Pse ka ngecur integrimi europian, roli i elitave politike

Edhe pse studime të shumta në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë e vënë theksin te roli që BE luan në procesin e integrimit, unë besoj se demokratizimi i vendit është një proces i lidhur ngushtësisht me elitën politike dhe me ato forca politike që dominojnë politikëbërjen shqiptare. Për aq kohë sa kjo elitë nuk ndërgjegjësohet për pengmarrjen e statusit kandidat, procesi i tranzicionit do të vazhdojë me po këta hapa të ngadaltë

Nga Ilda Rusi*

Dëshira e madhe për të qenë vend anëtar i bashkësisë europiane nuk mjafton për të realizuar këtë synim kombëtar sikurse dhe pozita gjeografike. Bashkimi Europian është një organizëm që sjell me vete përfitime të shumta por që kërkon një standard të caktuar të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, politik dhe ligjor. Shqipëria, sikurse dhe vendet e tjera të Ballkanit Juglindor është duke u munduar të arrijë këto standarde dhe ka nisur fazën e përshtatjes me to. Ky proces është një kombinim i faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm të cilët kanë për qëllim arritjen e këtij objektivi madhor.

Nga njëra anë, kemi BE, e cila ushtron presion të jashtëm për realizimin e reformave të cilat do ta afrojnë edhe më shumë qeverisjen shqiptare me standardet europiane dhe nga ana tjetër, kemi angazhim vendor për arritjen e këtyre objektivave të cilat do të mundësonin arritjen e këtyre standardeve. Këto dy elemente janë pjesë e të njëjtit ekuacion, i cili nuk mund të funksionojë në qoftë se njëra anë e tij nuk është duke operuar siç duhet.

Ndryshe nga një pjesë e studiuesve të cilët e vënë theksin te imperativa Europiane dhe konfuzimi me të cilin po përballet BE kundrejt Shqipërisë (Hoffmann, Elbasani), unë mendoj se elementi më i rëndësishëm për të analizuar në këtë ekuacion është çfarë po ndodh me angazhimin e politikës shqiptare në lidhje me këtë proces.

Në këtë punim, unë argumentoj se procesi i integrimit është një proces kompleks i dominuar kryesisht nga përpjekjet dhe angazhimi i faktorëve të brendshëm. Edhe pse Brukseli mund të ketë politika më favorizuese për anëtarësimin e vendit në BE (sikurse ishte vala e zgjerimit të 2004) dhe ide më të qarta se si të formësojë politikëbërjen vendore, duke aplikuar mjete të tjera për kushtëzimin demokratik, duhet medoemos që shteti shqiptar në radhë të parë të vërtetojë se është gati për një angazhim të tillë. Në fund të fundit, procesi i integrimit është ngushtimisht i lidhur me procesin e demokratizimit të vendit dhe arritjes së kompletimit me sukses të fazës së tranzicionit duke arritur konsolidimin e shtetit demokratik, ligjor dhe kushtetues. Demokracia nuk mund të importohet, por duhen krijuar të gjitha kushtet që ajo të forcohet dhe institucionalizohet brenda vendit. Vetëm në këtë mënyrë, Shqipëria mund të anëtarësohet në BE dhe të gëzojë të drejtat dhe privilegjet që sjell ky proces. Ky synim mund të arrihet kur Tirana zyrtare (dhe këtu nuk i referohem vetëm aparatit dhe institucioneve qeveritare, por të gjitha forcat politike dhe elitën politike në përgjithësi) ta marrin seriozisht këtë angazhim dhe të prodhojnë konsensus me bazë të gjerë që do të lejonte implementimin e reformave konsensuale dhe ajo që është më e rëndësishme, forcimin e institucioneve të pavarura. Duhet medoemos që kjo strategji kombëtare të formësohet në një strategji afatgjatë dhe të krijohen të gjitha kushtet e nevojshme për gjenerimin e strukturave politike dhe institucionale të forta për ruajtjen e saj.

Ky punim ka për qëllim të analizojë faktorët politikë, të cilët janë kthyer në pengesë të këtij procesi demokratizimi dhe integrimi. Duke iu referuar gjithmonë kërkesave të BE-së, unë evidentoj paaftësinë e klasës politike shqiptare për bashkëpunim dhe realizim reformash konsensuale. Andaj, në radhë të parë shikoj si shumë të arsyeshme që të përcaktojmë cilat janë kërkesat që BE ka kundrejt Shqipërisë dhe në pjesën e dytë të analizës të evidentojmë se si Tirana është angazhuar në realizimin e këtyre objektivave. Kjo metodë krahasimore do të na mundësojë të evidentojmë se cila pjesë e këtij bashkëpunimi të dyanshëm nuk është duke operuar ashtu siç duhet.

BE, faktor i jashtëm dominant në procesin e integrimit

Literatura ndërkombëtare krahasuese e demokratizimit e vë theksin të faktori i jashtëm në fazën e tranzicionit. Huntington do ta përcaktonte valën e tretë të demokratizimit të dominuar nga roli që faktorët e jashtëm kanë në procesin e demokratizimit nëpërmjet iniciativave për reforma (Huntington, 1991). Në po të njëjtën linjë, Schmitter, e përcakton rolin e aktorëve të jashtëm si dominant në fazën e demokratizimit. Ai evidenton aftësinë që këto faktorë kanë në lançimin dhe implementimin e reformave në vendet në tranzicion (Schmitter, 1996). Nëpërmjet asistencës ekonomike dhe mbështetjes politike, faktori i jashtëm ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në politikat vendëse dhe në hapjen e rrugës në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, roli që BE ka luajtur në promovimin e demokracisë është i padiskutueshëm nëpërmjet politikave të saj të kushtëzimit. Heather Grabbe (2002) analizon mënyrën se si BE përdor kushtet e saj ndaj shteteve që aspirojnë të integrohen, për të influencuar zgjedhjet që ato bëjnë. BE ka shumë burime influence që afektojnë politikat dhe institucionet e vendeve aspirante nëpërmjet instrumenteve të ndihmës dhe asistencës që janë aq shumë të dëshiruara nga këto vende (Kubicek, 2003).

Kuzhtëzimi është një nga elementet më dominante për të shpjeguar efikasitetin e BE-së në mbështetjen e reformave drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Iniciativat që BE përdor për të influencuar në procesin e reformimit të institucioneve dhe transformimit të politikave në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore mund të kategorizohen si: 1. Aksesi në negociata. 2. Asistenca në drafte ligjore dhe institucionale. 3. Ndihmë dhe asistencë teknike. 4. Këshillim në lidhje me politikat vendore. 5. Monitorim i procesit të implementimit (Grabbe, 2002, 257). Mund të themi pa frikë se të pesta elementet e sipërpërmendura janë aplikuar edhe në rastin e Shqipërisë duke përfshirë gjithashtu edhe ndihmën financiare si një element shumë i rëndësishëm. Duhet mbajtur parasysh se BE është burimi kryesor i financimit në vend.

Konkretisht, BE është shumë prezente në politikëbërjen shqiptare duke filluar që në fillim të viteve 1990 kur vendi nisi procesin e gjatë dhe me sa duket të pambarueshëm të tranzicionit. Marrëdhëniet e para zyrtare filluan në vitin 1992, kur u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Kjo marrëveshje do të thoshte se Shqipëria mund të përfitonte nga programi Phare, i cili ishte një instrument financiar ndaj vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në fazën e tyre përgatitore drejt përfshirjes pasi këto vende kishin aplikuar për anëtarësim. Këto fonde do të shkonin për riorganizimin politik dhe ekonomik institucional, me qëllim që të kishim një tranzicion të butë dhe gradual (Zgjerimi i Komisionit Europian).

Sikurse për pjesën tjetër të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, në vitin e mbrapshtë 1997, BE paraqiti kushtet ekonomike dhe politike të cilat medoemos duheshin plotësuar për të nisur integrimin e vendit në BE. Në këtë kontekst, Komisioni Europian dhe Banka Botërore elaboruan një plan për rigjenerimin dhe rritjen ekonomike, i cili do të siguronte një tranzicion të suksesshëm (Zgjerimi i Komisionit Europian).

Në vitin 1999, BE do të lançonte PSA (Procesi i Stabilizim-Asocimit) për pesë vendet e Ballkanit Juglindor, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Në po të njëjtin vit, Shqipëria miratoi Marrëveshjen Preferenciale për Tregti Autonome me BE-në dhe vendet e tjera të Ballkanit, e cila ishte e vlefshme deri në vitin 2011. Ky propozim i BE-së iu ofronte vendeve të Ballkanit akses në duty free të tregjeve europiane për të gjitha produktet e tyre. Ai siguronte integrimin ekonomik me vendet e BE-së dhe krijonte premisat për demokratizimin e institucioneve ekonomike shqiptare.

Në vitin 2000, të dyja samitet, si i Zagrebit dhe i Feira-s nënvizuan rëndësinë që PSA kishte në procesin e integrimit. Në mënyrë të veçantë Samiti i Feira-s do të deklaronte se të gjitha vendet e PSA kishin mundësi për të qenë vende kandidate të BE. Të dyja këto samite i dhanë PSA një rëndësi të veçantë dhe e përcaktuan atë si të vetmen rrugë drejt thellimit të integrimit.

Në këtë kontekst, në vitin 2001 BE do të prezantonte programin CARDS, i cili ishte dizenjuar në mënyrë të veçantë për vendet të cilat ishin pjesë e SPA-së. Andaj, Komisioni Europian, sikurse për vendet e tjera që kishin nënshkruar SPA-në, rekomandoi inicimin e negociatave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Tiranën. Menjëherë pas kësaj iniciative, në Tiranë u zhvillua takimi i parë në kuadrin MSA-së. Pas kësaj, Këshilli Europian nxiti Komisionin të përgatiste një dokument strategjik për rastin e Shqipërisë. Negociatat dhe direktivat ishin përgatitur në bazë të reflektimit mbi Raportin e Stabilizim-Asocimit.

Duke parë dhe angazhimin e Tiranës zyrtare, në 2003 BE filloi zyrtarisht negociatat për MSA me Shqipërinë. Në qershor të 2006, MSA u nënshkrua në Luksemburg. Në vitin pasardhës, u fut IPA, Asistencë Para Hyrjes, e cila përfshinte instrumente të reja për asistencë para futjes në BE. Në 1 Prill të vitit 2009, Shqipëria u fut zyrtarisht në MSA. Ky akt u shoqërua menjëherë me kërkesën e Shqipërisë për të aplikuar si vend kandidat. Kjo kërkesë nuk u pranua nga Brukseli (Zgjerimi i Komisionit Europian).

Objektivi kryesor i MSA-së është të asistojë Shqipërinë në procesin e demokratizimit dhe konsolidimit të mekanizmave demokratike. Ajo përfshin një agjendë specifike me reforma të detajuara, të cilat janë vlerësuar si prioritet nga BE. MSA si pjesë e asistencës së Brukselit, është një instrument politik i përdorur nga Komisioni Europian për të arritur disa objektiva njëherësh.

Kushtet e BE-së për anëtarësim

Por a është e mjaftueshme vetëm angazhimi i BE-së në procesin e konsolidimit të demokracisë dhe gjenerimit të shtetit të së drejtës?

Në rastin e Shqipërisë, BE ka përdor politikën e “karotës” dhe  të “shkopit” ( Grabbe, 2002) që do të thotë nga njëra anë nëpërmjet asistencës teknike dhe financiare Brukseli e tundon Tiranën drejt rrugës së zhvillimit por nga ana tjetër, sa herë kjo e fundit nuk i bën siç duhet “detyrat e shtëpisë” e dënon si një qen të rrahur duke i mohuar thellimin e integrimit (mohimi i fundit i statusit kandidat).

Në këtë kontekst, ajo që mua më shqetëson më së shumti nuk është mënyra se si BE e tundon Tiranën drejt angazhimeve europiane, por se si Tirana i merr seriozisht apo jo detyrimet e saj në këtë negociatë.

Në këtë pjesë të punimit unë do të fokusohem në kushtet që BE i ka vendosur Shqipërisë për të plotësuar me qëllim fillimin e negociatave për statusin kandidat. Andaj, unë e shoh të rëndësishme të analizojmë cilat janë këto kritere dhe të analizojmë se sa afër ose larg Shqipëria është në takimin e tyre. Ky krahasim do të na mundësojë jo vetëm qartësinë e asaj që pritet nga pala shqiptare por edhe evidentimin e mungesave reale të reformave dhe arritjes së objektivave europiane.

Bashkimi Europian është një organizim i bazuar në vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Që të jesh vend anëtar i Bashkimit Europian duhet që vendi kandidat duhet medoemos të reflektojë këto vlera dhe të vërtetojë se ka institucionet e nevojshme për t’i mbrojtur ato (Featherstone, 1998).

BE ka evidentuar që në vitin 1993 cilat duhet të jenë kriteret bazë për një vend i cili mund të nis rrugëtimin e integrimit. Kriteret e Kopenhagenit përcaktojnë në mënyrë eksplicite tre para kushte të domosdoshme për anëtarësim. Ato konsistojnë në kriterin politik, ekonomik dhe legjislativ. Në formë më të detajuar, kriteri politik konsiston në plotësimin e disa elementeve bazë që një shtet të quhet demokraci e konsoliduar, konkretisht një qeveri demokratike funksionale në të cilën qytetarët kanë akses të plotë në të gjitha nivelet e politikëbërjes, duke përfshirë zgjedhje të lira dhe të ndershme; shtetin e së drejtës, respektimin e të drejtave të njeriut komfort të gjitha konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut; dhe respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve.

Kriteri i dytë, ai ekonomik ka të bëjë me treguesit makroekonomik të një vendi. Konkretisht, vendi aspirant duhet të ketë një ekonomi tregu funksionale dhe produktet e të cilit kanë kapacitet për të përballuar presionin e konkurrencës dhe forcave të tregjeve europiane.

Dhe aspekti legjislativ ka të bëjë me aftësinë përshtatëse të legjislacionit vendës me acquis communautaire dhe të gjitha traktateve dhe marrëveshjeve që e përbëjnë atë (Konkluzionet e Presidencës, 1993).

Në mënyrë më të specifikuar, në kontekstin e MSA-së në takimin e tretë të Këshillit të Stabilizim-Asocimit midis BE-së dhe Shqipërisë, në Bruksel në 19 korrik 2011, u qartësuan dhe u rikonfirmuan dymbëdhjetë prioritetet kyçe të cilat ishin reflektuar dhe në Opinionin e Komisionit Europian në lidhje me Shqipërinë. Konkretisht, këto prioritete fokusohen në stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë, forcimin e shtetit të së drejtës, reforma në gjyqësor, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma elektorale, reforma në administratën publike, dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut duke përfshirë dhe të drejtat e pronësisë. Të gjitha këto elemente kanë të bëjnë me kriterin e parë të Kopenhagenit, prandaj dhe në analizën e mëposhtme unë do të fokusohem vetëm te ky kriter. Jo sepse dy kriteret e tjera janë më pak të rëndësishme, por duke mbajtur parasysh qasjen moderniste, unë besoj se institucionet demokratike të konsoliduara do të lehtësojnë zhvillimin socio-ekonomik i cili garantohet nga këto institucione të pavarura.

Këshilli nxiste partitë politike të tejkalonin mosmarrëveshjet politike dhe të vendosnin një dialog konstruktiv dhe të qëndrueshëm me qëllim sigurimin e funksionimit korrekt të parlamentit. Ai vlerësonte se negociatat me Shqipërinë do të fillonin vetëm atëherë kur të verifikohej se vendi ishte angazhuar seriozisht në plotësimin e kritereve dhe në mënyrë të veçantë të këtyre prioriteteve kyçe (Takimi i Tretë i Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit mes Shqipërisë dhe BE, 2011).

Ndërkohë, paralelisht me asistencën politike të Brukselit, Shqipëria vazhdon të përfitojë asistencë financiare në kuadër të IPA në dy drejtime të rëndësishme: (i) asistencë tranzitore në ndërtimin e institucioneve; dhe (ii) bashkëpunim ndërkufitar me një vlerë totale prej 82 milionë eurosh për vitin 2013 (Raporti i Komisionit Europian mbi Shqipërinë, 2013).

Angazhimi i Shqipërisë

Edhe pse sa herë që flitet për integrim, të gjitha forcat politike pa përjashtim e përcaktojnë atë si domosdoshmëri për avenirin e vendit, duket se hapat me të cilët Shqipëria po lëviz drejt saj janë relativisht të ngadalta. Që në vitin 2011, vendi është duke u munduar të realizojë dymbëdhjetë kushtet prioritare të përcaktuara nga Brukseli si të domosdoshme për çdo diskutim lidhur me statusin e vendit kandidat. Andaj, çdo aplikim i parakohshëm jo vetëm që është i padobishëm por nga ana tjetër do të thotë harxhimi i shumë energjive të kota.

Konkretisht, po të analizojmë situatën politike të këtyre dy viteve të fundit, që pas zgjedhjeve lokale të vitit 2011, situata politike në vend është shoqëruar me një mungesë dialogu të theksuar e shoqëruar kjo me përplasje të forta kryesisht midis dy forcave kryesore PD-PS dhe jo vetëm verbale por edhe fizike (incidenti i 21 janarit). Maskarada e ofendimeve, debateve shterpe dhe arroganca politike ka dominuar parlamentin i cili nuk po arrin të marr formën e duhur për të realizuar reformat aq të domosdoshme.

Më lejoni që në këtë pjesë të punimit të analizojmë se si Komisioni Europian e ka vlerësuar Shqipërinë për vitin që lamë pas. Duke ndjekur renditjen e Kritereve te Kopenhagenit, do të shohim së pari se çfarë është bërë për t’u afruar me qasjen europiane.

Raporti vjetor i Komisionit Europian për Shqipërinë i vitit 2013 konstaton se vendi ka ecur me hapa të ngadaltë drejt realizimit të reformimit të institucioneve. Konkretisht, edhe pse vlerësohen zgjedhjet e fundit si relativisht demokratike, raporti e vë theksin kryesisht në klimën e polarizuar politike që ka shoqëruar periudhën para dhe post zgjedhore. Duhet pranuar se është evidentuar një kalim i butë i pushtetit midis dy forcave kryesore, kjo si pasojë e rezultatit bindës të Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Zgjedhjet e përgjithshme u paraprinë nga një klimë e tensionuar politike e cila rrezikoi administrimin e zgjedhjeve. Edhe pse zgjedhjet ishin në vetvete kompetitive duhet pranuar se dhe vitin e kaluar pjesëmarrja në votime ishte e ulët, 53.6 për qind. Edhe këto zgjedhje sikurse dhe të tjerat shënuan një farë progresi. Megjithatë, OSCE∕ODIHR rikonstatoi disa rekomandime për zgjedhjet e ardhshme (Raporti, 6-7).

Për sa i përket funksionimit të parlamentit, raporti evidenton disa rezerva. Edhe pse duhet pranuar se ka pasur disa momente bashkëpunimi sporadike gjatë vjeshtës së 2012 dhe majit të 2013, parlamenti është dominuar nga një klimë agresive politike.

Për sa i përket qeverisë, raporti konstaton se është ecur me hapa të ngadaltë për sa i përket strategjisë së implementimit të prioriteteve kyç të propozuara nga Brukseli. Gjithashtu, vihet re një moskoordinim ndërmjet Ministrisë së Integrimit dhe ministrive të tjera.

Për sa i përket qeverisjes lokale, reformat territoriale administrative dhe decentralizimit nuk kanë shënuar progres, përkundrazi edhe pse ligji për planin urban është miratuar në prill të 2012, ka probleme evidente në implementimin e tij. Duket qartë së debati shume i politizuar mbi kompensimin e disa autoriteteve rajonale dhe municipale kanë ndikuar negativisht në efektivitetin e autoriteteve lokale duke e limituar rolin e tyre. Andaj raporti e shikon si shumë të rëndësishme debatin konstruktiv midis dy niveleve të qeverisjes si dhe vijimin në rrugën e reformave të decentralizimit dhe dialogun me shoqërinë civile.

Pjesa më e rëndësishme e kësaj analize, është e shumë debatuara reforma në administratën publike, e cila ishte dhe një nga rekomandimet kryesore të BE-së si dhe një nga elementët kyç të nevojshme për të marr statusin kandidat. Reforma në administratën publike u adoptua në maj të vitit të kaluar ligjit të shërbimit civil. Ky ishte një hap i rëndësishëm drejt depolitizimit të administratës publike e cila ndryshonte në mënyrë rrënjësore sa herë ndryshonte qeveria qendrore. Ligji i cili hyri në fuqi në tetor të 2013, është esencial për ndërtimin e një administrate publike profesionale, efektive dhe e bazuar në meritokraci. Qëllimi i këtij ligji është krijimi i një konteksti ligjor i cili konsiston në përfshirjen e institucioneve të pavarura dhe njësive të qeverisjes lokale. Ai ofron një klasifikim të qartë të zyrtareve civil; krijon një sistem optimal të administrimit të trupit të administratës dhe krijon të gjitha premisat për një sistem transparent të punësimit dhe promovimit. Ky ligj shfuqizon legjislacionin paraprak dhe ofron dispozitat e nevojshme deri në implementimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit. Në fakt, ajo qe ndodhi me ndryshimin e qeverise ishte një qasje e re ndaj ligjit. Qeveria Rama do të miratonte në shtator një amendament për të evituar vakumin ligjor. Miratimi në kohë i legjislacionit sekondar në përputhje me parimet e ligjit dhe zbatimi i duhur i tij është thelbësore. Si pasoje e këtij veprimi, ligji për procedurat e përgjithshme administrative është në pritje. Zbatimi i Ligjit për Gjykatat Administrative u shty në pritje të hyrjes në fuqi të Ligjit për Gjykatën e Lartë, i cili është një nga tre ligjet e nevojshme për marrjen e statusit kandidat (Raporti Vjetor i Komisionit Europian, 20-25).

Zbatimi i Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Publike duhet të hyjë në fuqi. Zbatimi i Ligjit për Inspektim ka shënuar përparim duke u miratuar në shkurt dhe përfshin dispozita që kanë për qëllim zvogëlimin e kohëzgjatjes dhe koston e inspektimeve (f. 28).

Një element tjetër shumë i rëndësishëm që është një indikator i shkallës së demokracisë së vendit, është pjesëmarrja e shoqërisë civile në vendimmarrje. Raporti konstaton se shoqëria civile në vend është e dobët dhe e fragmentarizuar. Gjithashtu, bashkëpunimi mes institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile ngelet i ulët sidomos në nivel lokal. Ka mungesë të theksuar të transparencës nga ana e autoriteteve shqiptare në lidhje me konsultimet me shoqërinë civile, frekuencën e këtyre takimeve si dhe kohën që ka në dispozicion. Duhet pranuar, se ka vend për përmirësim sidomos në zonat rurale (f. 30).

Ky reflektim në lidhje me rëndësinë dhe influencën që shoqëria civile ka në politikëbërjen shqiptare, evidenton më së miri, stilin e vendimmarrjes dhe kulturës politike shqiptare.

Duke reflektuar mbi këtë analizë të detajuar të raportit, vihet re një ngurrim i forcave politike për gjithëpërfshirjen dhe transferimin e përgjegjësive dhe vendimmarrjes nga pushteti qendror drejt institucioneve të pavarura. Kjo gjë, jo vetëm që pengon procesin e decentralizimit dhe imparcialitetit por në të njëjtën kohë dobëson institucionet e brishta demokratike.

Konkluzionet 

Rruga drejt integrimit në BE është ngushtimisht e lidhur me rrugën e konsolidimit të shtetit demokratik dhe funksionimit të tij. Kushti kryesor për konsolidimit demokratik është zhvillimi dhe forcimi i institucioneve të pavarura të cilat do të mundësojnë dhe përshpejtojnë plotësimin e kritereve të Kopenhagenit nëpërmjet transparencës, imparcialitetit dhe meritokracisë.

Edhe pse Shqipëria ka bërë disa hapa përpara në disa aspekte, si ç’është përshtatja e ligjit vendas me atë të BE-së, zbatimi pjesërisht i sugjerimeve dhe rekomandimeve të Brukselit, përsëri rruga drejt integrimit është e gjatë dhe me sfida të shumta. Ashtu siç e thekson edhe raporti i fundit i Komisionit Europian, qeveria ka sfida të mëdha përpara siç është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, depolitizimi i sektorit publik, implementimi i reformës në sistemin gjyqësor, zbatimi i reformës së administratës publike, forcimi i institucioneve të pavarura ekonomike dhe financiare, zbatimi i së drejtës së pronësisë, etj.

Ndaj, e para gjë për të cilën duhet që qeveria shqiptare dhe opozita të ndërgjegjësohen është se nuk mund të mbajnë më peng demokratizimin e vendit me debate shterpe dhe interesa të ngushta të momentit. Demokratizimi i vendit dhe ndërtimi i një sistemi tërësor funksional me institucione të pavarura duhet medoemos për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Fryma e dialogut dhe e bashkëpunimit sidomos për reformat prioritare është një domosdoshmëri që do t’i hapë rrugën vendit drejt integrimit.

E dyta, forcimi i sistemit gjyqësor dhe administrativ është një kusht themelor për funksionimin e shtetit të së drejtës. Këto dy elemente janë fondamentale jo vetëm për forcimin e nivelit të demokracisë në vend, por janë thelbësor në zhvillimin e një shteti që pretendon integrimin europian.

Se treti, përqafimi i vlerave demokratike dhe pranimi i rregullave të lojës së demokracisë. Të jesh pjesë e bashkësisë europiane do të thotë të jesh një vend me standarde të larta jo vetëm ekonomike, politike, por dhe social-kulturore.

* Referencë shkencore e mbajtur gjatë Ditëve të Studimeve Shqiptare në UET. Titulli origjinal i punimit

“Integrimi europian: një premtim i pambajtur i klasës politike shqiptare”

Shkruar Nga
More from revista mapo

Panairi: Më pak botues, më pak tirazh, por libra më me cilësi

Sot bëhet hapja zyrtare e Panairit të Librit në Pallatin e Kongreseve,...
Read More