Rama i provon të gjitha me PD, joshje, “kërcënime”, ftesë

Takimi Rama-Basha“As nuk diskutohet se reforma, me ju ose pa ju, do të bëhet. Në pyetje është vetëm çmimi që ajo do të ketë. Ne jemi gati të paguajmë çdo çmim, sepse sado i lartë të jetë çmimi, është shumë më e lartë kostoja e mbajtjes në këmbë të këtij sistemi horrllëku, që materializohet çdo ditë në sytë e shqiptarëve…”

Kryeministri Edi Rama ka lënë të hapur mundësinë e një kompromisi me PD-në për Reformën në Drejtësi, por jo për vendet e rezervuara.

“…Drafti do të vazhdojë në rrugën e vet dhe ne do të vazhdojmë t’ju shtrijmë dorën e bashkëpunimit, duke mbajtur hapur derën e negociatave. Ne nuk na intereson fitorja politike dhe nuk i gëzohemi disfatës tuaj, që tani është e qartë në sytë e të gjithë shqiptarëve, lidhur me ‘kush është kush’ në procesin e përpjekjes për t’i dhënë vendit Reformën në Drejtësi, sepse na intereson më shumë një fitore e përbashkët, e jona dhe e juaja, që duhet të kurorëzohet si një fitore e Shqipërisë në vjeshtë për të çelur negociatat me BE…”, -tha dje Rama, në Kuvend.

Kryeministri u shpreh se është i gatshëm të shtrijë dorën, por në të njëjtën kohë kërcënoi se ajo mund të bëhet edhe pa PD-në, sigurisht me një çmim.

“As nuk diskutohet se reforma, me ju ose pa ju, do të bëhet. Në pyetje është vetëm çmimi që ajo do të ketë. Ne jemi gati të paguajmë çdo çmim, sepse sado i lartë të jetë çmimi, është shumë më e lartë kostoja e mbajtjes në këmbë të këtij sistemi horrllëku, që materializohet çdo ditë në sytë e shqiptarëve, në sallat e gjyqeve, që janë salla ku njerëzit e thjeshtë ose duhet ta blejnë drejtësinë, ose duhet ta shohin atë si ‘e ikur nga duart’ dhe e shitur me një çmim më të shtrenjtë diku tjetër…E patjetër që cilido të jetë çmimi, reforma ia vlen këtë çmim. Por sigurisht që ne jemi të vetëdijshëm, ju nuk jeni të vetëdijshëm. Unë shpresoj që koha e mbetur deri kur drafti të vijë këtu, t’iu vetëdijësojë që kemi në dorë që çmimin ta bëjmë të përballueshëm dhe reformën ta bëjmë së bashku…”, -tha ai.

Kryeministri reagoi edhe ndaj publikimit të disa email-ve dy ditë më parë nga ana e PD-së, që vërtetonte se modelin e vendeve të rezervuara e kishte propozuar OPDAT dhe EURALIUS.

“…Ju erdhët në komisionin e posaçëm parlamentar për t’i thënë “Jo” draftit të reformës dhe duke vënë në tavolinë një draft tërësisht të njëanshëm, tërësisht të ri dhe tërësisht tuajin. Çfarë domethënë kjo, që para shumë muajsh ku ishte ende dimër ju paskan ardhur ju disa email-e, ku një ndër opsionet kanë qenë vendet e rezervuara, ndërkohë që ju e kaluat të gjithë pranverën, jo duke kërkuar vende të rezervuara, por duke penguar, duke zvarritur Reformën në Drejtësi me gjithfarë alibish…”, -tha ai.

Sipas kryeministrit, opozita është kapur pas një pike që është “vetëdiskredituese”.

“…Vendet e rezervuara ne nuk i pranojmë. Ju kemi dhënë dy të tretat, që i keni kërkuar pa pushim. Mund t’ju bëjmë gati edhe një film me gjithë deklaratat e përmbledhura tuajat, që të shikoni se çfarë keni thënë për dy të tretat dhe jemi gati të negociojmë një zgjidhje të arsyeshme dhe t’i japim Shqipërisë një reformë, që është reforma themelore në këtë proces ku gjendet sot Shqipëria…”, -tha ai.

Më tej, Rama shtoi: “Të jeni të sigurt që Reforma në Drejtësi ka dy rrugë: O do bëhet, o do bëhet! Në pozitën tonë sot, sikur të donim vetëm të kapitalizonim politikisht procesin, unë ose nuk do isha këtu, ose do mbaja një fjalim tjetër. Ajo që po ju them është, thirrini mendjes dhe provoni që nuk jeni tufë lulesh. Provoni që jeni njerëz që kuptoni barrën e madhe që keni dhe peshën e jashtëzakonshme që ka ky proces! Nuk është puna do kalojë apo nuk do kalojë reforma. Kjo nuk diskutohet. Po jua them prapë, siç jua thashë se Reformën Administrativo-territoriale do e bëjmë me ju ose pa ju…”.

Procesin për Reformën në Drejtësi, Rama e lidhi edhe me Kampionatin Europian, që pritet të fillojë sot në Francë, aty ku u nis edhe vetë ai që prej ditës së djeshme.

“…Të marrim shembull nga Ekipi Kombëtar, ta bëjmë këtë reformë kombëtarisht. Edhe në qoftë se doni të bëni rolin e Zvicrës, kur ne bëjmë rolin e Shqipërisë, do bëjmë çmos, do e gjejmë një vëlla këtej, një vëlla andej dhe ta rregullojmë lojën që të dalim me fitore të përbashkët. Ma besoni këtë gjë, po nuk e besuat, nuk është puna se është më keq për ju, se unë nuk është se dua t’ju shoh mirë e më mirë, që të jemi të qartë, por është më keq për vendin, sepse do të humbasim”, -tha ai.

Së fundmi, Rama lëshoi edhe një batutë drejtuar negociatorit demokrat të PD-së, Oerd Bylykbashi, për Reformën në Drejtësi.

“Oerd (Bylykbashi) mos rri këtu, por rri në negociata, se kështu e ke marrë porosinë, të negociojmë vazhdimisht. M’i le negociatorët pa punë, duke të pritur ty”, -tha ai.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Gjermania akuzon: Rusia nisi sulmet kibernetike ndaj nesh

Shërbimi i inteligjencës së brendshme gjermane ka akuzuar Rusinë se qëndron pas...
Read More