Rama paralajmëron shkrirjen e opozitës, kujton “Duçen”…

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se me vendimin e saj për të dalë nga Parlamenti opozita po shkon drejt shkrirjes si në Italinë e viteve ‘20. Rastet kur opozitat nuk ekzistojnë vetëm në sistemet totalitare dhe juntat ushtarake. Kryeministri kërkon ashpërsimin e Kodit Penal, por do e bëjë me “opozitën” e re.

Nuk dihet nëse Ramën “e ekzaltoi” turma qytetare në Librazhd apo ishte një mendim i bluar në kokë kur deklaroi se opozita do të shkrihet. Ai solli si shembull “identik” Italinë e viteve ‘20, kur opozitarët braktisën Parlamentin, si shenjë revolte ndaj regjimit fashist të Benito Musolinit (Duçes). “I kemi mundur atëherë dhe do i mundim përsëri. Atë bënë diçka që askush nuk e bëri. Vetëm një parti e ka bërë këtë në vitet ‘20 në Itali dhe ajo parti u shkri. Ashtu do shkrihen edhe ata sepse zgjodhën të tradhtojnë popullin që ua dhanë mandatet”, paralajmëroi Rama. Në një fjali të shkurtër, përmendet trekëndëshi i frikshëm “tradhti-regjim-shkrirje”… Sipas Ramës, opozita në 2017-ën i humbi zgjedhjet, ndonëse ishin në qeveri dhe kishin gjithë institucionet kyçe në drejtim. Pavarësisht tentativës për batutë, Rama ka risjellë në vëmendje periudhën e errët të kohës së fashizmit në Itali. Nuk është rasti i vetëm që Rama e kujton atë kohë dhe bën paralelizëm për të marrë një histori të errët të njerëzimit në shekullin XX dhe e risjell në ditët tona. “Në Shqipëri opozita është jashtë parlamentit. Ata janë tërhequr në “malin Aventino” siç thoni ju italianët në një shprehje të përdorur gjatë epokës së regjimit fashist në Itali, pas largimit të disa deputetëve nga parlamenti pasi ishin kundër fashizmit, por unë nuk jam Duçja”, -tha Rama për të përditshmen “Libero” në një intervistë dhënë për drejtorin e gazetës, Pietro Senaldi, dy javë më parë.

Opozitat që nuk vetëzhduken…

Opozitarizmi në një vend demokratik është shtylla kryesore e politikës dhe gjithnjë opozitat shihen si qeveri në hije, të cilat janë në të drejtën e tyre për të fituar betejat për të marrë pushtetin. Termi opozitë nuk ekziston në sistemet diktatoriale dhe juntat ushtarake. Situata politike në vend i ka kapërcyer kushtet normale, që më datë 21 shkurt të këtij viti, kur opozita e gjitha në bllok dogji mandatin e deputetëve dhe nuk njohu Parlamentarizmin. Sipas saj, nuk mund të qëndrohej në një Parlament të dalë nga krimi dhe me një qeveri të ardhur nga shitblerja e votave. Protestat kanë vijuar masivisht ndërsa opozita (tashmë në rrugë) kërkon largimin e Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kërkesa më se maksimale të tyre, që gjithsesi nuk e përjashtojnë rrezikun që kjo nismë të mos përkrahet masivisht. Ndërkombëtarët e kritikuan vendimin e opozitës për të dalë jashtë institucioneve. Por më shumë se në militantizëm, mbetet një kosto politike që e mbajnë vetë partitë që shkuan deri në vendimin ekstrem. Disa analistë në vend ndonëse e kanë cilësuar një vendim të drejtë në kushtet anormale, përsëri sjellin në vëmendje drojën se mund të ketë një tkurrje deri në asgjësim të partive politike që morën këtë hap. Megjithatë, opozitarizmi nuk mund të zhduket, përkundrazi është shtuar edhe më shumë. Edhe ata mijëra qytetarë që votuan qeverisjen aktuale janë të zhgënjyer dhe e shprehin hapur revoltën ndaj qeverisë dhe mund të konsiderohen opozitarë (jopartiakë).

Rama, ndryshimet në Kodin Penal me “opozitën e re”

Çështja e ndryshimeve në Kodin Penal për të shtuar dënimet për akuzën: “Goditje për shkak të detyrës”, nuk është një nismë e re e Ramës, por këtë e artikuloi sërish më në detaje ditën e djeshme gjatë takimit në Librazhd, ku foli për shkrirjen e opozitës. Neni 237 parashikon se: “Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”, -thuhet në nenin përkatës. Këtë Rama e konsideron një nen të papërshtatshëm për “kohën” duke paralajmëruar ndryshime në Kod dhe veçanërisht ashpërsimin. Ndonëse nuk kanë dalë detaje mbi formën, po mendohet që të hiqet “dënimi më gjobë” dhe të kalohet direkt në burg, ndoshta 1-5 vite burgim. “Do futen në burg edhe ata që bllokojnë rrugët edhe ata që godasin për shkak të detyrës, ndaç zyrtarë në bashki, ndaç në parlamente, të gjitha këto do t’i adresojmë”, -tha dje kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë po e artikulon shpesh këtë qëndrim dhe duket se e ka shtruar rrugën për të shkuar deri në ndryshime dhe ashpërsim të fortë të ligjit dhe këtë do ia “ofrojnë” deputetët e rinj opozitarë. Në Parlament, aktualisht janë 101 deputetë dhe për të kryer ndryshimet ligjore në Kod, nevojitet shumicë e cilësuar, 84 vota. E vetme, PS ka 74 mandate, ndaj i nevojitet në domosdoshmëri kartonët jeshilë të “opozitarëve” të rinj, të cilët kanë dalë kundër vendimit politik. Nëse kjo do të realizohet, të parët që do e pësojnë janë protestuesit. Dy protesta që po zhvillohen në vijimësi janë ato të opozitës dhe të banorëve të Unazës së Re. Edhe deklarata e djeshme ishte specifikisht për ta. Banorët e Unazës së Re kanë më shumë se pesë muaj që protestojnë çdo ditë kundër projektit për ndërtimin e Unazës së Re, pasi u prek shtëpitë ku banojnë prej tri dekadash. Shpesh ka patur konfrontime të tyre me policinë, kanë kaluar secili nga qelitë e burgut, por revolta nuk është zbehur, përkundrazi ka marrë një hov edhe më të madh. Gjithashtu, protestat e opozitës para Parlamentit janë një tjetër “imazh” që kryeministri kërkon ta zbehë dhe për t’ia arritur qëllimit do ashpërsojë nenet përkatëse në Kodin Penal të: “Goditjes për shkak të detyrës”. Mjafton vetëm një incident, ku një punonjës policie të shtyhet apo goditet me një bidon ujë dhe më pas protestuesit t’i presë dënimi i rëndë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Botimi i UET-Press/ “Ky shtet dhe ky sistem hibrid, i flak të aftët”

Nga Ylli Pango Pjesë nga libri ‘PSIKOLOGJI SHQIPTARE. Hulumtim në laboratorin tonë...
Read More