Pse nuk po merret kush me mesazhet e Tahirit

Mapo.al

Në fillimet e procesit hetimor, kishte një entuziazëm të madh për të dekriptuar mesazhet e Saimir Tahirit, i cili fliste nga pozita mikse. Herë si i braktisur nga Rama, herë si viktimë, herë si posedues i çelësave të sekreteve të mëdha që mund të merrnin me vete këdo. Dhe në fakt, kjo e bënte të dukej edhe më i fuqishëm, ashtu i rrëzuar nga karrigia dhe nën hetim, se sa kur ishte ministër. Më misterioz, dhe më interesant në publik.

Mesazhet e Tahirit shkonin direkt për Ramën, pasi ai përdorte fjalët që kryeministri i ka në zhargonin e njohur. Nuk keni parë gjë akoma, u shpreh një rast ish-ministri, apo akoma më shumë kishte parasysh shefin e tij, kur përdori fjalinë; nuk ka bir kurve…Kaq mjaftoi që në Tiranë të ngrihej e të ushqehej çdo ditë një mit, që Tahiri e ka në dorë Ramën, ndaj ai po ia garanton lirinë e paprekshmërinë. Se po foli Tahiri, bie Rama, i merr të gjithë me vete.

Mirëpo procesi vijonte e Tahiri s’po fliste kurrë. Tani që erdhi dosja në Gjykatë, mundësia e ndëshkimit për ish-ministrin është bërë më konkrete. Ashtu siç nga ana tjetër, është edhe më konkrete mundësia e rënies së çështjes, e rrëzimit të akuzës. Ai është i pandehur për trafik ndërkombëtar droge dhe grup të strukturuar kriminal. Akuza shumë të rënda, siç u shpreh ai vetë, të ngjashme me ato për Aldo Baren.

Edhe sot, Tahiri emetoi mesazhe të koduara. “Nuk është e kollajtë të jem unë kurban!”, -tha ai. Por duket qartë se ka rënë dëshira e zjarrtë për t’i përkthyer ato. Dy janë arsyet ndoshta. Ose Tahiri nuk ka shumë gjëra për Ramën, ose shefi i rilindjes ka ndryshuar taktikë, duke e kaluar tashmë ai ushtrimin e presionit në drejtim të Tahirit. Në fakt, kështu si janë punët e drejtësisë sot, vetëm një ndërhyrje shumë e fuqishme si ajo e kryeministrit mund ta bëjë Tahirin të jetë i qetë para gjykimit, para vendimit të drejtësisë. Gjykatësit që janë para vettingut, një proces që po dëshmohet si i kontrolluar politikisht, i kanë mprehur shumë shqisat dhe receptorët për të kapur porositë.

Ndoshta Rama po kërkon t’i thotë Tahirit, se tashmë ai e ka në dorë. Në pozita pak më të dobësuara ndërkohë, edhe për faktin se deri tani Tahiri asnjëherë nuk vuri në përdorim asnjë prej kartave të tij nën mëngë, sërish ish-ministri edhe sot nxiti ca kujtesa për Ramën.

Ai e përfshiu ish-shefin e tij, kur tha se në këto 28 vite, qeveritarët kanë vjedhur dhe kanë vrarë në këtë vend. Tani se në cilën kategori e futi Ramën, kjo merret me mend. Po në asnjërën prej tyre, nuk duket se del mirë. Ish-ministri përdori sot një term të Ramës, kur u shpreh se ai është sërish ministri kampion. Tahiri tha se është aty, pra nën akuzë, prej politikës. Nuk tha prej opozitës, por prej politikës, duke përfshirë këtu partinë e tij, dhe qeverinë. Pati edhe kërcënime më të drejtpërdrejta, të tipit: po vjen momenti që do të flas unë.

Gjithkush e di se Tahiri ka në dorë të dëmtojë Ramën, dhe shumë fort, nëse do të vijë puna të hakmerret. Ish-ministri çdo herë që kërcënon, pa dashje vihet në pozita sërish të vështira, jo vetëm morale, po ndoshta edhe juridike. Sepse ai lë të kuptojë se ka dijeni për krime apo afera të rënda, çka përbën dijeni për shkelje të ligjit. Sigurisht, përpara parimeve dhe detyrimit publik e qytetar, ai do të ndjekë interesin e tij. Dhe çelësi i sekreteve i duhet në radhë të parë për fatin personal.

Por ai po e kupton se mesazhet e tij të kriptuara po zbehen sa më shumë koha kalon. Ndoshta ka ardhur momenti që Tahiri të hedhë diçka në lojë, që të merret seriozisht. Përndryshe, duhet të presë më i qetë nëse do të jetë apo jo, ai Kurbani, edhe pse sot e mohoi, duke huazuar kështu të famshmin titull të librit të Edi Ramës.

Nëse Tahiri rrezikon përpara drejtësisë, ai të paktën e ka në dorë të mos rrezikojë të bëhet jointeresant në publik, me mesazhet e fshehta, që nuk po marrin asnjëherë forcën dhe përkthimin e duhur.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rreziku nga kontratat afatgjata koncesionare

Selami Xhepa, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës...
Read More