Qeveria i sulmoi për Rinasin, Rama takohet me Kryeministrin kinez

 

Ditët e fundit qeveria ka sulmuar kompaninë kineze që administron Aeroportin e Rinasit, duke ia hedhur fajin asajt për grabitjen e rreth 10 milionë eurove. Ministrat Balluku, Lleshaj dhe Xhaçka kanë dalë shpesh në media duke akuzuar kompaninë konçesionare.

Por, ndërkohë që ministrat kanë sulmuar kompaninë kineze, Kryeministri Edi Rama është takuar ditën e sotme me homologun e Kinës Li Keqiang. Takimi është zhvilluar në Samitin e tetë të liderëve të Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (CEEC) në Dubrovnik.

Duke përshëndetur miqësinë tradicionalisht të rrënjosur mes dy vendeve, kryeministri Li Keqiang tha se marrëdhëniet Kinë-Shqipëri janë në një fazë të rëndësishme të zhvillimit.

Kryeministri Keqiang theksoi se Kina mirëpret zgjerimin e eksporteve shqiptare në Kinë, të produkteve bujqësore dhe specialiteteve vendore shqiptare, të tilla si mjalti, vaji i ullirit apo vera.

“Kina është e gatshme të punojë me Shqipërinë për të konsoliduar marrëdhëniet miqësore, për të çimentuar bashkëpunimin praktik, për të nxitur më tej lidhjet dypalëshe dhe për të përfituar dy popujt. Kina dhe Shqipëria duhet të rrisin komunikimin për të arritur një marrëveshje për përjashtimin reciprok të vizave midis dy vendeve, për të lehtësuar shkëmbimet e të rinjve dhe për të konsoliduar mbështetjen publike për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe”, ka deklaruar kryeministri kinez.

Mediat kineze shkruajnë se Rama ka përshëndetur miqësinë tradicionale mes dy vendeve dhe ka bërë thirrje për një festë madhështore të 70 vjetorit të krijimit të lidhjeve dypalëshe.

“Shqipëria në mënyrë aktive mbështet projekte bashkëpunimi me Kinën dhe shpreson të zgjerojë eksportin e produkteve bujqësore në Kinë” tha Rama, duke shtuar se ai pret që Kina të ofrojë komoditet për njerëzit e talentuar shqiptarë në vendin aziatik.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Përplasja: Minatorët tentojnë të hyjnë me forcë në kryeministri

    “U mbush kupa, mjaft! Qeveri dil nga bunkeri!”  Më këtë...
Read More