki kam mësuar shumë, mendoj që është një nga shkollat më të mira për trajnerë. Pastaj u nisa nga kjo ide dhe gjërat ndryshuan. Nga përvojat e mbledhura ndryshoi mënyra e të menduarit kur fillova te Juventusi. Atje nuk dija kë të vija sulmues, kush të luante në krahë. Nga aty fillova të përshtatja sistemin e lojës. Unë mendoj se sistemi i lojës është i rëndësishëm. Në bazë janë parimet. Të gjithë duhet të punojnë. Lojtarët duhet të jenë altruistë, skuadra të ketë rëndësi. Unë kam qejf të theksoj karakteristikat e lojtarëve. Kjo do të thotë që unë duhet të gjej idenë se si ata të përfshihen në lojën që unë bëj. Kjo është të përpiqesh të vlerësosh në mënyrën më të mirë të mundshme”, tregoi Ançeloti”. Pyetjes së si mundet që Shqipëria të mundë Italinë në ndeshjet eliminatore të Rusisë, tekniku përgjigjet se për këtë duhet të pyetet De Biasi. “Këto gjëra duhet t’i zgjidhë Xhani. Me hovin që ka pësuar Shqipëria vitet e fundit, distanca është ulur shumë. Mendoj se çdo skuadër ka objektivin e vet, që lidhet me cilësinë e lojtarëve që keni në dispozicion. Unë mendoj se një skuadër e vogël klubi nuk mund të fitojë Champions, por mundet të bëjë futboll të mirë, zbavitës. Kjo mund të arrihet në çdo skuadër, edhe kjo është një fitore. E pashë mirë Shqipërinë, shumë mirë në grup, por sidomos në kualifikuese. Po flisnim pak ditë më parë në mbledhjen e trajnerëve në UEFA se gjëja e bukur e këtij Europiani ishin të vegjlit si Shqipëria. Sollën në Europë një entuziazëm të madh dhe kjo është bukuria e futbollit”, – tha ai. Në këtë takim ka folur edhe trajneri shqiptar, De Biasi, i cili vlerësoi Ançelotin për atë që i kishte dhënë futbollit. “Unë kam vlerësuar gjithmonë Karlon për aftësinë për të bërë gjëra të mëdha. Me këtë mendësi ka arritur aty lart, ka shëtitur të gjithë Europën dhe ky është vlerësimi më i madh për një kompetent si Karlo. Urime për karrierën dhe për këtë sezon”, -ishin fjalët e trajnerit të përfaqësueses. Në diskutime është përfshirë edhe trajneri italian i Skënderbeut, Andrea Agostineli, i cili dukej i shqetësuar sidomos nga dieta ushqimore me të cilën ishin mësuar lojtarët në Shqipëri. “Unë për vete përshtatem”, ishte sugjerimi i Ançelotit. “Anglezët janë të çuditshëm, hanë vezë të skuqura para ndeshjes. Nëse pastaj luajnë mirë, ku është problemi këtu?”, – ishte përgjigja e Ançelotit. Ançeloti ka shpjeguar edhe marrëdhënien me lojtarët e mëdhenj dhe presidentët e ekipeve. “Ronaldo është një profesionist i madh. Është serioz dhe profesional, po ashtu edhe Ibrahimoviç, ai është njeriu skuadër. Presidentit i detyrohesh respekt, por në punën tonë nuk është shumë e rëndësishme, pastaj ka presidentë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Dallimin më të madh e kam vënë re te Berlusconi, i cili që fëmijë ishte tifoz i Milanit dhe u bë president, po ashtu edhe Perez. Pyetjes së presidentëve para ndeshjeve u përgjigjem; Mund të fitojmë, barazojmë ose humbasim” -tha ai.

 

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Trump në tatëpjetë, i “fal” Clinton-it presidencën

Nga Saimir Sulaj* Demokracia dyqind e dyzet-vjeçare e Shteteve të Bashkuara të...
Read More