fbpx

Kryesore

Qeveria në rolin e prindit, t’i trajtojë studentët si bij





               Publikuar në : 09:19 - 19/12/18 |
mapo.al

Nga Ndriçim Kulla


Protestat e studentëve po vazhdojnë e ende në horizont nuk po shihet ndonjë fund. E përdora jo pa qëllim fjalën horizont, për të perifrazuar një shprehje të famshme të Konrad Adenhauerit: Jetojmë të gjithë nën të njëjtin qiell, por nuk kemi të gjithë të njëjtin horizont. Duket që kjo shprehje i shkon shumë përshtat qasjeve që kanë studentët dhe qeveria në lidhje me problemin e zgjidhjes së krizës. Horizonti që shohin studentët është një kryeministër tek i cili nuk mund të kesh besim, është frika e një dialogu që edhe në thelb nuk mund të jetë vetëm i tillë, por një proces i gjatë bashkëpunimi midis studenteve dhe rektorateve, e kësisoj, nëse kryhet, është i mangët, i gënjeshtërt dhe manipulativ për kauzën e tyre. Horizonti që sheh qeveria është krejt i kundërt. Ajo mendon se protestës i është imponuar nga jashtë mungesa e dialogut, ndaj po mundohet me të gjitha mjetet ta shpjerë atë në prehrin e politikës, për ta denigruar dhe pastaj për të përdorur më lehtësisht demagogjinë. Këto janë variablat e një ekuacioni, që duket sikur është shumë i komplikuar.



Por le të marrim pak ndihmë nga shkenca e logjikës për ta zgjidhur. Pse nuk pranojnë studentët të ulen në dialog? Sepse kanë frikë nga manipulimi. Po a kanë të drejtë? Sjelljet e mëparshme të kryeministrit dhe mënyra se si e kupton dialogun me monologje “të gjata” dhe përfitime pas shpine, e legjitimojnë këtë frikë. Aq më tepër që përpara qeverisë janë studentë, jo organizime politike të stërvitura në këto lojëra marrëdhënie pushteti. Kjo është forca e tyre, kuptimi që kanë për mënyrën se si duhet të zgjidhen punët. Është logjike dhe e drejtë ta kenë e ta mbrojnë. Po kryeministri, për çfarë vallë e kërkon me kaq ngulm dialogun pas kaq shumë javësh protestë? A ka të drejtë ta kërkojë? Të ketë frikë vallë nga studentët se manipulohet, siç kanë studentët prej tij? E pamundur për të qenë e vërtetë. Të ketë frikë se mos protesta kapet nga opozita? Ndoshta në fillim, kjo mund të dukej e përligjshme si frikë, por vetëm në aspektin politik, se në këndvështrimin e zgjidhjes së problemeve të studentëve, logjikisht ky ngurrim nuk qëndron, dhe duket i pashpjegueshëm. Pra, ndryshe nga logjika studentore, është logjika qeveritare ajo që ngec në këtë ekuacion të së drejtës për dialog. Ajo e fajëson protestën si të kapur nga politika, kur çdo ditë e çdo natë sheh subjekte të çdo lloji që duan ta përçajnë e ta rrudhin protestën, që nga freshistët e majtistët në terren, pastaj pedagogët, rektorët e dekanët në shërbim të pushtetit, e në fund edhe në memet ironike të shpërhapura kundra opozitës, në mënyrë sistematike dhe mësymëse në të gjitha televizionet dhe portalet.


Atëherë, nga kush vallë ka frikë qeveria, që si plotëson 8 kërkesat e studentëve? Ngaqë opinion po manipulohet nga studentët? E palogjikshme për të qenë e vërtetë. Përkundrazi, del që e vërteta është se qeveria po luan me 8 kërkesat e studentëve, ose pse nuk mundet t’i plotësojë ose pse nuk di si ti plotësojë pa rrëzuar gjithë ligjin e arsimit të lartë. Mirëpo, një përgjigje e tillë shoqërohet në dukje me një kontradiksion logjik, për shkak se qeveria e ka shpallur se i pranon dhe e ka gati zgjidhjen e tyre. Atëherë shtrohet pyetja: si zgjidhet ky kontradiksion? Frika e studentëve për dialog treguam se është logjike, ndërkohë që qasja e qeverisë për zgjidhjen e tyre pa këtë dialog, doli që kishte një logjikë kontradiktore. Duket, pra, që horizonti i studentëve është i përligjur dhe i kthjellët, kurse i qeverisë i mjegulluar logjikisht me përbërës partiakë dhe llogarish zgjedhore. Nëse do të qe e interesuar vërtet, me kaq zell e me kaq dëshirë sa ç’thotë për paktin me studentët, le të marrë rolin e prindërit dhe t’i trajtojë ata si bij, vërtet kokëfortë, por që kanë të drejtë në atë që thonë. Mesazhi biblik në raste të tilla flet edhe për bij plëngprishës, në një kohë që studentët s’janë kurrsesi të tillë. E gjitha kjo s’ka të bëjë fare as me politikën, as me rrëzimin nga pushteti, frikërat më të mëdha që logjikisht mund të ketë mazhoranca. Ky është horizonti që s’u përket të rinjve, por mendësisë së vjetër të politikës shqiptare. Auditorët janë bosh, kjo është tragjedia që po vazhdon të fshihet nga manipulimet me pamje dronësh sipër protestës. A nuk po kuptohet se është e vjetër logjika përçarëse, se këta janë pakica apo stimulimi një takimi gjoja dialogues me studentët, si ai në UBT. Në çfarëdo lloj zgjidhjeje me dialog të simuluar, do të ketë gjithmonë një pjesë të shëndetshme që do ta quajë zgjidhjen të simuluar dhe demagogjike.

Atëherë pse po vazhdohet në këtë rrugë? Me shumë logjikë, që të shpëtohet fytyra e qeverisë nga gjithë ato vraga që mund të lërë shuplaka, që unë më mirë do ta quaja flakureshë, ( goditje me dorë dhe parakrah) që i vërvitën me gjithë zemërimin e tyre të shpirtit studentët e revoltuar. Po edhe kjo nuk e përligj dot gjithë këtë kokëfortësi dhe tërbim ngulmues të qeverisë. Ka shumë mundësi që qeveria nuk do që e gjithë kjo qasje protestore të thellohet gjithnjë e më shumë? Është përsëri logjikë e vjetër, që nuk përkon me logjikën studentore. Si t’ia plotësojë, si mos t’ia plotësojë kërkesat, opozita dhe shtresat e tjera shoqërore tashmë e dinë mënyrën shembullore sesi mund të kërkohen dhe fitohen të drejtat në këtë vend, ndaj këmbëngulja rezulton aspak logjike, nëse mazhoranca e ka vërtet për zemër zgjidhjen e këtyre kërkesave. Le t’ua zgjidhë duke e shkëputur protestën nga politika dhe pastaj le të merret me politikën, në një betejë që s’ka të bëjë fare me studentët. Përndryshe, rrjedhimisht logjika ta thotë se nuk i do as studentët e as zgjidhjen për ta. E në fund, ta pranojë këtë gjë, e tua thotë në fytyrë studentëve, pa u fshehur te sulmi ndaj “Lulit e Monikës”. Me ta do ketë kohë të përballet. Tani koha është të përballet me studentët që logjikisht nuk kanë pse të pranojnë dialog për detyrat e shtëpisë që duhet të kryente “prindi i tyre” që gjer tani e dinin shembullor, por që papritur e pakujtuar na u shfaq si ngelës.

 


Etiketa: , , , ,

Pas