Rama ‘Noc Rrokun’, Basha ‘Alles Gute’

Mapo.al

Edi Rama ka shtuar dozën e talljes dhe ironisë ndaj Lulzim Bashës, duke përdorur një shprehje të njohur shkodrane, që ‘Noc Rrokun do marrësh’. Pra, kryeministri i thotë kreut të opozitës se asgjë nuk ke për të fituar. Në Shkodër, me ‘Noc Rrokun’, kanë parasysh se do kesh atë që nuk thuhet. Një variant më i zbutur, është si t’i tregosh bërrylin, t’i thuash, ja, këtë…. Këto thënie e të tjera si ‘qofte te Lala Gjon’, nuk janë të një antropologu, studiuesi idiomash apo mbledhësi folklori, por të kryeministrit që po tregon një ofensivë të panjohur më parë ndaj kundërshtarit. Diku përmend prokurorinë, diku burgun, diku shantazhe të tjera. Bashës i kujton ‘Noc Rrokun’, me siguri duke patur parasysh efektin e fortë në publik dhe në ambientin tonë të tavolinave. Dje, qesëndia shkoi edhe më tej, kur Rama u tha se atë do keni, ndajeni si të doni, njëri (Basha) të mbajë Nocin, tjetra (Monika) të mbajë Rrokun.  Sigurisht të qeshurat dhe gazmendi i socialistëve librazhdas gufuan dhe mbuluan mbarë luginën e Shkumbinit.

Mirëpo, disa media raportojnë se Lulzim Basha qenka në Berlin. Kreu i opozitës nuk është i spikatur në asnjërën prej fushave të artit dhe zor se shkon në qendrën më të rëndësishme të Europës, për ekspozitë, letra apo lexime. Ai zor se impresionon ndërkombëtarët me karizëm apo mënyra të tjera. Së voni, takimet e Bashës në kryeqytetin gjerman janë shpeshtuar dhe e largët shumë ngjan ajo dita kur Rama pozonte në një tarracë të Bundestagut me kancelaren Merkel si të ishin dy miq të vjetër. E fundit shfaqje e Ramës asaj ane, është në një galeri pikture, gjë që u shoqërua me një raportim të DW, ku thuhej se kryeministrin nuk e priti asnjë zyrtar.

Në të vërtetë nuk dihet shumë për këto vizita të Bashës në Berlin, nuk ka shumë detaje dhe s’kuptohet qartë se zyrtarë të çfarë niveli po takon. Me titra del se do ketë bisedime ne Kancelari dhe në Bundestag. Por kontaktet e tij me deputetë dhe këshilltarë të Merkel janë të njohura. Berlini në disa raste ka dënuar dorëzimin e mandateve dhe daljen e opozitës nga sistemi. Madje dhe ashpër. Por nuk kanë munguar as zërat në mbështetje të protestave dhe aksionit të demokratëve. Fakti që Basha është pothuajse çdo javë atje, tregon diçka.

Me sa duket politika gjermane po ndryshon simpatitë në Shqipëri. Shpejt do të vijë dita kur të vihen në kandar se kush peshon më shumë; ‘Noc Rroku’ i Ramës apo ‘Alles Gute’ e Bashës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Përse kaq shumë gëzim grek për shqiptarin më të ri Janullatos?

Nga Ervis Iljazaj Vendimi për t’i dhënë nënshtetësinë shqiptare Kryepeshkopit Janullatos, siç...
Read More