‘Prova e madhe’ e KLP, hapet gara për Kryeprokurorin e ri dhe SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet që ditën e sotme të hapë garën për Prokurorin e ri të Përgjithshëm dhe kriteret për anëtarët e SPAK. Çfarë parashikohet në zgjedhjen e prokurorit të ri dhe dilema nëse do të kalojë me 84 vota të mazhorancës dhe “opozitarëve” të rinj.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet sot për të shqyrtuar dy nga çështjet më të rëndësishme siç është gara për kryeprokurorin e ri me mandat të plotë 7-vjeçar dhe diskutimi për rregulloren për zgjedhjen e prokurorëve të SPAK. Mësohet zyrtarisht se mbledhja ka pesë pika në rendin e ditës, por dy prej tyre kanë “fatet e drejtësisë së re”. E para ka të bëjë me miratimin e rregullores për zgjedhjen e prokurorëve që do të jenë pjesë e SPAK dhe e dyta në rend dite është pika mbi miratimin e një rregulloreje për “kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokurori të Përgjithshëm”. Më pas do të vijohet me hapjen e procedurës për kandidimin për këtë post.

Tashmë në garë për një mandat të plotë 7-vjeçar është edhe kryeprokurorja aktuale Arta Marku, e cila pritet të shpallë kandidaturën e saj përballë kandidatëve të tjerë. Para se emrat e kandidatëve t’i përcillen Parlamentit, duhet të kalojnë në “filtrin” e KLP-së (Këshillit të Lartë të Prokurorisë). Gjithashtu, edhe kriteret që do të vendosen për zgjedhjen e SPAK, me një organikë prej 15 prokurorësh, konsiderohen një proces me rëndësi, pasi do jetë struktura e parë antikorrupsion. Gjithsesi vetë KLP ka mbetur me 10 anëtarë nga 11 që ishte struktura pas shkarkimit nga detyra të anëtares Antoneta Sevdari. Gjithashtu, edhe dy anëtarë të tjerë janë në pritje të vendimit, që në këtë rast po vonon. Bëhet fjalë për anëtarët Bujar Sheshi dhe Nurihan Seiti, pasi Autoriteti i Hapjes së Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit ka dyshime se kanë qenë pjesë e strukturës famëkeqe dhe kanë marrë pjesë edhe në gjyqe politike gjatë sistemit komunist.

Kryeprokurori, kërkohen 84 vota…

Përveç anëtarëve prokurorë që kanë shprehur interes për të drejtuar Prokurorinë e Përgjithshme në një mandat të plotë 7-vjeçar, pritet t’i shtohen emra të tjerë juristë karriere të cilët për më shumë se një dekadë nuk kanë qenë të përfshirë në aktivitetet politike. Filtri i parë kalon nga KLP e cila pasi hap garën dhe shqyrton gjithë kandidaturat dërgon tre emra që sipas saj janë më të duhurit. Lista me tre kandidatë i dërgohet Parlamentit të Shqipërisë dhe më pas do të jetë në vullnetin politik për të qëmtuar të përshtatshmin.

Duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese, në nenin 148/4-45, parashikohet se “Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi”. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi.

Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Mjaft interesante do të jetë çështja e votimit në Parlament, ku kërkohet shumicë e cilësuar me 84 vota. Opozita ka djegur mandatet në grup që më 21 shkurt, por aktualisht me marrjen e mandatit të deputetëve të rinj që refuzuan vendimin politik, kjo shumicë arrihet, pasi aktualisht në Parlament janë 85 deputetë. Numrat e nevojshëm janë lehtësisht të siguruar, kur vetë mazhoranca nuk do e ketë problem që të bindë “opozitarët” e rinj, por çështja e zgjedhjes së kryeprokurorit do të shoqërohet me një pikëpyetje të madhe morale.

Edhe për kryeprokuroren aktuale të përkohshme Arta Marku opozita në atë kohë në Parlament mbajti qëndrim kundër dhe ajo ndodhet në detyrë vetëm me 69 vota të mazhorancës. Por në Kushtetutën e re parashikohet që nëse nuk arrihet shumica e cilësuar në Parlament, atëherë sërish çështja mbetet në duart e KPK-së, që ka të drejtën ligjore ta bëjë vendin me kryeprokuror të ri. Në nenin 4 thuhet: “Nëse Kuvendi nuk zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar”. Një nga kandidatet e përfolura, që mund të mbajë mandat të plotë 7-vjeçar është kryeprokurorja aktuale Arta Marku.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mashtrimi me telenovelën: “Portin e Shëngjinit ia kemi lënë Kosovës”

Me egoizmin e patriotit ndaj landit verior, prej shumë vitesh, përflitet se...
Read More