fbpx

Kryesore

Pse LSI po bën arbitrin mes PD e PS gjashtë muaj para zgjedhjeve?!





               Publikuar në : 09:51 - 19/12/16 |
mapo.al

rama-meta-bashaPeriudha e “mjaltit” mes PD e LSI mund të ketë marrë fund, ndërsa opozita u është rikthyer akuzave të ashpra për partinë e dytë në qeverisje, por loja për koalicionet parazgjedhore pritet të vijojë. Partia e Ilir Metës po lëkundet sa majtas dhe djathtas, ndërsa shpesh merr rol arbitri në sherret politike


Nga Nevila Perndoj



Po shihej si periudhë mjalti ajo mes dy ish-aleatëve qeverisës PD e LSI.


Një kohë e gjatë që “shteroi” akuzat nga kampi opozitar për partinë e Ilir Metës. Dukej se nuk ishte rastësi, pasi prej muajsh, më shumë mediatikisht, po përflitej për një “flirtim” të radhës, kur zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk janë larg.

Në muajin gusht madje, (menjëherë pas dorës që LSI i dha PD-së për të kaluar sikletin e Reformës në Drejtësi) u bënë llogari të afërta për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.

Por këtë të shtunë nga selia e Partisë Demokratike “armët” u mbushën sërish. Dhe madje mirë.

Partia Demokratike atakoi ashpër LSI-në dhe Ilir Metën.

PD sulmoi një deputet të LSI, e barazoi Metën me Edi Ramën dhe tha se kreu i LSI-së është po aq përgjegjës dhe fajtor sa edhe kryeministri në më shumë se 3 vite bashkëqeverisje.

Akuzat në fakt kishin indicie dhënien me koncesion të laboratorëve të spitaleve sipas modelit partneritet publik-privat, kundër të cilit LSI propozoi një amendament, që u rrëzua në Kuvend pikërisht prej mungesës së më shumë se 20 deputetëve të PD-së dhe aleatëve të saj si Mediu dhe Ndoka.

Ky “investim” kundër qeverisë, mund të ishte pikënisja e bashkëpunimit mes dy ish-aleatëve.

Por deklarata e së shtunës nga PD tregoi të kundërtën. Duke zhveshur veten nga përgjegjësia e saj për mosbllokimin e këtij koncesioni (që në fakt nxori të larë LSI-në në sytë e publikut), PD u hakërrye.

“…Gjasme amendamenti kundër koncesionit, ishte një manovër propagandistike e Ilir Metës për të bërë gjasme sikur mendon për popullin, pra ishte një gënjeshtër. Po afrohen zgjedhjet dhe është koha kur Ilir Meta bën sikur nuk ka qenë në qeveri katër vjet. LSI është bashkautore e të gjitha vjedhjeve, koncesioneve dhe abuzimeve të qeverisë Rama-Meta, nga një pjesë e të cilave LSI ka përfituar direkt”, –tha Albana Vokshi.

Edhe pse PD-ja e sheh LSI-në njësoj me PS-në si dy faqe të një monedhe, të shtunën ajo i bëri thirrje që të dilte nga qeveria.

“Nëse Ilir Meta është kundër koncesionit e ka të thjeshtë: ta rrëzojë atë në qeveri. Le të bllokojë qeverinë ose të dalë nga qeveria…”, – ishte thirrja e PD-së.

“…Jam çuditur nga komentet e tilla, se nuk e kam kuptuar dhe e kam shumë të paqartë, por kjo është një detyrë e Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës të sqarojnë që PD dhe Lulzim Basha janë në këtë realitet apo ndodhen në qiellin e shtatë”, – reagoi furishëm, Petrit Vasili.

Ndërkohë Rama po nënvizon publikisht se koalicioni i ardhshëm do të jetë me tre bashkëkryetarë, duke e bërë “të sigurt” Metën edhe për një mandat dhe duke zyrtarizuar Idrizin si bashkëkryetar të ri.

Meta nuk e ka thënë ende fjalën e tij duke e zvarritur këtë qëndrim me çështje strukturash.

Opozita sa duket i ka kuptuar sinjalet teksa shprehet se, ajo nuk mund të dalë nga koalicioni, pasi “qeverisja është oksigjeni që mban në jetë LSI-në”.

Në anën tjetër, vetë Basha ka nënvizuar se nuk bëhet fjalë për koalicion parazgjedhor me LSI-në, dhe se ftesën për të rrëzuar Ramën, ai ia ka bërë jo vetëm Metës, por edhe deputetëve socialistë.

Por a është debati për koncesionin një përplasje reale që mbyll skenarët për një rikthim aleatësh PD-LSI, apo është një lëvizje taktike që vetëm sa po shtron rrugën e një bashkëpunimi të ri, këtë herë Meta-Basha?

Nuk ra pak në sy edhe përplasja dhe replikat mes Luan Ramës dhe Taulant Ballës dje për reformën zgjedhore, kur LSI fajësoi njëherësh si PS-në ashtu edhe PD-në për ngecje të procesit.

“…Luan Rama le t’i bëjë thirrje PD-së siç i bëjmë edhe ne po ashtu, sepse roli i dyfishtë i skuadrës dhe arbitrit nuk ka më asnjë kuptim!…”, -reagoi Balla ndaj thirrjes së Ramës.

Partia e Metës në jo pak raste merr rolin e arbitrit dhe atë mbi palët, por a ishte rastësi deklarata e djeshme e Luan Ramës kur opozita e ka zhvendosur në tjetër fushë aksionin e akuzave?

“LSI-ja ka qenë e gatshme, është e gatshme, dhe do të jetë e gatshme të bashkëpunojë dhe të ofrojë kontributin e vet për të bërë të mundur mbërritjen e konsensusit të nevojshëm që edhe reforma zgjedhore të realizohet me konsensusin e të gjitha palëve, duke dëshmuar kështu përgjegjshmëri përballë qytetarëve dhe përballë partnerëve tanë ndërkombëtarë…”, -tha Luan Rama.

Me këto lëvizje, LSI po përgatit publikun dhe aktorët e mëdhenj PS e PD për tri variantet e daljes së saj në zgjedhje. Duke bërë arbitrin dhe duke u distancuar nga të dyja partitë, ajo po krijon idenë e një daljeje të mundshme vetëm si një nga variantet që po kalkulon.

Nga ana tjetër duke sulmuar njëherë PS e njëherë PD, ajo krijon mjegull tek anëtarët e dy krahëve dhe u bën presion njësoj si Ramës dhe Bashës deri në ditën që Meta do të thotë publikisht vendimin se ku do ta çojë partinë e tij, një vendim që ndoshta e ka marrë…



Pas