fbpx

Kryesore

Rama “ndez motorët” e fushatës duke zgjidhur qesen për bebet





               Publikuar në : 09:43 - 27/09/18 |
mapo.al

Kryeministri Edi Rama premtoi dje rritjen e shpërblimit për fëmijët që do lindin pas 1 janarit të vitit të ardhshëm. Buxheti i shtetit do të akordojë rreth 2 milionë euro në vit vetëm për të gjithë bebet e lindura. Pritet rritja e pagave për disa kategori të punonjësve shtetërorë. Nisma e qeverisë dhe “hedhja e lekut” shënon nisjen e fushatës së socialistëve për zgjedhjet lokale.  


Kryeministri Edi Rama nis fushatën elektorale, duke dhënë dy “lajme të mira” për qytetarët dhe sidomos për çiftet që presin të bëhen me fëmijë. Gjatë ditës së djeshme kreu i qeverisë në një konferencë shtypi lajmëroi rritjen e pagave për mësuesit, punonjësit e shëndetësisë dhe ushtarakët dhe njëkohësisht edhe rritjen e shpërblimit për lindjen e bebeve nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe në vijim. Qeveria lançoi këtë nismë si një politikë të re sociale që do të nxisë rritjen e popullsisë, duke shpërndarë nga janari 2019 një bonus prej 400 mijë lekësh për fëmijën e parë, 800 mijë lekësh për fëmijën e dytë dhe 1 200 000 mijë lekësh për fëmijën e tretë të lindur në çdo familje. “Në vitet 2000 pata lançuar si kryetar i bashkisë së Tiranës çekun e bebes 50 mijë lekë të vjetra, i cili u prit shumë mirë aso kohe, por mbeti aq sa ishte për shumë vite dhe u kthye në një problem dhe në malin e borxheve të trashëguara nga qeverisja e mëparshme”-tha Rama, ndërsa shtoi se kjo nismë do hyjë në fuqi nga 1 janari dhe në vijim. Në bazë të të dhënave të paraqitura nga INSTAT, vitin e kaluar pati 30689 lindje dhe në përllogaritje mesatare qeveria do të shpenzojë rreth 2 milionë euro në vit, për bonuset e fëmijëve që lindin. Deri më tani për çdo bebe të ardhur në jetë akordoheshin 5 mijë lekë të rinj dhe kjo shumë merrej pas një kohe të gjatë. Përveç rritjes me disafish të shpërblimit kreu i qeverisë Rama u shpreh se çifteve që lindin fëmijë do u lehtësohet edhe procedura e regjistrimit të fëmijëve, pasi ky proces do të kryhet që në maternitet, pa patur nevojën që të shkojnë në zyrat e gjendjes civile. Kryeministri premtoi gjithashtu se qeveria do nisë një program financimi për të gjitha maternitetet në vend, për t’i kthyer ato në shtëpi lindjeje të transformuara dhe me kushte bashkëkohore.



Shpërblime e rritje pagash në kohë fushate


Përtej lajmit pozitiv, nisma e qeverisë ndodh pikërisht në kohë fushate për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Dy muaj më parë qeveria miratoi nismën që në festat e fundvitit mbi 600 mijë pensionistë në të gjithë vendin do të marrin 5 mijë lekë të rinj shpërblim. Edhe pse “bonuse” të tilla duken të vogla krahasuar me vlerën që përfiton një familje, për buxhetin e shtetit nuk konsiderohet shumë e vogël. Edhe pse nuk është përcaktuar sa për qind do të rriten pagat për arsimtarët, punonjësit e shëndetësisë dhe ushtarakët, edhe ky premtim ka koston e tij, por edhe një të mirë materiale që vjen për mijëra punonjës shtetëror. Po në vazhdën e fushatës qeveria ka premtuar edhe ulje të taksave për një kategori biznesi. Për kryeministrin Edi Rama janë të rëndësishme zgjedhjet lokale, pasi janë edhe treguesi i votës që do marrë në zgjedhjet e përgjithshme. Nga sondazhet e vetë qeverisë ka një pakënaqësi të shtuar qytetare si ndaj papunësisë, nivelit ekonomik, korrupsionit në rangje të larta publike, apo edhe arrogancës që vjen nga zyrat e shtetit. Për t’i vënë fre “mllefit masiv” qeveria në prag të fushatës elektorale krahas nismave populiste po synon që të investojë edhe në punë publike, kryesisht në infrastrukturë. Disa projekte të mëdha mbesin ndërtimi i Rrugës së Arbrit, autostrada Thumanë-Kashar, vijimi i punimeve të rrugës Tiranë-Elbasan apo edhe pjesa e mbetur e aksit Fier-Vlorë.

Opozita e riorganizuar

Lufta politike po bëhet gjithnjë e më e ashpër ku opozita ka ndërmarrë disa nisma si në mënyrën e riorganizimit të saj ashtu edhe në parashtrimin e alternativave. Deri më tani përqendrimi i opozitës ka qenë në nivel denoncues, ndaj asaj që e konsideron politikë të lidhur me krimin. Në disa raste ka mundur të kthehet në faktor, duke bërë publike afera që kanë patur ndikim edhe në elektorat. Dy nismat më të fundit ligjore të Partisë Demokratike që janë “vetting në politikë” dhe përfshirja në ligjin antimafie edhe të koncesioneve publike kanë krijuar terrenin e përshtatshëm për një betejë sa institucionale aq edhe publike. Njëkohësisht me pjesën denoncuese partitë opozitare janë grupuar të gjithë në bllok dhe po nisin kalkulimet që për zgjedhjet e ardhshme lokale. Nëse do të arrijnë të marrin disa nga bashkitë që për shumë vite janë bastion i Partisë Socialiste kjo do ishte shenja e parë e një fryme të re që do injektonte opozita, që nga zgjedhjet e vitit 2017 doli e rrënuar për shkak të numrit mjaft të ulët të votave që siguroi. Nismave opozitare qeveria po i përgjigjet me “hedhje paraje” në prag të fushatës për zgjedhjet lokale.


Etiketa: , ,

Pas