Pse na dëshpëron kaq shumë ‘timoni’ në duart e të tjerëve

Dëshpërimi është gjithmonë publik, kurse optimizmi është privat. Ja çfarë këshillojnë psikologët për ata që duan ta nisin vitin mirë

Nga Enton Palushi

‘Asgjë nuk ndryshon ditën e Vitit të Ri’. Kështu thotë një këngë e grupit të njohur U2. A nuk duket kështu? Edhe pse ka filluar një vit i ri, duket se gjërat kanë rinisur aty ku kishin mbetur. Studentët po protestojnë dhe janë ngujuar nëpër fakultete. Aksidentet, grabitjet dhe krimi vazhdojnë të dominojnë nëpër media, duke nisur që nga orët e para të mëngjesit të 1 janarit. Konflikti politik mes kryeministrit Edi Rama dhe Ilir Metës po vijon edhe më i ashpër se më parë. Opozita nga ana e saj premton se do të sakrifikojë jetën për të rezistuar ndaj pushtetit. Kurse kryeministri vijon të jetë aty ku është shumicën e kohës: në ekran, nuk ka rëndësi nëse është kompjuter, celular apo televizor. Por atëherë përse festojmë kur mbyllet një vit dhe përse i vendosim zotime vetes për Vitin e Ri?

***

Atmosfera e festave të fundvitit mund të mos përjetohet mirë nga disa. Megjithatë shumica ndihen mirë. Edhe pse nuk thellohen shumë për të kuptuar thelbin e kënaqësisë, ajo është e kuptueshme. Psikologu David Ropeik thotë se kjo ka lidhje me mbijetesën.

Përse fillimi i vitit ka një simbolizëm kaq të veçantë? Pse është kaq i rëndësishëm kremtimi? Një sjellje e tillë duhet të lidhet patjetër me diçka thelbësore të kafshës njerëzore, duke pasur parasysh gjithë atë energji dhe burime që investojmë jo vetëm në festime, por edhe në premtime që ia bëjmë vetes dhe të tjerëve. Simbolizmi që i vishet këtij momenti është i rrënjosur në një nga motivimet më të fuqishme të njerëzimit- motivimi për të mbijetuar. Viti i Ri na ofron mundësinë për të festuar sepse ia kemi dalë përgjatë 365 ditëve, një njësi kohore gjatë të cilës ne mbajmë shënime kronologjike për jetën tonë. Fiuuu. Ia dolëm, një tjetër vit dhe ne jemi sërish këtu. Është koha për festuar. Një dolli për mbijetesën tonë.

***

Por përse angazhohemi me zotime të reja, me premtime ndaj vetes dhe të tjerëve kur nisim një vit të ri? Edhe ato lidhen me mbijetesën. Të gjithë duam të jetojmë më të shëndetshëm, më mirë dhe më gjatë. Por kjo histori nuk është vetëm kaq. Ajo lidhet mbi të gjitha me nevojën e rëndësishme të njeriut për të patur kontroll mbi gjërat.

Zotimet e Vitit të Ri janë shembuj të dëshirës universale njerëzore për të patur kontroll mbi atë që shtrihet përpara nesh, pasi e ardhmja para nesh është e panjohur. Duke mos e ditur atë që do të vijë, ne nuk e dimë se çfarë na duhet për ta mbajtur veten të sigurt. Pikërisht për t’iu kundërvënë kësaj pafuqie shteruese, ne bëjmë gjëra për të marrë kontrollin. Angazhohemi për të mbajtur dietë, për të bërë më shumë stërvitje, për të lënë duhanin e për të nisur kursimet. Nuk ka rëndësi nëse i mbajmë ato. Angazhimi ndaj tyre, të paktën edhe për një moment, na jep një ndjenjë më të madhe kontrolli ndaj ditëve të pasigurta që na presin, thotë Ropeik.

Kontrolli! Ja pse nevoja për të pasur kontroll mbi jetën tonë është një motivues themelor drejt të ardhmes. Dhe ashtu siç e kam thënë edhe në një shkrim më përpara, e ardhmja është preokupimi më i madh i njerëzve. Ajo na konsumon energji e mendim dhe na prodhon ankth, stres, por edhe shpresë.

***

Tani janë të shumtë ata që e ngasin makinën. Por e keni provuar ndjesinë kur ju jeni pasagjer dhe dikush tjetër është në timon? Nuk është vetëm refleks, por trupi juaj kërkon që të jetë në drejtimin e mjetit. Edhe pse shoferi në timon mund të jetë shumë i mirë dhe me përvojë, sërish do ndiheshit më mirë sikur ta drejtonit vetë mjetin. Arsyeja është e thjeshtë: Ndjeheni më të sigurt kur një gjë e keni vetë nën kontroll. Tani mendoni për një moment kur ‘timonin’ e ka në dorë një kryeministër. Nuk ndjeheni kaq të sigurt apo jo? Madje jeni në ankth dhe të dëshpëruar. Kjo lidhet me diçka interesante, së cilës psikologia Tali Sharot ia ka vënë emrin: Njëanshmëria e optimizmit.

***

Nuk ka gjë më interesante për të ilustruar njëanshmërinë e optimizmit ose ndryshe mbi-optimizmin sesa të ulesh e të dëgjosh një grup mamash të reja teksa japin vlerësime për aftësitë e fëmijëve të tyre. Të mbushet mendja top se vetëm ato kanë sjellë në jetë krijesa të talentuar, të zgjuara, të bukura. Tani të mos e teprojmë, vërtet fëmijët janë ashtu dhe Pikaso e thotë se secili prej tyre është një gjeni. Megjithatë kur flitet për të ardhmen e tyre, dihet se ajo mund të mos jetë gjithmonë e shndritshme. Kjo nuk i ndalon mamatë që të besojnë plotësisht se fëmijët e tyre do kapin majat në të ardhmen.

Nga katër persona të pyetur, tre thonë se janë shumë optimist për të ardhmen e familjes së tyre. Kjo është 75 për qind, -thotë Sharot. Pyesni dikë se sa janë shanset që ai të preket nga kanceri dhe do ju thotë një përqindje shumë të ulët. Pyeteni po ashtu se sa është mundësia që të aksidentohet, të vritet, të divorcohet dhe sërish do gjeni se ai është shumë më optimist nga sa paraqiten statistikat. Evolucioni e ka përgatitur njeriun për të qenë optimist. Por vetëm për veten e tij.

***

Ka një paradoks të madh. Ne jemi optimistë për fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre, por shumë pak njerëz janë optimistë se gjenerata e ardhshme do jetë më e mirë se kjo e jona. Ne jemi optimistë për veten, por jo për komshiun.

Ne jemi optimistë për veten, por pesimistë për të ardhmen e vendit dhe aftësinë e liderëve tanë. Ne e quajmë këtë optimizmi privat kundrejt dëshpërimit publik, thotë Tali Sharot.

“Një arsye është kontrolli. Ne ndiejmë se kemi kontroll mbi fatin tonë. Ndiejmë se mund ta drejtojmë timonin siç duhet kur jemi në drejtim, prandaj jemi optimistë për të ardhmen tonë. Por nuk ndiejmë se kemi kontroll për drejtimin se ku po shkon vendi dhe se ku po na çojnë liderët tanë”.

Prandaj sa herë që të ndjeni se po humbisni kontrollin, mos harroni se timoni në duart e dikujt tjetër nuk ju jep garanci. Kjo është arsyeja që u duhet më pak shtet e qeveri në jetë. Sepse e ardhmja është e shndritshme për ty. Jo për atë tjetrin.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Lufta ndaj krimit nuk është objekt i konsumit politik të ditës

Nga Ervis Iljazaj Ngjarja e Elbasanit ku shihet në një video përballja...
Read More